ISRAJA DHE MIRAXHI

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 




“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes-Jerusalem), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëvëzhguesi”, (el-Isra’: 1).

Vëllezër të nderuar!

Në natën që e lidh ditën e martë me të mërkurën e ardhshme do ta përkujtojmë e festojmë një ngjarje shumë me rëndësi në jetën e Pejgamberit a. s., do ta përkujtojmë udhëtimin e tij natën prej Mekkes për në Jerusalem, që njihet me emrin Isra, e prej atje pastaj ngjitjen e tij për në qiej, për te prania e All-
llahut xh. sh., e cila njihet me emrin Mi’raxh. Për udhëtimin e parë flet ajeti i parë i sures el-Isra i cekur në fillim të hutbes, kurse për ngjitjen në qiej flasin ajetet 5-15 të sures en-Nexhm. Për këtë ngjarje, sigurisht që ka folur edhe vetë Muhammedi a. s., i cili thuaja në detaje e ka shprehur atë që e ka përjetuar gjatë kësaj nate. Këtë gjithashtu e kanë konfirmuar edhe muslimanët e asaj kohe, shokët e Pejgamberit a. s.

Kjo ndoshta do të quhej muxhizja (mrekullia) e dytë e madhe e Muhammedit a.s. pas Kur’anit, i cili ka qen, është dhe do të mbetet mrekullia e gjithë kohërave.

Israja dhe miraxhi, ashtu siç kanë qenë në kohën kur kanë ndodhur, janë ngjarje që besimtarëve të vërtetë e të sinqertë ua shton imanin dhe bindjen në fuqinë e pakufishme të All-
llahut xh. sh. dhe në muxhizet e Pejgamberit a. s., kurse të luhaturve e jobesimtarëve ua shton akoma mosbindjen e mosbesimin. Kështu ka ndodhur jo vetëm me Isranë dhe Miraxhin, porse me të gjitha muxhizet e të gjithë pejgamberëve që i kanë ardhur njerëzimit. Nuk ka dyshim se këto janë ngjarje që realizohen me dëshirën, vullnetin dhe fuqinë e Krijuesit të gjithësisë, të Cilin s’e lodh asgjë dhe për të Cilin asgjë nuk është e pamundshme, krejt me një qëllim të vetëm, që njerëzimin ta bindë për vërtetësinë e mësimeve të njerëzve që thoshin se ishin pejgamberë, me një fjalë për ta vërtetuar dërgimin e pejgamberëve, ndaj edhe të fjalëve të Veta që ua shpallte atyre pejgamberëve.

Për mundësinë e ndodhjes së kësaj ngjarjeje sot ndoshta nuk duhet të ketë kurrfarë dyshimi, sot kur njeriu me aftësitë e veta të kufizuara, që sërish edhe këto atij ia ka dhuruar Zoti, po depërton thellë e më thellë në hapësirë, larg e më larg planetit tonë, për ta hulumtuar e njohur këtë të panjohur të madhe. Mbasi njeriu me aftësi të kufizuara ka arritur t’i realizojë gjithë këto udhëtime kozmike, çka mbetet të thuhet për udhëtimet kozmike të Muhammedit a. s. nëpër sferat e larta qiellore që i ka kryer me ndihmën dhe fuqinë e Krijuesit, i Cili ka fuqi e forcë të pakufizuar, të Cilit i mbetet t’i thotë një gjëje a sendi vetëm “Bëhu!” e ajo të bëhet?!

Me këtë dëshiroj t’ju sugjeroj që të bindeni më lehtë se një gjë e tillë ka ndodhur dhe se gjithsesi është e mundshme. Këtë ne duhet vetëm ta besojmë e ta përkujtojmë për çdo vjet, sepse meriton të përkujtohet e festohet.

Miraxhi është i rëndësishëm për ne si ummet i Muhammedit a. s., edhe nga arsyeja se në këtë takim që Muhammedi a.s. e ka pasur me All-
llahun xh.sh. është bërë farz (obligim) falja e pesë kohëve të namazit, si për Muhammedin a.s. ashtu edhe për gjithë muslimanët deri në ditën e Kijametit. Namazi është shtylla e Islamit, e përkulshmërisë që njeriu duhet ta tregojë karshi Krijuesit të vet, është detyrë shumë me rëndësi. Rëndësia e tij kuptohet edhe nga vetë vendi e rrethanat se ku është bërë obligim. Përderisa të gjitha obligimet e tjera fetare i janë shpallur Muhammedit a.s. e bërë obligim për muslimanët kur Pejgamberi a.s. gjendej në tokë, në mesin e rrëmujës së jetës, namazi është bërë në vetë praninë ose, nëse mund të shprehemi, në rezidencën e Zotit.

Kur një kryetar shteti dëshiron t’i kumtojë një vendim shumë me rëndësi një shteti tjetër, ai e fton në rezidencën e vet ambasadorin e shtetit gjegjës dhe ia kumton atë, e nuk e bën këtë nëpërmjet postës ose faksit, për shkak të rëndësisë e peshës që ka ai vendim.

Pejgamberi a.s. thotë se “Namazi është miraxhi i muslimanit”. Besimtari, në namaz bisedon me All-
llahun xh.sh., e bën miraxhin e vet, kurse pas dhënies së selamit djathtas e majtas, ai sërish kthehet në mesin e njerëzve, në jetën normale duke e ruajtur energjinë e fituar në namaz.