Më 28 janar 2023 xhamia jonë shqiptare «Hëna e re» në Kreuzlingen festoi 30 vjetorin e themelimit të saj.
Në praninë e afro 700 personave, të moshuar e fëmijë të vegjël, kryesia e xhamisë bashkë me forumet e saj, me këndues Kur’ani e ilaijesh, me korrin e nxënësve të mektebit të xhamisë, me mysafirë të lartë nga komuna, kantoni, Zvicra e vendlindja, me ansamblin e valleve shqipe «Drita» nga Kreuzlingeni, u rrumbullakësua kjo natë e begatë e festive.
Programi u hap me këndim të Kur’anit nga i mirënjohuri Arben ef. Emini, më pas u shfaq një film i shkurtër dokumentar, i cili me anë të fotove edhe një herë e pasqyroi historikun 30 vjeçar të kësaj kështjelle fetare në këtë qytet.
Më pas korri i nxënësve të mektebit performoi me disa ilahije e poezi. Pasuan fjalët përshëndetëse të imamit të xhamisë Mr. Rejhan ef. Neziri dhe e kryetarit aktual të xhamisë Besir Halili. (Tekstin e fjalimeve e gjeni në PDF duke klikuar mbi emrat e përmendur).
Mbrëmjen tonë e nderoi me pjesëmarrjene tij, jo të parë për xhaminë tonë, edhe kryetari i komunës së Kreuzlingenit z. Thomas Niederberger, i shoqëruar nga përgjegjësja për integrim dhe familje pranë komunës znj. Zeljka Blank dhe përgjegjësja për shërbime funerale znj. Ursula Layritz si dhe kryetarja e kishës së reformuar evangjeliste në Kreuzlingen znj. Susanne Dschgulnigg. Në fjalën e tij përshëndetëse ai në emrin e tij dhe në emër të Këshillit ekzekutiv të komunës ia uroi imamit dhe kryetarit të xhamisë 30 vjetorin dhe i falënderoi ata përzemërsisht për kontributin shumë të rëndësishëm të xhamisë për vetë qytetin. Më tej ai tha: «Sapo filloi programi juaj sonte në orën 18:00 me këndim Kur’ani, në të njëjtën kohë u dëgjuan edhe këmbanat e kishës katolike këtu afër që e kemi. Pikërisht kjo është shumë tipike për Kreuzlingenin, gjë e cila e dallon këtë qytet, në të cilin bashkëjetojnë në mënyrë paqësore fe dhe kultura të ndryshme… Unë jam vërtet shumë i lumtur që bashkëjetesa po funksionon këtu përnjëmend. Dhe jam i bindur se për këtë meritore janë edhe organizatat e ndryshme kulturore e fetare, nër to edhe puna që po bëhet në xhaminë shiptare në Kreuzlingen, e cila njihet si ndër të parat xhami në Zvicrën Lindore qe tridhjetë vite e këndej…»
Pas dy-tri fjalëve përshëndetëse gjithmonë vijonte freskimi me nga një ilahije nga ana e Arben Eminit dhe Kabil Keçait, të ftuar enkas për këtë mbrëmje.
Fjalë përshëndetëse pati edhe kryesuesi i Tryezës së Rrumbullakët të Feve në Kreuzlingen, z. Gunnar Brendler. Ky grup punues ka rreth vetes përfaqësues të xhamisë sonë shqiptare që nga themelimi, të xhamisë turke, të kishës katolike, të asaj të reformuar evangjeliste, të qendrës budiste, të shkollave publike si dhe të komunës.
Në mungesë të kryetari të saj Matthias Loretan, i cili u ka ndihmuar muslimanëve në realizimin e shumë projekteve në të mirë të muslimanëve siç është futja e mësimit islam në shkollat e Kreuzlingenit dhe sivjet edhe të Romanshornit, të inkuadrimit të imamit tonë si përkujdesës shpirtëror në burgun e Frauenfeldit etj., Qendrën për Dialog Ndërfetar në Kantonin Thurgau e përfaqësoi me një fjalë përshëndetëse Prof. Dr. Mark Keller, ish-pedagog në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Kreuzlingen (PHTG), i cili po ashtu po lë gjurmë të thella në zhvillimin e dialogut ndërfetar e të mirëkuptimit ndërkulturor në vend e më gjerë.
