Më 2 mars 2008 për xhematin e Kreuzlingenit ishte një ditë e veçantë, ditë feste, ngase atë ditë u kurorëzua puna pesëmujore e mjeshtërve tanë të shkathtë në rinovimin e objektit të blerë për xhami.

Që nga 1 tetori 2007 e deri më 1 mars 2008, këta dashamirë të xhamisë e të fesë, përjashtuar të dielat, kanë punuar për çdo ditë të Zotit, duke sakrifikuar vetveten, familjen e miqtë e tyre, vetëm e vetëm t'i përfundojnë punët që i kishin filluar te kjo xhami.

All-llahu qoftë i kënaqur me punën e kontributin e tyre dhe i shpërbleftë me Xhennetul-Firdeus!
 

* * *

Aty kah ora 12:15 minuta (2 mars '08), imami i xhamisë bashkë me të pranishmit e shumtë e bënë një dua me rastin e hapjes së xhamisë së re dhe deri në namazin e drekës e vizituan këtë objekt të ri mahnitës, ku do t'i bëhet ibadet All-llahut xh.sh., do të mësohet feja e Zotit dhe ku do të qahen dertet e muslimanëve të këtushëm.

Pak para namazit kryetari i xhamisë Faredin Xhaferi ua uroi të pranishmëve hapjen e xhamisë dhe njëherazi i falënderoi përzemërsisht të gjithë ata që në çfarëdo forme kishin kontribuar në arritjen e kësaj dite festive për këtë xhemat.

Pas namazit të drekës, imami mbajti ligjëratën e tij të rregullt të së dielave me ç'rast gjithë xhematit ia uroi këtë xhami, i falënderoi për punën e bekuar që kishin bërë dhe foli për rëndësinë e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së xhamisë, për shpërblimet që i meritojnë njerëzit që, secili në formën dhe mundësinë e vet, kontribuojnë në ndërtimin e xhamive, duke iu bashkëngjitur duasë së Ibrahimit dhe të Ismailit a.s. kur ata e ndërtuan Qabenë dhe iu lutën Zotit që ta pranonte atë faltore të ngritur nga ata dy për t'i shërbyer Krijuesit...

Në fund të ligjëratës u bë një dua e përgjithshme për disa hatme të kënduara nga familjet muslimane shqiptare të Kreuzlingenit.

Më pas të pranishmit patën rastin ta vizitonin edhe më mirë këtë objekt dhe të shërbeheshin me ëmbëlsirat që i kishin përgatitur enkas për këtë rast duart e vyera të motrave e nënave muslimane. Kjo vazhdoi kështu deri në kohën e namazit të ikindisë.

Pjesa e kohës nga ora 16:00 e deri më 17:30 ishte ndarë për gratë që edhe ato të kishin mundësinë ta vizitonin objektin e ri të xhamisë dhe njëherazi ta shikonin mjeshtërinë e burrave, djemve dhe vëllezërve të tyre të shfaqur në çdo kënd të xhamisë, mjeshtërinë e njerëzve që për pesë muaj radhazi u kishin munguar në sofrat e darkës, kur ato është dashur të darkonin vetë me fëmijët, pa burrat e shtëpisë, të cilët pas orarit të punës së rregullt i gjeje te objekti që po përgatitej për xhami. Besojmë që këto motra, gra e nëna muslimane t'ua kenë bërë hallall burrave, djemve e vëllezërve të tyre këtë mungesë dhe këtë sakrificë të paparë në vende të tjera. All-llahu qoftë i kënaqur me të gjithë!

 

* * *


Hapja solemne e xhamisë do të bëhet aty kah mesi i prillit për çka do t'ju informojmë sërish me kohë.



Disa foto nga ky manifestim mund t'i ndiqni më poshtë.