Printo!
Kategoria: Muezinllëku
Lexuar: 41872 herë

 

Disa rregulla rreth ezanit dhe ikametit

 

 

 

 

1. Thirrja e ezanit për 5 kohët e namazit dhe të xhumasë është sunnet i fortë afër vaxhibit për meshkujt muslimanë. Ezani dhe ikameti ashtu siç janë sunnet për namazet e kohës, po ashtu janë sunnet edhe për namazet kaza. Sepse ezani dhe ikameti nuk janë sunnete të kohës, po të namazeve.

2. Nëse një person fal disa namaze kaza në vende të ndryshme, atëherë ai duhet të thërrasë ezan dhe ikamet për secilin namaz veç e veç. Mirëpo nëse disa namaze kaza i fal në një vend, atëherë sërish është më mirë që për secilin namaz kaza të thërrasë ezan dhe ikamet. Ndërkaq mundet edhe që ta thërrasë vetëm një ezan dhe për secilin namaz të bëjë ikamet veç e veç.

3. Ezani dhe ikameti të bëhen me fjalët si do t'i kemi sqaruar në faqet në vijim.

4. Për çdo namaz farz duhet (është sunnet i fortë) të thirret një ezan dhe të bëhet një ikamet. Vetëm në namazin e xhumasë ka dy ezane. Prandaj, nëse në një xhami apo në ndonjë vend tjetër është thirrur ezani dhe është bërë ikameti sipas rregullit dhe është falur namazi i kohës me xhemat, atëherë nëse më vonë aty vjen një grup njerëzish tjerë për ta falur namazin e asaj kohe me xhemat ose veç e veç, ata tanimë nuk duhet edhe një herë ta thërrasin ezanin dhe të bëjnë ikamet. Ata lidhen drejt në namaz. 

5. Për namazin e vitrit, të bajramit, të teravisë, të sunneteve dhe të nafileve nuk duhet as ezan as ikamet.

6. Për namazet farz që falen në shtëpi ose në natyrë, më mirë është të thirret edhe ezani edhe të bëhet 
ikameti. Mund të mjaftohemi edhe me vetëm ikamet, mirëpo është mekruh të mjaftohemi vetëm me ezan pa ikamet.

7. Nuk lejohet të thirret ezani akoma pa hyrë koha e namazit. Nëse eventualisht është thirrë para kohe, ai ezan duhet të përsëritet pasi të hyjë koha e namazit përkatës.

8. Është mirë të lihet një distancë kohore midis ezanit dhe 
ikametit. Kështu për shembull pasi të thirret ezani i akshamit, duhet lënë një hapësirë kohore aq sa të lexohen nja 3 ajete të shkurtra, e pastaj të bëhet ikameti. 

9. Nëse një person bën ikamet dhe pastaj ha, pi, lahet ose bën ndonjë punë tjetër para namazit, ai këtë ikamet duhet ta përsërisë. Nuk duhet të përsëritet 
ikameti nëse falësi i namazit apo imami gabon në namaz dhe duhet ta përsërisë namazin. 

10. Muezini duhet të jetë një person që i njeh mirë rregullat e fesë dhe të jetë njeri i devotshëm. Është mekruh që ezanin ta thërrasë një xhahil (që ka shumë pak njohuri rreth fesë) dhe një fasik (i prishur moralisht). 

11. Është mendub apo vaxhib të përsëritet ezani të cilin e ka kënduar i dehuri (pijaneci), i çmenduri, fëmija që nuk ka hyrë në bylyk (pubertet). Është mekruh, sipas një transmetimi, që ezanin ta thërrasë fëmija, qoftë të jetë edhe i mençur. 

12. Është mekruh që ezani të thirret ulur. Nuk është mekruh kjo nëse ezanin e thërret vetëm për vete, pra për namazin që do ta falë vetë.

13. Është mekruh të thërrasin ezan e të bëjnë ikamet këta persona: gruaja, i çmenduri dhe xhunubi (personi që duhet të marrë gusël). Ikameti i këtyre personave nuk duhet përsëritur, mirëpo ezani po. Është mekruh të bëjë ikamet personi që nuk ka abdest. 

14. Muezini duhet ta shikojë gjendjen e xhematit. Nëse xhemati kërkojnë që namazin ta falin në fillim të kohës së tij, atëherë muezini nuk duhet të presë ardhjen e të parit të katundit apo të mëhallës apo dikë tjetër...

15. Kur muezini e thërret ezanin duhet të qëndrojë në këmbë dhe të jetë i kthyer kah kibla. Kur të thotë: "Hajje ales-
salah" ("Ejani në namaz!"), kthehet pak kah ana e djathtë, kurse kur të thotë:"Hajje alel-felah" ("Ejani në shpëtim!"), kthehet pak nga ana e majtë. Kurse kur është në minare, sipas situatës, nga ana e djathtë rrotullohet drejt anës së majtë dhe e përfundon ezanin. Për të ndihmuar shtimin e zërit, muezini i fut në veshë majat e dy gishtave të tij.

16. Është mekruh që gjatë ikametit muezini ta pastrojë fytin e tij me të kollitur (tenehnuh), përveç kur duhet ta shtojë dhe zbukurojë zërin e tij. Është mekruh po ashtu që muezini të flasë midis ezanit dhe ikametit, bile nuk e merr as edhe selamin që ia jep dikush.

17. Përderisa thirret ezani, ata që e dëgjojnë duhet të heshtin dhe duhet t'i ndërpresin të gjitha bisedat tjera. Bile edhe ai që lexon Kur'an është më mirë ta ndërpresë leximin e Kur'anit dhe ta dëgjojë ezanin. Ndërkaq ai që lexon Kur'an (mukabele) në xhami, ai mund të vazhdojë leximin dhe të mos e dëgjojë ezanin. 

18. Personi i cili e dëgjon ezanin dhe ikametin, është mustehab t'i përsërisë fjalët që i këndon muezini. Përveç kur muezini të thotë: "Hajje ales-
salah" dhe "Hajje alel-felah", dëgjuesi në vend të këtyre fjalëve thotë: "La haule ve la kuvvete il-la bil-lahil alijjil adhim" , ndërsa kur në ezanin e sabahut muezini të thotë: "Es-
salatu hajrum minen neum" ("Namazi është më i mirë se gjumi"), dëgjuesi i ezanit duhet të thotë: "Sadekte ve berirte" ("E the të vërtetën dhe një fjalë të mirë") .

19. Gjatë faljes së namazit me xhemat, të gjithë pa përjashtim duhet t'i përsërisin të gjitha ato që i lexon muezini, si para namazit ashtu edhe pas namazit, pra me rastin e heqjes së tesbihëve (Shiko më poshtë "Dhikret pas namazit"). 

20. Secili musliman që e dëgjon ezanin, në fund të ezanit e lexon "Duanë e ezanit" (Shih më poshtë pas ezanit). Me këtë dua muslimani shpreson në shefatin (ndërmjetësimin) e Pejgamberit a.s. në Ahiret.

21. Ezani i akshamit thirret gjithnjë pak më shpejtë se ezanet e kohëve të tjera.