Printo!
Kategoria: Hutbet
Lexuar: 848 herë

 

DUKE E PËRCJELLË RAMAZANIN



 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Vëllezër të nderuar!

Ja sot është dita e 26 e muajit të bekuar të Ramazanit, kurse sonte është nata e madhe e Kadrit.

Ishte ky muaji për të cilin shumëkush e kishte gajle se si do ta fillojë e si do ta mbarojë me agjërim në gojë. Deshi Zoti që njerëzit të cilët e dëgjojnë dhe e respektojnë fjalën e Tij, ta kalojnë këtë muaj sikur të kishte zgjatur disa ditë të shkurtra, ngase besimtarin e drejtë e të vërtetë nuk e lodh ibadeti ndaj All-
llahut xh.sh., nuk e lodhin porositë dhe ndalesat e Tij dhe nuk bezdiset prej tyre, sepse ai është i vetëdijshëm se të gjitha këto porosi e ndalesa janë në favor të tijin, janë për të mirën e tij, prandaj edhe e sheh atë besimtar me kokë të ulur e të strukur në vetvete duke menduar se a thua do t’ia pranojë Zoti gjithë këto ibadete e përpjekje të tij që i ka bërë për ta fituar kënaqësinë e Zotit. Për besimtarët e këtillë dhe për ata që ngurruan dhe nuk iu bindën urdhrave të Tij, All-llahu xh.sh. në ajetet që i lexova në fillim të hutbes thotë: “A është i njëjtë ai që iu bind All-llahut dhe kërkoi kënaqësinë e Tij, si ai që tërhoqi kundër vetes hidhërimin e All-llahut dhe që e ardhmja e tij është Xhehennemi, që është përfundim shumë i keq? Ata kanë dallim tek All-llahu, e All-llahu sheh shumë mirë atë që ata punojnë” (Alu Imran:162-163).

Pra, a mund të barazohet ai që agjëroi, fali namaz dhe i çoi në vend urdhrat e Zotit me atë që nuk deshi të dëgjojë për këto urdhra dhe që nuk iu bind fare atyre? Jo, natyrisht se jo. Zoti nuk do ta tolerojë këtë mosbarazim, sepse kjo do të ishte një padrejtësi për ata që u munduan, që u përpoqën në rrugën e Zotit. Përderisa grupin e dëgjueshëm Zoti thotë se do ta shpërblejë me çmime të larta dhe ashtu siç di Ai vetë, për grupin e dytë që nuk i respektoi urdhrat dhe porositë e Zotit, paralajmëron se përfundimi i tyre në botën tjetër do të jetë shumë i trishtueshëm e i tmerrshëm, do të jetë Xhehennemi i ndezur flakë. E ata që nuk i binden Zotit, sikur nuk po i frikësohen këtij dënimi, pa le të shohim..! Le të shohim se si do ta përjetojnë këtë!

Në një ajet tjetër në Kur’an lidhur me të njëjtën temë All-
llahu xh. sh. thotë: “A mos do t’i barazojmë ata që besuan dhe bënë vepra të mira me ata që bënë shkatërrime në tokë? Apo do t’i konsiderojmë njësoj si ata që janë ruajtur prej të këqijave ashtu edhe ata që kanë qenë mëkatarë (gjunahqarë)?!” (Sad : 28).

Përderisa për të pabindurit e të padëgjueshmit Zoti premton dënim me Xhehennem e poshtërim në këtë dhe në botën tjetër, për besimtarët e drejtë që i plotësojnë disa kushte e që stolisen me disa virtyte të larta premton shpërblimin me Xhennet po edhe nder e nam në këtë dhe në botën tjetër. Pra janë do punë që shumë qartë i ka dëgjuar dhe kuptuar çdokush, mbetet vetëm të realizohen, ndaj dhe këtu lind përgjegjësia dhe dallimi midis njerëzve. All-
llahu xh.sh. thotë: “All-llahu bleu prej besimtarëve shpirtrat dhe pasurinë e tyre me Xhennet...(Xhennetlinj janë) edhe ata që pendohen, që sinqerisht bëjnë ibadet, që falënderojnë, që agjërojnë, që bien në ruqu e në sexhde, që urdhërojnë për të mira e ndalojnë nga të këqijat dhe ata që i ruajnë kufijtë (porositë) e All-llahut. Pra, përgëzoji (jepu myzhde) besimtarëve!” (et-Teuvbeh:111-112).

All-
llahu xh. sh. na bëftë prej këtij grupi njerëzish të përgëzuar me Xhennet e me shpëtim, e jo prej atyre për të cilët Pejgamberi a. s. është detyruar nga Xhebraili a.s. që tri herë të thotë “Amin!”. Kështu, Pejgamberi a.s. tregon se duke qenë një ditë ai në hutbe vjen Xhebraili a.s. dhe i thotë: ‘O Muhammed! Kush e mbërrin muajin e Ramazanit dhe i kalon pa iu falur gjunahet, Zoti e largoftë nga mëshira e Tij! Thuaj: Amin!’ Thash: ‘Amin!’. ‘O Muhammed! Kush i mbërrin të dy prindërit ose njërin prej tyre dhe nuk e shtyjnë në Xhennet (me shërbimin dhe respektin që duhet bërë ndaj tyre), Zoti e largoftë nga mëshira e Tij! Thuaj: Amin!’ Thash: ‘Amin!’. ‘O Muhammed! Kush nuk të përshëndet (nuk të çon selam e salavat) kur të përmendet emri yt, Zoti e largoftë prej mëshirës së Tij! Thuaj: Amin!’ Thash: ‘Amin!’.

All-
llahu na shpëtoftë e mos na largoftë kurrë prej mëshirës dhe dhembshurisë së Tij, e na shpërbleftë për përpjekjet që jemi duke i bërë për hir të Tijin! AMIN!