Printo!
Kategoria: Hutbet
Lexuar: 4367 herë

HYRJA NË TRE MUAJT E BEKUAR

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 



„Zoti juaj ka thënë:’Lutmëni Mua, Unë ju përgjigjem! E ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë në Xhehennem të nënçmuar“ (el-Mu’min/el-Gafir:60).

Muslimanë të nderuar!
All-
llahu xh. sh. i ka dalluar disa pjesë të kohës prej disa të tjerave, duke lëshuar në to mëshirën dhe mirësinë e Tij për krijesën më të përsosur-njeriun. Prej ditëve të javës e ka dalluar të premten-xhumanë; prej netëve të javës: natën e xhuma; prej atyre të vitit: natën e Regaibit, të Miraxhit, të Beratit e të Kadrit; prej muajve hënor: Rexhebin, Sha’banin dhe Ramazanin.

Falë i qofshim Zotit, i Cili na mundësoi që edhe një herë t’i mbërrijmë muajt që, populli ynë i lidhur me gjithë zemër për Fjalën e Zotit, zakonisht i quan “Tri muajt e bekuar”, në të cilët fillojnë të hapen valët e rahmetit-
mëshirës, në të cilët nëpër zemra bëjnë vend ndjenjat shpirtërore, në të cilët Zoti i hap dyert e rahmetit e të faljes.

Sot është dita e parë e muajit Rexheb, për vlerën shpirtërore të të cilit flet tërthorazi edhe All-
llahu xh. sh. në Kur’an po edhe Pejgamberi a. s. drejtpërdrejtë në hadithet e tij. Kështu All-llahu xh.sh. thotë: “Te All-llahu numri i muajve është dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e All-llahut prej ditës kur krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në ata (katër muaj)!” (et-Tevbeh:36). Pejgamberi a.s. duke i komentuar muajt e shenjtë të përmendur në Kur’an, thotë: “Sigurisht që koha rrjedh ashtu si e ka krijuar All-llahu që nga dita e parë. Viti ka dymbëdhjetë muaj. Katër prej tyre janë të shenjtë, tri prej të cilëve vijnë njëri pas tjetrit. Ata janë: Dhu’l-Ka’deh (muaji i 11), Dhu’l-Hixhxheh (muaji i 12), Muharrem (muaji i 1) dhe muaji Rexheb (muaji i 7), i cili vjen ndërmjet muajve Xhumadije’l-Ahir dhe Sha’ban e që është muaji i fisit Mudar” (Buhariu, Tefsir, sureja 8, 9; Bed’ul-Halk, 2; Megazi, 77).

Katër muajt e shenjtë të cilët i përmend Kur’ani, edhe në kohën arabe paraislame, pra të xhahilijjetit, janë respektuar si të shenjtë dhe në ta ka qenë ndaluar lufta, bastisja e plaçkitja dhe secili e ka ndjerë veten në rreth të sigurt. Me ardhjen e Islamit, nderi e respekti ndaj tyre vazhdoi akoma, bile u begatua edhe me dy netë të bekuara siç janë nata e Regaibit dhe e Miraxhit.

Në këta muaj të bekuar, Pejgamberi a.s. bënte ibadet më shumë se çdo muaj tjetër dhe ia bashkëngjiste këtë dua-
lutje: “O Zoi ynë! Na beko muajin Rexheb e Sha’ban dhe na mundëso ta mbërrijmë muajin Ramazan!” (Ahmed b. Hanbel, Musned, 1/259). Në një hadith tjetër ai thotë: “Muaji Rexheb është muaji i All-llahut, muaji Sha’ban është muaji im, kurse muaji i Ramazanit është muaji i ummetit tim” (Axhluni, Keshfu’l-Hafa, 1/423).

