Printo!
Kategoria: Hutbet
Lexuar: 5652 herë

 

EMËRTIMI I FËMIJËVE ME EMRA TË BUKUR ISLAMË

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 



“(E robërit e Zotit janë ata) që thonë: ‘Zoti ynë, na bëj që të jemi të gëzuar me gratë tona dhe pasardhësit tanë, e neve na bëj shembull për të devotshmit!’”, (el-Furkan:74).

Njëra ndër mirësitë më të mëdha që All-
llahu xh. sh. ia jep robit të Tij, pra njeriut, është fëmija, që paraqet frytin e dashurisë dhe respektit e të nderit midis dy bashkëshortëve. Fëmija është, ashtu siç e quan All-llahu xh.sh., një stoli e kësaj bote: “Pasuria dhe fëmijët janë stoli e jetës së kësaj bote, kurse veprat e mira (fryti i të cilave është i përjetshëm) janë shpërblimi më i mirë te Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë”. Në pjesën e dytë të këtij ajeti All-llahu xh.sh. na bën me dije se edhe pse pasuria dhe fëmijët janë stoli dhe kënaqësi e kësaj bote, ato janë të përkohshme; ajo që është e përjetshme dhe që shpërblehet nga Zoti është vepra e mirë e njerëzve. Prandaj kjo, njëherazi është edhe një ngushëllim i madh për bashkëshortët, të cilëve Zoti nuk u ka dhënë fëmijë. Kurse nga ana tjetër, është një tërheqje e vërejtjes se të kesh mall e fëmijë është një përgjegjësi e madhe së cilës duhet dhënë hakun. Për ata që nuk e dinë rëndësinë e kësaj përgjegjësie, këto dy mjete gëzimi e kënaqësie të kësajbotshme mund të bëhen edhe mjete dëshpërimi, mjerimi, çrregullimi e shkatërrimi. All-llahu xh.h. thotë në një ajet kur’anor: “Dhe, dijeni mirë se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm një sprovë, dhe se tek All-llahu është shpërblimi i madh”. Pra, fëmijët sa mund të jenë shkak gëzimi e hareje, po aq mund të jenë edhe shkak dëshpërimi e hidhëtie. Këtë të vërtetë ndoshta më së miri mund ta vërejmë sot te shumë familje që deklarohen si muslimane. Te disa të tilla shohim gëzim e lumturi, kurse te disa të tjera hidhëti e vrer. Kjo është gjithë pasojë e vetëdijes së prindërve në radhë të parë për përgjegjësinë që ata kanë ndaj fëmijëve të tyre si amanet i Zotit.

Detyrat dhe obligimet e prindërve ndaj fëmijëve fillojnë qysh para lindjes së fëmijës me duanë që duhet t’ia drejtojnë ata All-
llahut xh.sh. para dhe pasi fetusi i fëmijës së ardhshëm të ketë zënë në barkun e nënës, siç kanë vepruar shumë pejgamberë, gra pejgamberësh e njerëz të tjerë të devotshëm. Një dëshmi e gjallë për këtë është edhe ajeti që e përmendëm në fillim të hutbes. Për detyrat e tjera me rëndësi në këtë drejtim na mëson vetë Pejgamberi a.s. Në një transmetim që e bën Ibni Abbasi thotë se gjashtë gjëra janë sunnet (porosi e Pejgamberit a.s.) që të kryhen në ditën e shtatë pas lindjes së fëmijës: 1- Ngjitja e emrit, 2- Therja e kurbanit (akika), 3- Bërja sunnet (synetimi), 4- Shpimi e veshëve të vajzave, 5- Largimi i papastërtive (larja e rregullt e foshnjës) dhe 6- Qethja e flokëve të foshnjës dhe shpërndarja e sadakasë (lëmoshës) aq sa peshojnë qimet e qethura.

