VDEKJA -
Vëllezër të nderuar!
All-
Për njeriun vdekja është mësuesi dhe përkujtuesi më i mirë. Pejgamberi a. s. thotë: “Vdekja është këshilltari juaj më i mirë”. Një jetë që kalon larg së vërtetës së vdekjes, është një jetë e dështuar. Një njeri që jeton pa e përkujtuar dhe pa e menduar vdekjen, ai është i humbur dhe i dështuar. Ata që janë të lidhur pas kësaj jete sikur të mos vdesin kurrë, janë të mashtruar thellë. Kryesore është që të punojmë për këtë botë sikur të mos vdisnim kurrë e të punojmë për Ahiretin sikur tani menjëherë të vdisnim.
Duhet të vdesim para se të vdesim dhe të mos i shesim lumturitë e përgjithmonshme të Ahiretit për zevket dhe qejfet e përkohshme të kësaj bote. Të mendosh se me vdekjen përfundon gjithçka, se nuk ka botë tjetër dhe të jepesh pas argëtimeve të pafund për t’ia nxjerrë tadin (shijen) jetës dhe këtë filozofi ta marrësh si sistem jete është një gabim trashanik që lë pasoja të pakapërcyeshme e të pazgjidhshme. Kjo e çon njeriun të mos përfillë kurrfarë vlere, kurrfarë rregulli e ndalese, porse gjithçka t’i duket e lejueshme dhe hallall, sepse sipas tyre kjo jetë që është e vetmja duhet të jetohet deri në maksimum. Kështu mendojnë materialistët, pozitivistët dhe të gjithë ata që nuk besojnë në botën e padukshme.
Vëllezër të nderuar! Nuk duhet të harrojmë se përgatitja për vdekje bëhet duke e ndjekur programin e jetës që e ka përpiluar feja Islame. Prandaj, njeriu herë pas here duhet ta shikojë jetën si e kalon, si i ka kaluar ato pjesë së jetës që i ka lënë pas dhe se a ka jetuar një jetë për të cilën do të mund të japë përgjigje në Ahiret, apo ka jetuar një jetë të cilën nuk do të mund ta arsyetojë me asgjë. Jetë me përgjegjësi është ajo që ka kaluar duke pasur kujdes për obligimet ndaj Zotit, ndaj vetvetes, ndaj familjes, ndaj shoqërisë dhe ndaj çdo gjëje të gjallë... duke i ikur çdo manipulimi, keqtrajtimi, mashtrimi, përçarjeje, përbuzjeje... Kurse jetë e papërgjegjshme është ajo që është e ngarkuar me punë e sjellje për të cilat zotëria i saj nuk do të mund të gjejë arsye pse i ka kryer ato, në ditën kur gjithçka do të dalë sheshazi për t’u matur e vlerësuar e ajo është dita e Gjykimit.
Prandaj, muslimani i sinqertë dhe i bindur mirë, nuk e bën asnjë punë dhe nuk e hedh asnjë hap e të mos mendojë se aty për aty mund të vdesë. Ai gjithnjë e ka dhe duhet ta ketë ndërmend këtë të vërtetë të madhe. Kurse mëkatarët e gjynahqarët të cilët i futen çdo lloj gjynahi e gabimi, ata fare s’e kujtojnë vdekjen, fare nuk mendojnë se mund të vdesin duke i kryer ato gjynahe. Ata duken shumë të sigurt në jetëgjatësinë e tyre sikur nuk do të vdisnin kurrë. Për të dyja këto palë, edhe për të mirët edhe për të këqijtë, vlen ky hadith i Muhammedit a.s.: “Njeriu do të vdesë ashtu si ka jetuar dhe do të ringjallet ashtu siç ka vdekur”.
All-