Printo!
Kategoria: Aktivitete
Lexuar: 1710 herë

Më 21 mars 2009, pas namazit të akshamit, Bashkësia Islame Shqiptare “Hëna e re” dhe Forumi i të Rinjve Muslimanë nga Kreuzlingeni, për hir të ditëlindjes së Muhammedit a.s. organizuan një kuiz diturie për të rritur.


Kuizi i zhvillua në Qendrën Kulturore e Sportive “Dreispitz” të Kreuzlingenit, ku morën pjesë 14 garues e garuese, prej 20 të paraqiturve paraprakisht, nga rajoni i Zvicrës Lindore, kryesisht nga qyteti i Kreuzlingenit, Wilit dhe Weinfeldes.


Gara u zhvillua në gjuhën gjermane, ashtu siç ishte paraparë, ngase aty morën pjesë shqiptarë e turq, me 500 pyetje të ndryshme nga lëmenjtë e besimit islam, të së drejtës islame, historisë islame, historisë së përgjithshme, shkencave natyrore, politikës, letërsisë, kulturës së përgjithshme, sportit etj.


Udhëheqës i programit ishte mr. Bekim ef. Alimi, imam në qytetin e Wilit, i cili pasi e prezantoi rrjedhën e programit ia dha rastin imamit nga qyteti fqinj i Gjermanisë, Konstanza, z. Hajati Jelkovan, të këndojë disa ajete kur’anore. Pastaj me radhë ua dha fjalët përshëndetëse personaliteteve në vijim: kryetarit të xhamisë së Kreuzlingenit, z. Faredin Xhaferi; imamit të xhamisë shqiptare të Zürichut, z. Nebi ef. Rexhepi – i cili të pranishmit i përshëndeti në emër të imamëve shqiptarë të Zvicrës; përfaqësuesit nga xhamia turke e Bürglenit, Ulu Camii, z. Mustafa Saka; koordinatorit të Bashkësive Islame Shqiptare për Zvicër, haxhi Sali Bajrami si dhe kryetarit të Federatës së Lidhjeve të Bashkësive Islame në Zvicër (FIDS), njëkohësisht edhe kryetar i Lidhjes së Bashkësive Islame në Zvicrën Lindore dhe Principatën e Lichtensteinit (DIGO), Dr. Hisham Maizar.


Pas leximit të rregullave të kuizit nga ana e jurisë, në përbërje të Xhelal Qazimit – kryetar, Alivebi ef. Mediut – anëtar dhe Murat Yavaş – anëtar, filloi raundi i parë i garuesve.


Garuesit që morën pjesë në këtë kuiz ishin:

  1. Yasemin Özer - Kreuzlingen  
  2. Zulkufli Imeri - Kreuzlingen 
  3. Faruk Bağcı - Kreuzlingen 
  4. Irfan Ebibi - Kreuzlingen
  5. Xhihan Bajrami - Kreuzlingen
  6. Gjuljabije Amiti - Kreuzlingen
  7. Çavuş Saygılı - Weinfelden
  8. Erkam Dağlı - Bürglen 
  9. Ilir Zenuni - Wil
10. Tefik Osmani - Wil
11. Bajrame Osmani - Wil
12. Behar Zenuni - Wil
13. Nderim Iljazi - Wil
14. Sheyna Veliu - Wil

 

Pas raundit të dytë e të tretë, në finale mbetën: Yasemin Özer dhe Zulkufli Imeri, që të dy nga Kreuzlingeni. Pas një gare vërtet të nxehtë midis këtyre dy pjesëmarrësve, më në fund, me pyetje të veçanta për ta përfunduar kuizin, vendin e parë e zuri Zulkufli Imeri, të dytin Yasemin Özer dhe të tretin Gjuljabije Amiti.


Të gjithë garuesit, anëtarët e jurisë e udhëheqësi i programit morën nga një dhuratë simbolike e modeste, levha islame, nga ana e xhamisë, kurse fituesit e 3 vendeve të para morën këto çmime:


Vendi i parë, pos dhuratës nga xhamia, fitoi edhe 500 fr. zvicerane nga vetë pronari i agjencisë turistike “Durmo Tours”, z. Ismail Beluli.


i dytë, pos dhuratës nga xhamia, fitoi edhe 300 fr. zvicerane nga pronari i agjencisë turistike “Arsimi Company”, z. Harun Nuredini, dhe


i tretë, pos dhuratës nga xhamia, fitoi edhe 200 fr. zvicerane nga pronari i Mishtores “Ardival”, z. Samet Iseini.


Kulmi i entuziazmit dhe i atmosferës së ngrohtë vëllazërore islame ishte momenti kur fituesit e vendeve të para, çmimet që i fituan në këtë mbrëmje, që ishte meritë e plotë e tyre, u deklaruan se përmes ndonjë organizate humanitare do t’i dërgonin ndihmë për familjet e viktimizuara në Palestinë, për çka edhe morën një duartrokitje të madhe nga ana e publikut.


Ne, të gjithë pjesëmarrësve në kuiz, e në veçanti fituesve të vendeve të para, ua urojmë fitoren dhe u dëshirojmë të gjitha të mirat në jetë e në ahiret, u dëshirojmë sukses në shkollë, studime e në vendin e punës.


Kemi shpresën se këta dhe të tjerë të rinj muslimanë do të marrin pjesë në kuizin e vitit të ardhshëm që do të mbahet, insha’allah, po me rastin e ditëlindjes së Muhammedit a.s. dhe që parashihet të shtrihet në mbarë Zvicrën.


