Printo!
Kategoria: Aktivitete
Lexuar: 747 herë

 

 

Më 5 shkurt 2017, për herë të katërt, tanimë në mënyrë tradicionale, Xhamia “Hëna e re” nga Kreuzlingeni organizoi koncertin islam me këndim Kur’ani, ilahije, recitime, humor, lojë shpërblyese për fëmijë etj.

Koncerti filloi me këndim Kur’ani nga zëëmbli Enis Alili nga Winterthuri.

Më pas të pranishmit i përshëndeti kryetari i xhamisë “Hëna e re”, Faredin Xhaferi, i cili i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe në veçanti i falënderoi sponsorët të cilët në vazhdimësi i mbështesin materialisht aktivitetet e xhamisë. Një falënderim të veçantë kryetari  Xhaferi i shprehu edhe imamit të xhamisë mr. Rejhan ef. Nezirit. Fjalimin e tij mund ta ndiqni këtu.

Fjalë përshëndetëse dhe një njoftim për aktivitetet njëvjeçare pati kryetarja e Forumit të Grave Muslimane pranë xhamisë “Hëna e re” në Kreuzlingen, znj. Zulkeflije Nuredini. Fjalimin e saj mund ta ndiqni duke klikuar këtu.

Fjalë përshëndetëse patën edhe kryetari i DIGO-s mr. Bekim ef. Alimi si dhe sekretari i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, hafiz Mehas ef. Alija, të cilët shprehën kënaqësinë për organizimet e këtilla dhe mirënjohje për bashkëpunimin me këto organizata islame në nivel regjional apo kombëtar zviceran.

Fjalë përshëndetëse pati edhe drejtori i sektorit për Diasporën pranë Bashkësisë Fetare Islame të RM, Dr. Selver ef. Xhemaili, i cili në emër të organeve më të larta të Bashkësisë Islame të Maqedonisë i përshëndeti të pranishmit duke i falënderuar dhe duke u shprehur mirënjohje për organizimin e jetës fetare në diasporë. Dr. Xhemaili mes tjerash theksoi: “Prezenca juaj në mënyrë masovike në këtë manifestim dëshmon qartë se ju, në mënyrë të sinqertë jeni duke i kultivuar elementet bazike të identitetit fetar dhe kombëtar. Njëkohësisht ky aktivitet në të cilin do të prezantohen zëshëm ndjenjat e brendshme estetike, gjithashtu vërteton thënien e të Dërguarit të Allahut që thotë “Njeriu është bashkë me atë që e do”, do të thotë ju jeni këtu ngase e doni dhe e respektoni të shenjtën, hyjnoren dhe dimensionin estetik të fesë. Andaj kudo që të ndodhemi kemi nevojë që t’i prezantojmë këto vlera të bukura fetare për të dëshmuar se ne frymëzohemi nga burime të larta hyjnore. Uroj që këto aktivitete të jenë të vazhdueshme.”

Mysafirë të veçantë në koncertin e sivjetmë ishin vëllezërit Sabaatin dhe Xhemail Nuhiju dhe vëllezërit Nusret e Mevlan Kurtishi, që të katërt nga Shkupi. Ata me zërin dhe aftësitë e tyre i mahnitën të pranishmit me këndim Kur’ani dhe të ilahijeve të përshpirtshme islame.

Bashkë me këta artistë të mëdhenj, në ilahijet e tyre i përcolli edhe Enis Alili si dhe korri i nxënësve të mektebit të xhamisë “Hëna e re” në Kreuzlingen, nën udhëheqjen e mual-limit Rejhan Neziri.

Në koncertin e xhamisë “Hëna e re” me këngën e alfabetit si dhe me fjalë të urta e recitime morën pjesë edhe nxënësit e shkollës për mësim plotësues të gjuhës shqipe nga Kreuzlingeni me kryetaren e LAPSH-it në Kreuzlingen, znj. Laura Sulejmani.

Për disponim të publikut me pikat humoristike të tij u kujdes aktori i madh nga Tetova Burhan Amiti, i cili me humorin e tij karakteristik tetovar i lidhi sidomos më të rinjtë edhe një herë më fuqishëm me vendlindjen. Ai u kujdes edhe për lojën shpërblyes me fëmijët që ishin pjesëmarrës në koncert si pjesë e publikut mbi afro 600 persona, sa nxinte salla për sport dhe kulturë “Dreispitz” e qytetit të Kreuzlingenit.

Pjesën e dytë të koncertit e karakterizoi ligjërata e magjistres së juridikut Lejla Medii-Dauti, e cila foli në temën “Roli i femrës në shoqërinë muslimane sot”. Ajo, duke u mbështetur në rolin aktiv që Islami ia njeh femrës si dhe në shumë të dhëna nga historia e begatë islame në këtë drejtim, ajo hodhi dritë mbi pritshmëritë e shoqërisë moderne ndaj femrës muslimane në të gjitha fushat e jetës.

Në fund, kryesia e xhamisë ndau mirënjohje për mysafirët e ardhur nga vendlindja, për personalitetet e larta nga Zvicra si dhe për afaristët e shumtë të cilët gjithmonë e mbështesin xhaminë “Hëna e re” në të gjitha aktivitetet e saj.