Printo!
Kategoria: Hutbet
Lexuar: 1035 herë

 

MOS LEJO TË TË MUNDIN GJËRAT E IMËTA!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 



 

„Nëse largoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat u janë të ndaluara, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm” (en-Nisa’:31).

Vëllezër të nderuar muslimanë!


Frika nga sendet dhe gjërat e mëdha njeriun shpesh herë e largon që të mos ballafaqohet me to. Kështu, secili njeri ka frikë të marrë një dozë të madhe të helmit, për shkak të rrezikut të qartë që mund të lindë prej ngrënies së tij. Mirëpo, ai nuk ia var veshin sa duhet, p.sh., marrjes së sasive më të vogla të helmit, të fshehura në disa ushqime apo enë të palara etj. Ndaj edhe shpesh herë atë e godet e njëjta sëmundje apo edhe vdekje si atë që e shkakton edhe sasia e madhe e helmit apo plumbi i armës.

Duke ua tërhequr vërejtjen njerëzve të ummetit të vet për kryerjen e gjunaheve të vogla nga frika se ato mund të grumbullohen e ta mbisundojnë atë, Pejgamberi a.s. i thërret muslimanët të kenë kujdes ndaj gjunaheve të vogla e t’u shmangen atyre sa më shumë që të jetë e mundur. Ai u thotë besimtarëve t’u largohen punëve me të cilat do ta kënaqin shejtanin, ashtu siç kënaqet ai me rënien e tyre në baltën e mëkatit. Ai thotë: “Shejtani e ka humbur shpresën se idhujt do të mund të adhurohen në tokat arabe, mirëpo ai do të jetë i kënaqur me punët që juve do t’ju duken të vogla e të imëta, kurse në Ahiret do t’ju çojnë në humbje!”.

Ne zakonisht ndeshemi me raste të rënda e të padurueshme në jetën tonë duke treguar një guxim e trimëri të rrallë e të paparë, kurse më vonë lëshohemi pas sendeve e punëve të imëta që ato të na sundojnë. Sa e sa luftëtarë kanë kaluar nëpër luftëra, kurse më në fund kanë vdekur për sende të kota e të parëndësishme?!

Pejgamberi a.s. këto punë ua ka sqaruar shokëve të vet në bazë të rrethanave të Arabisë. Kështu Sa’d bin Xhenadeh rrëfen se kur Pejgamberi a.s. është kthyer nga Hunejni, u mblodhëm në një vend të shkretë, e ai na tha: “Mblidhni...kush gjen diçka le ta sjellë! Kush gjen ndonjë dru apo degë le ta sjellë! Nuk kaloi as një orë bile, ne mblodhëm një turmë të madhe drurësh. Atëherë Muhammedi a.s. na tha: “E shihni këtë turmë?! Kështu mblidhen gjunahet te njeriu, siç i keni mbledhur ju këta drunj. Prandaj të keni frikë e drua All-
llahun për gjunahet e mëdha e të vogla që i bëni, sepse të gjitha ato shënohen e regjistrohen (nga ana e melekve)!”.

Secili njeri i mençur duhet të mbajë llogari për punët që i bën. Ndonjëherë nuk ua var veshin atyre për shkak se i duken të imëta, mirëpo të njëjtat mund ta çojnë në humbje. Ashtu siç e humbin njeriun gjunahet e vogla, po kështu atë e humb edhe ndonjë gabim i vogël pas të mirave të tjera që i ka bërë më parë. Është për të ardhur keq se disa njerëz e shikojnë vetëm atë anën negative, atë punën e vogël të keqe dhe në bazë të saj pastaj japin gjykime të mëdha për krejt sjelljet e tij duke i vlerësuar të gjitha si të këqija, duke i harruar me këtë rast të mirat tjera të mëdha e më të shumta që i ka bërë.

Duke marrë parasysh këtë, shumë njerëz e humbin harmoninë midis tyre vetëm për shkak të disa gabimeve të vogla, e humbin ndoshta edhe shokun e jetës për hiç gjëra. Një psikolog thotë: “Vërtet shumë imtësi në jetën bashkëshortore mund t’ua marrin mendtë bashkëshortëve dhe të shkaktojnë gjysmën e sëmundjeve të zemrës prej të cilave vuan sot e gjithë bota”. Kështu prononcohen edhe mjaft gjykatës botërorë: “Shumica e zënkave dhe e problemeve fillojnë nga sende të vogla e të parëndësishme, të cilat pastaj kallen flakë e shpërthejnë në probleme të mëdha e të pakrye”.

Ç’është ilaçi i kësaj?

Ta pastrojmë mirë pasqyrën e trurit që të mund ai t’i marrë realisht dhe ashtu siç janë fotografitë që paraqiten para saj, fotografi që nuk i ndot teprimi dhe që nuk i bastardon ëndja (qejfi). E pastaj të gjykojmë në bazë të atyre pamjeve të mëdha me një shikim më të gjerë, pa mos anuar në dëm të së vërtetës.

Zoti na begatoftë me një vetëdije të këtillë e na mundësoftë t’i shmangemi çdo gjunahi të madh e të vogël! AMIN!