Printo!
Kategoria: Muezinllëku
Lexuar: 1689 herë

 

Disa njohuri të përgjithshme rreth ezanit dhe ikametit

 

 

 

 

Ezan (arab. edhan) nga aspekti gjuhësor do të thotë: "kumtim, informim", kurse ikamet do të thotë: "ngritje për namaz". Fjala muezin (arab. mu'edh-dhin) do të thotë: "njeriu apo personi i cili e thërret ezanin dhe bën ikametin".

Thirrja e ezanit dhe ikameti për namazet farz kanë mbështetje si në Kur'an ashtu edhe në sunnetin e Muhammedit a.s. Siç është e njohur, në fillim muslimanët nuk kishin një ezan apo ikamet të këtillë. Për një kohë ata thërrisnin: Es-
salate, es-salate! - Në namaz, në namaz! ose Es-salatu xhamiatun - Namazi tubon (njerëzit). Pra, namazi është një mjet i cili siguron tubimin dhe afrimin e muslimanëve brenda shoqërisë islame. 

Pasi Muhammedi a.s. dhe shokët e tij bënë hixhretin nga Mekka për në Medine, gjënë e parë që e bënë ishte ndërtimi i xhamisë fillimisht në Kuba, që sot njihet si Mesxhidi Kuba e pastaj edhe në Medine, e cila sot njihet me emrin Mesxhidi Nebevijj.  Muslimanët filluan që rregullisht të tubohen e ta falin namazin me xhemat. Me këtë rast Muhammedi a.s. filloi ta diskutojë me shokët e vetë çështjen e kumtimit të kohëve të namazit për njerëzit, që ata ta dinin saktë se kur hy koha e namazit dhe kur do falet me xhemat në xhami. Dikush propozoi t'i bihej kambanës, dikush propozoi t'i fryhej borisë... etj., çka u refuzuan si simbole të feve të tjera, më në fund, duke u mbështetur në një ëndërr të vërtetë që e kishin parë njësoj disa shokë të Muhammedit a.s. dhe duke u mbështetur edhe në frymëzim (shpallje) nga Zoti, filloi të thirrej ezani i formës se si thirret tash e 14 shekuj. Edhe atë, meqë të gjitha vendet ku jetojnë muslimanët dallojnë nga njëra-
tjetra nga aspekti kohor, nuk ka asnjë orë apo çast të njëzetekatërorëshit që në rruzullin tokësor të mos thirret ezani nga minaret e mrekullueshme të botës islame dhe të mos bëhet ikameti nëpër xhamitë madhështore, e kjo do të thotë edhe të mos falet namaz për Zotin. Çfarë detyre e shenjtë e thirrjes për në shpëtimin e Zotit është ajo e muezinit, çfarë da'veti i mrekullueshëm..!