Për herë të dytë…


Dua hatmeje e grave nga Kreuzlingeni
 

Më 15 maj 2011, e diel, pas namazit të drekës, në xhaminë tonë “Hëna e re” në Kreuzlingen u mbajt një program me rastin e përmbylljes së leximit të Kur’anit (hatmes) nga ana e katër grave në mësimin fetar të organizuar vetëm për gra të rritura pranë mektebit të xhamisë sonë, nën kujdesin e mualimes Ibadete Neziri.

Gratë që e përfunduan hatmen ishin: Hasibe Memeti (Amriswil), Hatije Asipi (Kreuzlingen), Sermijete Qazimi (Amriswil) dhe Arife Neziri (Wagenhausen).

Programi filloi me fjalën përshëndetëse të mualimes, e cila foli për vullnetin dhe suksesin e këtyre grave në mësimin e Kur’anit fisnik; për rëndësinë e mësimit të këtij Libri të shenjtë duke e mbështetur me ajete dhe hadithe të Pejgamberit a.s. si dhe për gatishmërinë e saj për të vazhduar me këtë mësim apo kurs edhe me të gjitha ato gra të tjera që kanë interesim për këtë.

Më pas gratë që kishin bërë hatmen e lexuan suren Jasin si dhe 10 suret e fundit të Kur’anit duke u përmbyllur me duanë e hatmes që u bë nga ana e mualimes.

Pastaj programi vazhdoi me ndarjen e diplomave si dhe të dhuratave nga ana e xhamisë për gratë që e kishin mbaruar hatmen.

Pas kësaj pike, fjalën e mori motra Razije Emini, e cila hatmen po në këtë xhami e kishte mbaruar vitin e kaluar, për të recituar një poezi kushtuar mësimit fetar islam në xhami dhe mualimes për punën që ajo e bën në këtë drejtim.

Më në fund, familjet e këtyre katër grave shtruan ushqim për mbi 150 gra të pranishme në këtë manifestim.

Më poshtë keni mundësinë t’i shikoni disa foto nga ky rast.