Nuk ka dyshim se këta muaj janë një shans i mirë për t’i qetësuar shpirtrat tanë të trazuar me punët e rënda të dunjasë e për t’u strehuar e mbështetur në mëshirën dhe faljen e All-
llahut xh.sh. me gjithë vetëdijen tonë si robër të Atij që jemi. Lutjet, pendimet e teubet, të mirat e përgjithmonshme, gëzimet dhe hidhërimet që ndahen me gjithë zemër me të tjerët, shpërblimin do ta kenë të shumëfishtë në këta muaj.

Puna e parë dhe e mira më e madhe që duhet bërë gjatë kësaj kohe, gjithsesi është marrja e vetes në llogari, qërimi i hesapeve me vetveten, autokritika. Këtë duhet bërë sidomos tani kur peshorja po anon gjithë e më tepër kah ana materiale sesa kah ajo shpirtërore, kur mospajtimet e kundërshtimet e individëve dhe shoqërive po ndikojnë negativisht në gjithë botën dhe sikur po e mbështjellin botën me të ligat e saj, kur në vend të mendjes së shëndoshë po flasin armët, kur në emër të krijimit të një rendi të ri botëror e në emër të një demokracie shterpe po luftohet gjithkush që nuk është me të fortin...Vetëkritika është mjeti më i sigurt për të na mbrojtur nga humbja e vlerave morale, të cilat gjenden në thelbin e qenies sonë dhe që e përbëjnë boshtin kurrizor të identitetit tonë. Në qoftë se shpërfillet e lihet mbas dore kjo rrugë që feja jonë me ngulm mundohet të na mbjellë në shpirtrat tanë, atëherë fillon të nënvleftësohet e të përçmohet pesha e kuptimi i jetës së njeriut në këtë botë. Manifestimi apo shfaqja sociale e kësaj do të ishte: përhapja e ndjenjës së joturpit, e jomoralit, e padrejtësisë, e korruptimit, e vjedhjes dhe plaçkitjes, e urrejtjes dhe hakmarrjes, me një fjalë lind jomëshira dhe jodashuria, e kjo do të thotë që të gjithë njerëzit të bëhen ujq për njëri-
tjetrin, kjo do të thotë fundi i kësaj bote.

Këto shanse që po na jepen t’i shfrytëzojmë si është më së miri, duke i braktisur gjynahet që jemi duke i kryer vazhdimisht, duke i hedhur tej nga zemra ndjenjat dhe idetë e këqija e të fëlliqura, duke i lënë mënjanë punët e sjelljet që na çojnë ta harrojmë All-
llahun xh.sh. dhe Pejgamberin e Tij, duke u ruajtur të mos na turbullojnë e përlyejnë sarajin e zemrës ndjenja e xhelozisë, e urrejtjes, e armiqësisë, e padrejtësisë dhe e zullumit, duke u afruar me të mirë e me dashuri ndaj njëri-tjetrit, ndaj babës dhe nënës, ndaj të afërmve e miqve tanë. Të bashkohemi e të afrohemi karshi armiqësive që po na mbështjellin botën ku jetojmë; në zemrat tona ta ndezim zjarrin e mirësisë, të vlerës, të virtytit e të dijes së drejtë! Zemrat tona le të mbushen me ndjenja të këtilla të pastra e të sinqerta! Rahmeti dhe bekimi i All-llahut xh. sh. qoftë mbi të gjithë ne, robër që kemi nevojë për këto sa të jemi gjallë dhe vdekur!

Gjatë këtyre muajve nuk parashihet ndonjë ibadet i veçantë, porse është mirë, siç mësojmë nga tradita e Pejgamberit a. s., që ibadetet e rëndomta nafile t’i shtojmë akoma më tepër e për farzet as që duhet të bisedohet. Kështu, është mirë që së paku të agjërojmë nga tri ditë në fillim, në mes dhe në fund të këtyre dy muajve, si përgatitje për Ramazanin që pason; pastaj të shtohen namazet nafile, leximi më i tepërt i Kur’anit e të shpeshtohen duatë e lutjet si dhe ziaret -
 përmendjet e All-llahut xh.sh.

All-
llahu xh.sh. na faltë gabimet tona të hapura e të fshehta e na përudhtë në të mbarën! AMIN!