Ajo që sot më së tepërmi na brengos, natyrisht duke mos i harruar edhe të tjerat, është ngjitja e emrit. Pejgamberi a.s. në një hadith të tijin thotë: “Në Ditën e Gjykimit ju do të thirreni sipas emrave tuaj dhe të baballarëve tuaj. Prandaj, ngjituni fëmijëve tuaj emra të bukur!” (Ebu Davudi, el-
Edeb, 61). Emri i përveçëm dhe personal i njeriut shënon atë çka vetë, në të vërtetë, është njeriu, shënon qenien dhe identitetin e tij si fetaro-moral ashtu edhe atë kulturoro-qytetërimor. Mbasi All-llahu xh.sh. në Ditën e Gjykimit njerëzit do t’i thërrasë sipas emrave të tyre, ndërhyrja dhe ndikimi i çfarëdollojshëm në këtë emër nënkupton ndërhyrjen dhe intervenimin në vetë qenien e njeriut. Sipas burimeve normative të Islamit, ngjitja e emrit jo të mirë e jo të bukur do të thotë paemërsi, mungesë të emrit. Kurse, ajo që sot po ndodh në mesin tonë, e që është edhe më e rrezikshmja, është turpërimi dhe largimi nga identiteti, nga qenia jonë fetare e kulturore. Sot, shumë prindër s’e kanë për të madhe rëndësinë e emrit dhe të kuptimit të tij fetar dhe kulturor. Ata s’janë të vetëdijshëm se emri shënon, siç thamë, vetë atë, se çka dhe kush është ai. Duke ngjitur muslimanët emra jomuslimanësh e traditash dhe kulturash të tjera, pahetueshëm po u rrëshqasin këmbët në asimilimin negativ dhe humbjen e identitetit të vet. E humb një pjesë të fesë, të kulturës e të vetvetes.

Akoma më rrëqethet trupi kur më kujtohet se si një i ri shqiptar me tel. mobil rezervonte bileta udhëtimi për familjen e vet, duke ia treguar emrat e djemve të tij bashkëbiseduesit: Kevin Memeti, Leonard Memeti etj. Nga kjo mund të kuptoja dy sende: ose kjo familje ishte e përzier, pra babai të ishte me prejardhje muslimane e nëna me prejardhje jomuslimane, ndoshta krishtere dhe elementi nënë si zakonisht të kishte ndikuar në ngjitjen e emrave të tillë, ose që të dy prindërit të ishin muslimanë të tëhuajësur e të asimiluar në atë masë sa asnjëri prej fëmijëve të mos kishte emër muslimani. Është apo nuk është për t’u turpëruar me vetveten? Është apo nuk është kjo largim dhe ikje nga vetvetja? Është apo nuk është kjo shkrirje totale e jona në diçka që nuk është e jona? Është kjo shenjë se jemi larguar nga parimet islame apo nuk është?

Muslimanët, në qoftë se dëshirojnë të jetojnë në harmoni me vullnetin e All-
llahut xh.sh. dhe të shpresojnë në ndihmën e All-llahut xh.sh. në momentet kur nuk do të mund të shpresojnë tek askush dhe asgjë tjetër, duhet t’u përmbahen parimeve e porosive islame të cilat e përbëjnë qenien dhe identitetin e tij, madje edhe në raste të këtilla që shumëkujt mund t’i duken të rastësishme, të dorës së dytë-tretë apo edhe të parëndësishme fare.
Emrat më të mirë që mund prindërit muslimanë t’ua ngjisin fëmijëve të tyre janë: 99 emrat e bukur të All-
llahut xh.sh., duke ua shtuar në fillim parashtesën “Abd” (“Rob”), si Abdullah, Abdurrahman, Abdurrahim etj., pastaj emrat e pejgamberëve dhe të as’habëve (shokëve) të pejgamberëve si dhe emrat e personaliteteve të njohura gjatë historisë së gjithëmbarshme islame.
All-
llahu na ndihmoftë në jetë dhe na shtoftë dashurinë ndaj Tij dhe Pejgamberit të Tij, si dhe ndaj vetvetes si muslimanë që jemi. AMIN!