Profesor Taip Kasami është i lindur në fshatin Reçicë e Madhe të Tetovës në vitin 1949, fëmijë i mësuesit të historisë Halim Kasamit. Në fshat e mbaron shkollën fillore, kurse në Tetovë gjimnazin e përgjithshëm. Më pastaj vazhdon studimet në Universitetin e Prishtinës ku mbaron Fakultetin e Matematikës.

Pasi mbaron studimet kthehet në vendlindje ku për disa vite me radhë punon si mësues në shkollat fillore të fshatit Buzofcë, Pirok dhe Reçicë e Madhe si dhe Pallçisht.

Në vitin 1982, për shkak të angazhimit të vëllezërve të tij në kauzën shqiptare për Kosovën, ai suspendohet nga puna, kurse babai i tij, mësuesi i historisë, caktohet të punojë si kuzhinier shkolle, pas çka edhe ai detyrohet ta braktisë mësimdhënien.

Pas pesë viteve të vështira pa punë, profesor Taipi ia mësyn gurbetit dhe vjen në Zvicër në vitin 1987. Në 12 vitet e para ai punon në bujqësi, kurse më pas kalon në gastronomi dhe hotelieri në fshatrat Tägerwilen dhe Gottlieben deri në pension, nëntor 2014.

Përgjatë këtyre viteve ai, përveç punës së tij profesionale, është angazhuar edhe për shumë çështje të ndryshme kulturore, sportive e humanitare. Kështu deri sa ka qenë në vendlindje, ai ka qenë ndër themeluesit e më pastaj një kohë të gjatë edhe kryetar i Klubit të Futbollit “Reçica” në Reçicë. Pas ardhjes në Zvicër, ai shërben vite me radhë si kryetar i Klubit Kulturor-Artistik “Skënderbeu” në Kreuzlingen, ku kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh kulturore, sportive, humanitare po edhe politike të popullit shqiptar. Profesor Taipi ka qenë për një kohë të gjatë edhe kryetar i Shoqatës “Reçica” në Zvicër, shoqatë kjo e cila ka qenë e fokusuar në aspektin humanitar për fshatin e tij të lindjes.

Më 28 nëntor 2014 para namazit të xhumasë në xhaminë e Kreuzlingenit, imami i kësaj xhamie Rejhan Neziri i njoftoi të pranishmit për kthimin përfundimtar të profesorit në vendlindje, pas shumë viteve punë e heka. Ai kthehet si i pensionuar i plotë te familja e tij të cilën nuk e ka pasur me vete në Zvicër si dhe te shokët dhe miqtë e tij të shkollës e të mësuesisë me të cilët ai ka kultivuar marrëdhënie dhe kontakte të vazhdueshme. Tek ai vërehet edhe gëzimi që po kthehet përfundimisht në vendlindje, vendit të cilit i takon, po edhe mërzia që po i braktis njerëzit me të cilët ka kaluar plotë 27 vite. Imami, në emër të kryesisë së xhamisë i ndanë profesorit një libër si mirënjohje për kontributin që profesori ia ka dhënë xhamisë shqiptare këtu dhe për mbështetjen e aktiviteteve që ka zhvilluar ajo.

Me lot në sy, të përzier me gëzim e mërzi, ai kërkon hallallëk nga xhemati i xhamisë ku ka qenë i lidhur me vite të tëra, respektivisht që nga themelimi i saj para 22 vitesh.

Xhemati i xhamisë, katundarët e tij që jetojnë në Zvicër si dhe të gjithë shqiptarët e Kreuzlingenit dhe rrethinës, ia bëjnë hallall dhe në fytyrat e tyre vërehet një ndjenjë e përzier nëse do t’u vijë radha edhe atyre një ditë të kthehen në vendlindje, po kur të vijë dita e daljes në pension do të kthehen edhe këta si profesor Taipi apo do të detyrohen të vazhdojnë të jetojnë e të plaken këtu në gurbet pranë fëmijëve e nipërve e mbesave të tyre ... E pra, jo secili do të mund ta përjetojë atë që e përjeton sot profesor Taip Kasami.

Shëndet e jetë të begatë, plot muhabet, miqësi e dashuri, profesori i nderuar Taip Kasami.

 

Imami i Kreuzlingenit

Mr. Rejhan Neziri