All-llahu xh. sh. në Kur’anin fisnik na porosit që në këtë botë të mos i frikohemi askujt tjetër përveç Tij dhe të jetojmë e vdesim vetëm si muslimanë, që të mos lejojmë që zemrat tona të dashurohen në diçka tjetër pos në All-llahun, në Pejgamberin dhe fenë e Tij, Islamin. “O ju besimtarë! Kini frikë All-llahun (duke i ndjekur urdhrat e Tij dhe duke u ikur ndalimeve të Tij) ashtu siç duhet pasur frikë nga Ai dhe mos vdisni ndryshe veçse si muslimanë (të nënshtruar plotësisht ndaj All-llahut)!” (Alu Imran:102). Për besimtarët e drejtë All-llahu xh.sh. thotë se ata janë burra të cilëve nuk i pengon kjo botë nga përkujtimi i Zotit, nga namazi, zekati e të tjera obligime dhe se ata i frikohen ditës kur do të rrotullohen zemrat e sytë: “(E lartësojnë All-llahun me madhëri) burra të cilëve as tregtia dhe as shitja nuk ua largon vëmendjen nga të përkujtuarit e All-llahut (me zemër e me gojë), as nga falja e rregullt e namazit as nga dhënia e zekatit. Ata e kanë frikë një Ditë kur zemrat dhe sytë do të rrotullohen e do të tronditen” (en-Nur:37). Duke qenë se imani-besimi zë vend në zemrën e besimtarit të sinqertë e të drejtë, e kaplon shpirtin dhe vetëdijen e tij, shpesh ndodh që ai të dobësohet nga zemra, ndodh që ai ta harrojë Zotin, ta harrojë vdekjen dhe Ahiretin, të përkulet përpara qejfeve e lakmive të kësaj bote e të vijë në gjendje të mos e kontrollojë vetveten, egon dhe shpirtin e vet. Një numër i madh i muslimanëve të ummetit islam, sot në këtë shekull të materializmit të tërbuar, sillen shumë indiferentë ndaj porosive të Zotit e të Pejgamberit a.s. Ata ankohen në fortësinë e zemrës duke thënë se “Po ndjej se zemrën e kam të ftohtë”, “Nuk ndjej kurrfarë dëshire për të fal namaz, agjëruar etj.”, “Ndjej se imani im është në zgrip të humbjes e shkatërrimit”, “Tek unë nuk ndikon fare leximi i Kur’anit”, “Unë bëj gjynah shumë lehtë dhe nuk ndjej kurrfarë turpi a marre” etj. etj. Gjurmët e kësaj sëmundjeje, që është shkaktare e shumë mjerimeve e humbjeve, janë evidente dhe shihen qartë te shumë muslimanë. Sepse zemrat e tyre e kanë humbur fuqinë e të vepruarit, atyre u është topitur aftësia për të kuptuar, zemrat e tyre janë mbuluar me perden e inatit, të mosdijes e të epsheve të pafund të egos së tyre. Kjo është sëmundja e zemrave të tyre. Mospërkulshmëria ndaj urdhrave e porosive të All-llahut xh.sh. e të Pejgamberit a.s. vjen nga harresa e së vërtetës se All-llahu xh.sh. e vëzhgon dhe e shikon nga lart në çdo hap të tijin. Në ajetin që e lexuam në fillim të hutbes, Zoti thotë: “O ju që besuat! Përgjigjuni (thirrjes së) All-llahut dhe të Pejgamberit kur ai ju fton për atë që ju jep jetë (për t’iu përmbajtur fesë së drejtë) dhe ta dini se All-llahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij dhe se ju tek Ai do të tuboheni” El-Enfal:2).
E tani duke e ditur se All-llahu xh.sh. ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij, se në ditën e Gjykimit do të shpëtojë vetëm ai që te Zoti kthehet me zemër të pastër e të shëndoshë dhe se të zhdukur do të jenë ata që zemrat e tyre janë të ftohta kur përmendet All-llahu dhe fjala e tij, atëherë mbetet për ne të mendojmë se cilën rrugë dhe cilën zgjidhje e alternativë do t’ia ofrojmë vetvetes dhe zemrës sonë, atë që të çon në Xhennet apo atë që të çon në Xhennem.
Për këtë të vërtetë e fakt duhet menduar sidomos këtyre ditëve të agjërimit, kur po mundohemi ta shprehim bindjen dhe përkulshmërinë tonë ndaj Krijuesit se në çfarë mase dhe me çfarë sinqeriteti jemi duke i kryer këto ibadete e të ruhemi nga sëmundjet e ndryshme të zemrës për të cilat do të mundohemi të flasim në hutbet e javëve të ardhshme, insha’allah.
All-llahu na bëftë prej robërve të Tij të bindur e të dëgjueshëm e na shpërbleftë me të mirat e Tij, e sidomos me Xhennetul-Firdevsin. AMIN!