Printo!
Kategoria: Aktivitete
Lexuar: 1069 herë

 

 

 

Fjalimi i Reis ul Ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepi me rastin e inaugurimit
të xhamisë “Hëna e Re" në Kreuzlingen të Zvicrës

 

Bismil-lahir-rahmanir-rahim. I nderuari kryetar i kësaj qendre islame në këtë vend, i respektuari imam i këtij xhemati në këtë vend, të nderuar kolegë që ndodheni së bashku në këtë vend, më i dashuri xhemat, më lejoni që në emrin tim dhe në emrin e Bashkësisë Islame të R. së Maqedonisë t’ju përshëndes edhe një herë me përshëndetjen absolute islame e cila predikon paqe, qetësi dhe perspektivë në shoqërinë njerëzore: es-selamu alejkum ve rahmetulla. 

Me të vërtetë në këtë ditë gjendemi në këtë vend këtu, konkretisht në këtë bejtullah ku bashkërisht e përjetojmë gëzimin tonë të përbashkët në rezultatet e arritura rreth riparimit të këtij tempulli të shenjtë.

E vërtetë e madhe e pamohueshme të cilën e dëshmon Kurani Famëlartë është ajo se xhamitë i ndërtojnë, xhamitë i meremetojnë dhe i riparojnë vetëm ata që kanë iman të paluhatshëm në Allahun Fuqiplotë, ata të cilët me dinjitet të plotë i kanë besuar dhe i besojnë Muhamedit a.s., ata të cilët fare nuk kanë pozicion dyshimi në shpirtin e tyre për çështjen e besimit në jetën e përhershme, ata të cilët e falin namazin me bindje, ata të cilët e japin zeqatin me kënaqësi, janë kategori e njerëzve të cilët askujt nuk i përkulen dhe askujt nuk i frikohen, vetëm madhërisë së Zotit i nënshtrohen dhe ata janë në rrugën e drejtë.

Rruga e tyre është rruga e perspektivës, jetojnë me nder në jetën e kësaj bote dhe ndjehen të lumtur e të avancuar në jetën e përhershme. Prandaj kënaqësi e madhe e jona është sot që jemi këtu me ju dhe në mesin tuaj që na e keni afruar këtë kënaqësi me riparimin dhe përvetësimin e këtij objekti, të këtij tempulli të shenjtë, dhe dua të theksoj se me të vërtetë është kënaqësi e madhe t’i kalosh disa çaste me besimtarët e këtij tipi, këtij lloji të cilët praktikisht nuk ka nevojë askush t’i proklamon, por praktikisht demonstrojnë imanin e paluhatshëm në Allahun fuqiplotë.

Pra, vëllezër të dashur, urime të përzemërta dhe dhëntë Zoti që këtë tempull të shenjtë dhe shumë objekte të këtij karakteri të hapen, të funksionojnë dhe të jenë në shërbimin e popullatës tonë dhe të jenë në shërbim të shoqërisë njerëzore në tërësi. Sepse në xhami, ashtu siç u potencua, adhurohet vetëm Allahu Fuqiplotë, në xhami demonstrohet realiteti i Islamit, në xhami edukohen brezat e ardhshëm, në xhami edukohet ardhmëria dhe perspektiva e popullit musliman e umetit të Muhammedit s.a.v.s.

Prandaj, gjithashtu kam obligim që duhet të prononcohet me kënaqësinë time të posaçme që ndjej kur në mesin tonë është prezent prefekti i këtij vendi, kur në mesin tonë janë subjekte të ndryshme prezent që merren me edukimin dhe ardhmërinë e gjeneratave të ardhshme.

Të nderuar vëllezër, ky vend ka dëshmuar që është një shtet demokratik me plot kuptimin e fjalës. Këtu në Zvicër siç e dini ju mirë, janë hapur rreth 60 qendra. Kemi hapur 60 xhami ku predikohet kultura islame, falë mirëkuptimit të këtij shteti. Regjimi demokratik i këtij shteti ka lejuar që muslimanët tanë të mos ndjehen të vetmuar, mos të ndjehen të rrezikuar, por të ndjehen si me jetuar në vendlindje.

