Printo!
Kategoria: Aktivitete
Lexuar: 201 herë

 

Më 7 tetor 2018, pas namazit të drekës, xhamia jonë organizoi një program të veçantë për promovimin e dy veprave të fundit të imamit tonë, mr. Rejhan ef. Neziri.

Të pranishëm ishin ish kryetari i Kuvendit të BFI të RM, Haki ef. Agushi, imami i xhamisë shqiptare të Frauenfeldit, Sami ef. Misimi, deputeti në parlamentin e kantonit Thurgau, z. Alban Imeri, anëtarë të Qendrës Shqiptare për Kulturë dhe Integrim „Besa“ në Kreuzlingen me kryetarin e saj, z. Tomë Berisha, miq e dashamirë të shumtë ...

Pas një prezantimi të shkurtër të veprave të botuara më herët dhe ato që pritet të botohen së shpejti të autorit R. Neziri, për librin e parë „Për një familje të lumtur islame“ referuan kryetarja e Forumit të Grave Muslimane pranë xhamisë sonë znj. Zulkeflije Nuredini dhe sekretarja znj. Mujasere Imeri-Cana, ndërkaq për librin e dytë „Të jesh musliman në Zvicër - përsiatje teologjike dhe sociologjike“ referuan dr. Mahi Latifi dhe Xhelal Qazimi.

Me nga një fjalë përshëndetëse u prezantuan imami Haki ef. Agushi si dhe deputeti z. Alban Imeri.

Në fund, kryetari i xhamisë Faredin Xhaferi, pasi e çmoi lartë kontributin dhe angazhimin e imamit Neziri, i falënderoi të gjithë të pranishmit për prezencën si dhe referuesit për vlerësimet e tyre rreth veprave në fjalë, të cilëve edhe u ndau nga një dhuratë modeste.

Le të kujtojmë se botimin e këtyre veprave e ka mundësuar xhamia jonë. Ngelim me shpresën për vepra të tjera të imamit tonë.

Falënderojmë të gjithë anëtarët e kryesisë së xhamisë, të Forumit të Grave si dhe të Forumit të të Rinjve pranë xhamisë sonë për angazhimin e pakursyer të tyre.

Mirë u takofshim në raste të tjera!

 

P.S.:
Librat mund t‘i blini te xhamia jonë ose te shitorja PEP në Kreuzlingen si dhe së shpejti edhe në xhamitë tjera shqiptare në Zvicër.