Mirënjohjet tona të përzemërta ua shprehim të gjithë sponsorëve, anëtarëve të jurisë, udhëheqësit të programit, udhëheqësve të xhamisë, e në veçanti anëtarëve të Forumit të të Rinjve Muslimanë, të cilët angazhuan shokët e miqtë e tyre, me qëllim që ky organizim të përfundonte me sukses.


Më poshtë mund të lexoni mbresat dhe mendimet e disa pjesëmarrësve të kuizit, si:


Xhelal Qazimi (kryetar jurie): “Për mua kjo ishte një nder i veçantë, njëkohësisht edhe një përgjegjësi e madhe, ngase u dashtë të merren vendime të vështira. Garuesit ishin shumë mirë të përgatitur. Nganjëherë ishim të detyruar ta tejkalonim kohën, që të mund t’i çonim në finale kandidatët vërtet më të mirë. Me këtë rast, edhe pse me vonesë, ne kërkojmë falje nga publiku për këtë. Shpresoj se ne me vendimet tona askujt nuk i kemi bërë padrejtësi dhe me këtë rast unë i falënderoj nga zemra koleget e mi të zellshëm për kontributin që dhanë.”


Imami Bekim ef. Alimi (udhëheqës programi): “Në këtë mbrëmje unë pata nderin ta udhëheq programin. Ajo çka në veçanti më la lënë përshtypje të papërshkrueshme ishte se ky ishte kuizi i parë islam në Zvicër që u zhvillua në gjuhën gjermane... Garuesit ishin shumë të përgatitur dhe nga ana tjetër publiku mbeti tepër i magjepsur. Me një fjalë, THJESHTË BUKUR!”.
Murat Yavaş (anëtar jurie): “Organizimi “Kuizi islam” ishte një sukses i plotë. Pjesëmarrja në organizim ishte falas (pa pagesë), por jo edhe e kotë. Pjesëmarrësit bashkë me shikuesit u dashtë të djersiten deri në fund të programit.


Me këtë rast, si anëtar jurie, dëshiroj t’i falënderoj përzemërsisht të gjithë organizatorët, sponsorët, kolegët si dhe të gjithë ndihmësit, të cilët me mbështetjen, angazhimin dhe ekspertizën e tyre kontribuuan që ky organizim të dilte i suksesshëm dhe i paharrueshëm! – Shumë ju faleminderit!”. 


Zulkufli Imeri (fitues i vendit të parë): “Për xhaminë dhe për mua ky kuis para së gjithash ishte një përvojë e re. Unë jam i mahnitur dhe njëkohësisht i gëzuar, ngase ky kuiz u mbajt në gjuhën gjermane. Përgjithësisht mbizotëroi një atmosferë e ngrohtë, atmosferë argëtimi dhe atraktiviteti”.


Yasemin Özer (fituese e vendit të dytë): “1’400 të vdekur, 5’500 të lënduar, ndër të cilët 1’890 fëmijë, gra pa burra dhe fëmijë pa prindër... Ummeti islam bën dua për Gazën dhe i bojkoton prodhimet izraelite si: marlboro, Coca-Cola, Fanta, Sprite, Mc Donalds, Nestle, L’Oreal, Maggi, Kit Kat, Vittel... Anekënd botës u organizuan demonstrata kundër Izraelit. Në fakt, në vepër nuk ndodhi asgjë, ndërsa bota vetëm po e shikonte masakrën. Situata në Gaza duket e qetësuar, kështu mendojmë ne. Mirëpo kjo nuk përputhet me realitetin, ngase ky vend akoma gjendet nën embargon izraelite.


Për të mos mbetur vetëm si shikues të kësaj që po ndodh atje, kam menduar se çfarë unë mund të kontribuoj. Gjatë kësaj kohe mora vesh për organizimin e kuizit islam. Nuk desha të lejoj që ky rast të më ikë, andaj edhe aplikova të marr pjesë. Synimi im ishte, që paratë që mund të fitoheshin nga ky kuiz, t’i dërgoja për në Gaza. El-hamdu lil-lah, këtë e arritëm. Them e arritëm, sepse edhe vëllai Zulkufliu vendosi që çmimin të cilin e fitoi, ta dhuronte për nevojtarët. Unë e falënderoj përzemërsisht atë për këtë vendim të mrekullueshëm të tijin (All-llahu xh.sh. e shpërbleftë me më të mirat e Tij! Amin!). Një falënderim nga zemra ua dërgoj edhe publikut dhe organizatorëve të këtij kuizi. Shikuar nga prapa, kjo për mua ishte një natë e bukur, e mrekullueshme dhe tepër tërheqëse...”.


Gjuljabije Amiti (fituese e vendit të tretë): “Duhet investuar shumë kohë dhe duhet pasur ambicie të mëdha për t’i mësuar të gjitha 500 pyetjet. Edhe pse ky quhej kuiz islam, mua më erdhi mirë që aty nuk pati pyetje vetëm nga Islami, porse edhe nga fusha të ndryshme si politika, fetë tjera, shkencat natyrore etj. Nëpërmjet temave të ndryshme mësohen shumë sende të reja”.


Irfan Ebibi (garues në kuiz): „Të marrësh pjesë në një kuiz të këtillë do të thotë njëkohësisht të mësosh shumëçka të re. Po e citoj Francis Baconin: „Dija është fuqi“.“



Më poshtë mund t'i shikoni disa foto nga kjo mbrëmje: