Printo!
Kategoria: Aktivitete
Lexuar: 4238 herë

Më 29 nëntor 2014 pas namazit të jacisë ne xhaminë shqiptare “Hëna e re” në Kreuzlingen u zhvillua një tribunë islame me temë “Borxhet me kamatë/interes në Perëndim”. Ligjërues ishte Dr. Bashkim ef. Aliu, imam në Wetzikon të Zvicrës.

Pas një prezantimi të shkurtër të ligjëruesit dhe shprehjes së mirëseardhjes që imami nikoqir Rejhan Neziri ua bëri të pranishmëve, rasti iu dha ligjëruesit, i cili në vitet e fundit të angazhimit të tij intelektual është fokusuar në ekonominë islame dhe në veçanti në financat islame.

Ligjëruesi fillimisht foli për rëndësinë e marrjes në konsideratë, nga ana e së drejtës islame, e ndryshimit të rrethanave që ndodhin në kohë dhe vende të ndryshme. Kështu ai foli për rastet përjashtuese të ndalesave islame, harameve, në raste kur vihet në rrezik jeta e njeriut, siç është konsumimi i alkoolit apo i mishit të derrit në masë të caktuar për të shpëtuar jetën.

Ai foli edhe për ndarjen e nevojave njerëzore në: të domosdoshme ose elementare (darurat), të nevojshme (haxhijat) dhe jo të nevojshme ose luksoze (tahsinijat).

Pastaj bëri ndarjen e haramit në: li dhatihi (në vetvete) dhe li gajrihi (për shkak të ndonjë arsyeje tjetër). Në këtë kontekst ai u shpreh se nevojat e domosdoshme dhe elementare e arsyetojnë dhe e ligjërojnë përjashtimin e ndalesave në vetvete, kurse nevojat/kërkesat e nevojshme (haxhijat) e arsyetojnë përjashtimin e ndalesave sipas ndonjë rrethane tjetër.

Nga kjo ndarje del në pah edhe çështja e borxheve me kamatë/interes apo e kredive që ofrojnë bankat konvencionale këtu në Perëndim. Meqë këtu nuk kemi banka ose institute financiare që veprojnë sipas parimeve të së drejtës islame, pra rrethanat shoqërore, ekonomike dhe politike janë krejt ndryshe nga një ambient islam, parashtrohet pyetja e marrjes së kredive nga këto banka apo institute për nevojat e ndryshme njerëzore.

Me këtë rast ai i elaboroi mendimet e ndryshme të dijetarëve islam, konkretisht p.sh. për blerjen e shtëpive me kredi që përmbajnë kamatë/interes. Nga njëra anë kemi një numër të madhe të dijetarëve që janë deklaruar dhe deklarohen akoma edhe sot e kësaj dite kundër përdorimit të kredive të këtilla, këta janë dijetarët që jetojnë në vende dhe ambiente islame, dhe kemi një numër shumë të vogël të dijetarëve që e lejojnë këtë. Ndërkaq nuk është i vogël numri i dijetarëve islamë, të cilët i vijnë nga vise të ndryshme të botës dhe i njohin mirë rrethanat e muslimanëve që jetojnë në Perëndim, dhe të cilët duke i marrë parasysh edhe argumentet fetare po edhe rrethanat e muslimanëve që jetojnë në Perëndim, japin një mendim paksa të ndërmjetëm. E këtillë është, sipas ligjëruesit, Akademia Evropiane për Fetva dhe Gjurmime, e cila është e fokusuar në problemet e muslimanëve që jetojnë kryesisht në Evropë. Sipas tyre, në rastin konkret blerja e shtëpive me kredi nga bankat konvencionale, duhet të trajtohet në pikat në vijim: fillimisht nuk duhet të kihet dyshim se kamata është haram, ajo është e argumentuar me ajete kur’anore dhe me hadithe të Muhammedit a.s.. Së dyti, muslimanët duhet të mundohen të gjejnë alternativa të tjera të mundshme që përputhen me normat juridike të Islamit. Së treti, forumet dhe autoritetet e ndryshme islame në Evropë duhet t’i kontaktojnë bankat konvencionale për mundësitë e ndryshme që do të mund ato t’ua ofronin muslimanëve, pra hapjen e sektorëve të ndryshëm nëpër këto banka enkas për muslimanët. Së katërti, nëse asnjëra prej këtyre nuk është e mundur, atëherë nuk ka problem zbatimi i kësaj metode, pra kredisë me kamatë nga bankat ekzistuese për blerjen e shtëpisë, me kusht që kjo shtëpi të jetë e vetmja e tij dhe të mos i blejë për tregti, sepse vlen rregulli “Ajo që është e lejuar për shkak të domosdoshmërisë mbetet në kufijtë e të domosdoshmes”.

Ligjëruesi preku shkurtimisht edhe tema të tjera që kanë të bëjnë me financat islame ku mund të vjen në pyetje çështja e kamatës, siç është për shembull Leasingu, sigurimet e ndryshme të pensionit apo ai jetësor.

Pyetje rreth këtyre temave e të ngjashme me to erdhën e edhe nga të pranishmit në xhami, të cilave Dr. Bashkim Aliu iu përgjigj me kompetencën e duhur.