Ne si bashkësi Islame në Republikën e Maqedonisë dhe institucionet fetare i janë mirënjohës Qeverisë Zvicerane dhe regjimit demokratik të këtij vendi, por kam bindje se edhe ju gjithashtu i jeni mirënjohës. Nga ana tjetër, u theksua se ne vijmë nga Maqedonia, vijmë nga Kosova, por sidoqoftë, tash janë proceset ku shtetet tona qoftë Maqedonia, qoftë gjitha shtetet tjera, një ndër ta edhe shteti më i ri i botës - Kosova, bëjmë përpjekje që të integrohemi si në NATO ashtu edhe në Bashkimin Evropian.

Prandaj, BIM-i mburret dhe krenohet që ne kah moti kemi hyrë në Bashkimin Evropian, por ka mbetur vetëm bashkësia shoqëroro-politike ende pa u inkuadruar, që do të thotë Shteti i Maqedonisë. Përndryshe ne si Bashkësi Islame përmes jush, përmes qendrave tona, përmes popullit tonë që e kemi në diasporë, këtu në Zvicër dhe në shtetet tjera të Evropës, ne vetëm jemi kah moti në Evropë.

Prandaj, jemi tepër të kënaqur, të lumtur dhe krenarë që kemi arritur të hasim në mirëkuptim në të gjitha shtetet demokratike të Evropës. Ata na kanë mirëkuptuar, na kanë ndihmuar dhe ato janë së bashku me ne. Prandaj të mirat e Islamit vetëm duhet t’i kultivojmë, të mirat e Islamit vetëm duhet t’i demonstrojmë dhe ta mbrojmë fenë tonë me veprimet tona praktike, sepse shpesh herë ata të cilët nuk e njohin Islamin në aspektin tonë, e identifikojnë Islamin me sjelljet tona praktike. Shpeshherë veprimi ynë praktik dhe realiteti i Islamit nuk kanë asgjë të ngjashme.

Një ndër ato dukuri negative prej të cilave shqetësohet bota, frikohet bota me plot të drejtë, janë sjelljet barbare, radikale, terroriste të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me Islamin. Islami që nga fillimi jo vetëm që i ka demantuar, por i ka çrrënjosur me fundamentet e veta. Prandaj, vëllezër të nderuar, më lejoni edhe një herë t’ju përgëzoj duke e përsërit fjalën e të madhit Muhamed a.s. i cili thoshte: “Ç’do kush që merr pjesë sadopak në ndërtimin, rrumbullakësimin e një tempulli të shenjtë siç janë xhamitë, le ta dijë se si kundërshpërblim në jetën e amshueshme do të kenë pallate në xhenet”.

Pra, Zoti të gjithë atyre që morën pjesë në përfundimin e punëve në këtë tempull të shenjtë Allahu fuqiplotë i shpërbleftë me të mirat e Tij nga thesari i Tij i pashtershëm, me kënaqësitë më të mëdha të cilat ndoshta nuk jemi në gjendje t’i kuptojmë dhe t’i përjetojmë a që i ka madhëria e Tij, pra një ndër to janë edhe pallatet në xhenet.

Pra edhe një herë ju përgëzoj për gjithë këtë punë dhe ju them se Bashkësia Islame e Maqedonisë gjithmonë do të jetë në përkrahjen tuaj dhe në shërbim të popullit, sepse nuk kemi mandat që ndryshe të sillemi dhe ndryshe të veprojmë. Zoti ju shpërbleftë, Allahu i Plotfuqishëm ju bekoftë. Ves-selam alejkum ve rahmetullahi ve berakatuhu.



12 prill 2008

Kreuzlingen, Zvicër