Printo!
Kategoria: Aktivitete
Lexuar: 988 herë

Për herë të parë…


Dua hatmeje e grave nga Kreuzlingeni
 


Më 27 qershor 2010, e diel, pas namazit të drekës, në xhaminë tonë “Hëna e re” në Kreuzlingen u mbajt një program me rastin e përmbylljes së leximit të Kur’anit (hatmes) nga ana e tri grave në mësimin fetar të organizuar vetëm për gra të rritura pranë mektebit të xhamisë sonë.

Mësimin fetar këto motra e filluan para dy vitesh dhe për një kohë rekorde ato arritën ta përfundojnë alfabetin arab (Elifbanë) si dhe leximin e tërë Kur’anit në gjuhën arabe, nën kujdesin e mualimes Ibadete Neziri.

Gratë që e përfunduan hatmen ishin: Zinepe Ziberi, Razije Emini dhe Haxhije Kastrati.

Programi filloi me fjalën përshëndetëse të mualimes, Ibadete Neziri, e cila pasi e falënderoi Zotin për arritjen e kësaj dite të madhe për të dhe për motrat që e përfunduan hatmen, shprehu kënaqësinë dhe gëzimin që e përjetonte ajo personalisht dhe të pranishmet me suksesin që motrat në fjalë e kishin treguar përgjatë dy viteve të kaluara. Më pas ajo citoi disa thënie të Muhammedit a.s. lidhur me rëndësinë e mësimit dhe këndimit të Kur’anit fisnik:

Muhammedi a.s. ka thënë: “Lexojeni Kur’anin, sepse ai në ditën e Gjykimit do të bëjë shefat (ndërmjetësim) për ata që e kanë lexuar atë në dunja”.

Në një hadith tjetër ai thotë: “Lexuesit të Kur’anit do t’i thuhet nesër në Ahiret: ‘Lexo dhe lartësohu e lartësohu. Lexo siç lexoje në dunja, sepse grada jote në Xhennet do të jetë aty ku do të ndalesh së lexuari ajetin e fundit të Kur’anit”.

Ai po ashtu e tregon vlerën e mësimit të Kur’anit dhe mësimin e të tjerëve me këtë lexim, kur thotë: “Më i miri prej jush (ose më e mira prej jush) është ai (apo ajo) që e mëson vetë Kur’anin dhe ua mëson të tjerëve”. 

Ibadeti e përmbylli fjalimin e saj me sa vijon: “Unë shpresoj se këto 3 motra sot janë ato që e kanë mësuar Kur’anin, Fjalën e bukur të Zotit, dhe se do të jenë të gatshme të njëjtin Kur’an t’ua mësojnë edhe të tjerave. E lus Zotin xh.sh. që këtyre motrave t’u japë shëndet e lumturi në dunja dhe ahiret dhe të vazhdojnë edhe më tutje me leximin e Kur’anit sa të jenë gjallë dhe të mundohen të jetojnë sipas rregullave të tij, me qëllim që ta arrijmë lumturinë në dunja dhe shpëtimin e xhennetin në ahiret.”

Në të njëjtën kohë, këtë mësim janë duke e ndjekur edhe katër motra të tjera: Hasibja, Hatija, Sermijeti dhe Arifja. Në ndërkohë janë lajmëruar edhe motra të tjera që dëshirojnë pas Ramazanit të fillojnë me të njëjtin mësim.

Programi vazhdoi me leximin e sures Jasin nga ana e përmbyllëseve të hatmes, këndimin e pjesëve të para të Mevludit nga ana e mualimes, leximin e 10 sureve të fundit të Kur’anit fisnik nga ana e hatmebërëseve, duanë e hatmes dhe shpërndarjen e diplomave e të dhuratave të xhamisë nga ana e mualimes dhe shtrimin e ushqimit për të pranishmet në kafeterinë e xhamisë nga ana e familjeve të tri motrave që kishin mbaruar hatmen.

Më poshtë keni mundësinë t’i shikoni disa foto nga ky manifestim.