Më 23 janar 2016, pas namazit të jacisë, patëm rastin që ligjërues në xhaminë tonë në Kreuzlingen ta kemi Dr. Naim Alilin, dentist i diplomuar dhe doktor i stomatologjisë.
Tema e ligjëratës ishte: "Misvaku në Islam dhe në shkencë".
Temën rreth misvakut ai e ka pasur edhe punim doktorature në Universitetin e Baselit.
Në fjalën hyrëse të takimit, imami i xhamisë Rejhan ef. Neziri, pasi foli për rëndësinë e pastrimit në Islam, ai citoi edhe disa hadithe të Muhammedit a.s. rreth përdorimit të misvakut, duke theksuar se me këtë rast Muhammedi a.s. e ka preferuar misvakun si mjetin më të efektshëm atëherë dhe në ato vende për pastrimin e dhëmbëve. Këtu më me rëndësi është pastërtia dhe ruajtja e shëndetit sesa mjeti pastrues.
Më pastaj fjalën e mori ligjëruesi Dr. Naimi.
Në fillim ai foli rreth anatomisë së dhëmbëve, pastaj rreth sëmundjeve më kryesore të tyre.
Më pas foli për misvakun dhe ndikimin antibakterial dhe antifungal të tij, në bazë të rezultateve të studimit që ai ka bërë në universitet.
Duke qenë se misvaku përmban mjaft lëndë të dobishme për dhëmbët, me kalimin e kohës pas prerjes nga druri Arak, ai i humb këto komponente, andaj edhe efektin, sidomos nëse transportohet i ambalazhuar në vende të largëta. Pikërisht nga kjo arsye edhe është porosia e WHO-se (Organizatës Botërore të Shëndetësisë) që misvaku preferohet të përdoret më shumë se brusha dhe pasta e dhëmbëve në viset ku ky dru rritet, ndërkaq në vendet tjera jo, pasi me kalimin e kohës dhe përmes transportit e humb efektin që e ka si i freskët në vendet ku rritet.
Në fund, si zakonisht, nuk munguan as pyetjet dhe diskutimi rreth temës në fjalë sidomos në mes të ligjeruesit dhe 3 teknikëve të dhëmbëve që ishin të pranishëm, të gjithë shqiptarë të rinj të arsimuar e të rritur këtu në Zvicër, që edhe një herë e nxori në shesh angazhimin dhe orientimin e të rinjve tanë drejt studimit dhe zhvillimit të tyre të mëtutjeshëm në shoqërinë ku jetojnë ...