Printo!
Kategoria: Hutbet
Lexuar: 6118 herë

Sonte para nesh gjendet një natë e madhe dhe e bekuar, e cila quhet nata e Beratit. Fjala "berat" në gjuhën arabe do të thotë: të shpëtosh, të falesh e të lirohesh prej gjynaheve, fajeve dhe dënimeve. Në këtë natë shumë muslimanë gjejnë faljen dhe lirimin prej gjynaheve nga ana e All-llahut xh.sh., i arrijnë mirësitë dhe dhuntitë e Zotit dhe zemrat u mbushen me nur e dritë hyjnore.

Është kjo natë e bekuar dhe e madhe ngase, sipas disa komentatorëve të Kur'anit, në këtë natë Kur'ani fisnik ka zbritur në formë të plotë nga qielli i shtatë në të parin, pra në qiellin e dynjasë, kurse në natën e Kadrit ka filluar t'i shpallet Pejgamberit a.s. në formë të shkallëshkallshme brenda 23 vjetëve. Këta komentatorë, për këtë mbështeten në ajetet e para të sures ed-
Duhan që i lexuam në fillim të hutbes: "Ha.Mim. Pasha librin sqarues (të së drejtës nga e kota)! Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar. Vërtet që Ne gjithnjë po këshillojmë. Në atë natë zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë" (ed-Duhan:1-4). Në këtë natë të bekuar ka zbritur Kur'ani me të cilin Kur'an Zoti e këshillon dhe ia tërheq vërejtjen njerëzimit për gabimet dhe humbjen e mashtrimin që është duke e përjetuar. Është nata kur me dijen dhe gjykimin e All-llahut xh.sh. vendoset për të gjitha çështjet, si: vdekjet, lindjet, furnizimet, fatkeqësitë etj. për tërë vitin e ardhshëm.

Edhe pse disa komentatorë të tjerë thonë se në këtë sure flitet për natën e Kadrit e jo të Beratit, për vlerën e madhe të saj që ka flasin edhe mjaft hadithe dhe sjellje të Pejgamberit a.s. Ai gjatë muajit Shaban, në të cilin gjendet edhe nata e Beratit, rregullisht mbante agjërim nafile. Kur e pyetnin se përse agjëronte kaq shumë në muajin Shaban, Ai përgjigjej: "Në këtë muaj punët dhe veprat tona ngrihen te Zoti i botëve. Unë dua që punët e mia t'i paraqiten Zotit duke qenë me agjërim në gojë" (Nesaiu, Sijam, 70).

Ja edhe disa hadithe të tjera të Pejgamberit a.s. lidhur me madhështinë e kësaj nate: "Kur të vijë nata e 15 e muajit Shaban, kalojeni me ibadet dhe itaat Zotit, kurse ditën e 15 kalojeni me agjërim! Sepse atë natë Zoti me rahmetin e vet i shfaqet qiellit të dynjasë dhe thotë: 'A ka kush pendohet sonte dhe Unë ta fali?,  A ka kush kërkon rizk (furnizim e nafakë) sonte dhe Unë t'i jap?, A ka kush që është i sëmurë dhe kërkon prej Meje shërim e Unë t'i jap shëndet?, A ka kush kërkon diçka tjetër sonte e Unë t'i jap?' Kështu vazhdon deri në agimin e ditës së nesërme", (Ibni Maxhe, Ikame, 191).

"S'ka dyshim se në natën e 15 të Shabanit Zoti shfaqet (me mëshirën e Tij) në qiellin më të afërt me tokën dhe fal gjynahet (ose gjynahqarët) qofshin ato më tepër se edhe qimet e dhenve të fisit Kelb" , (Tirmidhiu, Saum, 39).

Këto ishin shkurtimisht të mirat dhe bekimet e kësaj nate madhështore. Është pra një natë, kur All-
llahu xh.sh. me të madhe e lëshon rahmetin, mëshirën, rizkun, faljen e Vet dhe është nata kur ne duhet sinqerisht të pendohemi për gjunahet që i kemi bërë dhe që jemi duke i bërë e t'i drejtohemi Zotit me kërkesën për të na falë e të na pastrojë prej të gjitha ndyrësive të jetës së kësaj bote e të na ngrejë në shkallën ku shpirtrat tanë do të jenë të kënaqur me Zotin dhe ku edhe Zoti do të jetë i kënaqur me ne. Është nata kur ne duhet të vendosim t'i largohemi çdo të keqe që na çon në mosbesim (kufër), kur në duhet t'i harrojmë e t'i shuajmë ndjenjat e armiqësisë e të urrejtjes ndërmjet nesh si muslimanë, kur ne duhet t'i vizitojmë, të afrohemi e të pajtohemi me farefisin dhe akrabanë tonë, kur ne duhet ta shuajmë ndjenjën e krenarisë, të kibrit e të mendjemadhësisë dhe të stolisemi me kokultësi e respekt ndaj Zotit, Krijuesit tonë, kur ne duhet ta respektojmë e nderojmë babën dhe nënën tonë, kur përfundimisht ta braktisim alkoolin, zinanë dhe çdo gjunah tjetër të madh e të vogël. Sepse Pejgamberi a.s. në një hadith të tij thotë: "Në natën e Beratit Zoti ua fal gabimet të gjithë muslimanëve, përveç atij që merret me magji, atij që e ushqen ndjenjën e urrejtjes e të armiqësisë, atij që i ndërpret lidhjet farefisnore, atij që e kundërshton dhe nuk e dëgjon babën  dhe nënën e vet dhe atij që është i dhënë pas alkoolit e zinasë".

Ne si qenie që nuk e dimë se kur do të vdesim dhe që për çdo ditë vetëm se po ngarkohemi me gjynahe të ndryshme, kjo natë dhe netët e ditët tjera të mëdha janë raste të volitshme kur mund të pendohemi, të bëhemi pishman e të kërkojmë falje për ato faje e gabime dhe ta vazhdojmë jetën ashtu siç dëshiron Zoti të na shohë dhe ashtu siç dëshirojmë ne të jemi të lumtur e të rehatshëm në këtë dhe në botën tjetër.

Me hajr ju qoftë kjo natë dhe All-
llahu xh.sh. na faltë të gjithëve për hir të kësaj nate, të muajit  në të cilin gjendemi dhe për hir të Pejgamberit tonë të dashur Muhammed Mustafasë! AMIN!