Të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse iu drejtua edhe kryetari i Shoqatës për Mësimin Islam në Kreuzlingen (VIUK), z. Xhelal Qazimi, i cili e çmoi lartë angazhimin dhe kontributin e xhamisë sonë në inicimin, zhvillimin dhe mbarëvajtjen e kësaj shoqate dhe të mësimit islam që po mbahet në shkollat publike tash e 13 vjet nga ana e imamit tonë Mr. Rejhan ef. Neziri.
Meqë xhamia jonë ose që nga fillimi si bashkëthemeluese ose duke u inkuadruar më vonë në to, është anëtare aktive e disa organizatave islame kantonale e të nivelit federal zviceran. Prandaj edhe kryetarë e përfaqësues të këtyre organizatave islame e begatuan mbrëmjen tonë edhe më shumë. Të pranishëm ishin: kryetari i DIGO-s (Organizata e Bashkësive Islame në Zvicrën Lindore), z. Yakup Gürgün, kryetari i KMSHZ-së (Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër) hfz. Mehas ef. Alija dhe anëtari i kryesisë së FIDS-it (Federatës së Organizatave Islame në Zvicër) Dr. Bashkim ef. Aliu, të cilët po ashtu e theksuan rolin dhe mbështetjen e fuqishme e të parezervë që xhamia jonë me imamin e saj R. Neziri e japin për këto organizata.
Të ftuar nga vendlindja ishin edhe koordinatorët e Bashkësive Islame të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, z. Ekrem ef. Simnica dhe Dr. Selver ef. Xhemaili, të cilët po ashtu theksuan mbështjen dhe ruajtjen e lidhjeve me to të xhamisë sonë shqiptare nga Kreuzlingeni.
Në këtë mbrëmje madhështore morën pjesë edhe imamët e mëparshëm që kanë shërbyer në xhaminë tonë, që nga i pari Vejsel ef. Xhaferi, pastaj Ujkan ef. Sejdini, Fadil ef. Ramadani, Shefket ef. Muharemi si dhe imami aktual Rejhan ef. Neziri, të cilëve kryesia e xhamisë u ndau nga një mirënjohje. Një mirënjohje më të veçantë i ndau imamit aktual me rastin e 20 vjetorit të angazhimit të tij në këtë xhami.
Një puhizë e këndshme për shpirtin e shiptarit erdhi nga ansambi i valleve «Drita» në Kreuzlingen, i udhëhequr nga z. Hajredin Gashi. Ansambli i të vegjëlve peformoi disa valle tradicionale shqipe.
Kryesia e xhamisë në fund shpërndau nga një «Mirënjohje» në shenjë nderimi i falënderimi për të gjithë ata që në çfarëdo forme qoftë kanë kontribuar më së shumti për xhaminë tonë, pa dashur të anashkalojë ose të injorojë kontributin e të tjerëve të shumtë në numër.
Fillimisht ajo mirënjohje u ndau kryetarëve të xhamive sipas radhës kronologjike:
1. Servet Qazimi
2. haxhi Amet Hasani
3. Idris Idrisi
4. Faredin Xhaferi
5. Besir Halili
Mirënjohje pranuan sponsorët e shumtë, të cilët në çdo manifestim fetar e kulturor e kanë mbështetur dhe e mbështesin xhaminë tonë me kontribute financiare, edhe atë sipas radhitjes alfabetike:
1. Agron Aliti – ARDA Plus GmbH, Kreuzlingen
2. Arjan Abdullai - Pizeria Al Centro, Kreuzlingen
3. Aurela Decor 1, Kreuzlingen
4. Bujar Emini - Bemix Immobilien AG, Kreuzlingen
5. Florim Pirra - Pizza Kurier Toni, Kreuzlingen
6. Flurim Paniku - FP Spenglerei, Berg
7. Haxhi Mirtezan Rexhepi – Sharri Metzgerei, Weinfelden
8. Haxhi Vajdin Memeti - Garage Memeti, Mattwil
9. Imran Neziri - Top Speed Garage, Nussbaumen
10. Ismail Beluli - Durmo Tours, Kanton Schwyz
11. Jusuf Xheladini - Euro Term Swiss, Kreuzlingen
12. Lulzim & Zemime Bilalli - Fahrschule Medina, Kreuzlingen
13. Xhanan Memedi - MIM Store, Weinfelden
14. Muhamed Agushi - Agusi GmbH, Zürich
15. Muhamet Dalifi - Dali Bau GmbH, Kreuzlingen
16. Muhamet Ziberi - MZ-Design, Autospritzwerk GmbH, Kreuzlingen
17. Petrit Plakiqi – PEP Lebensmittel, Kreuzlingen
18. Qatip Imeri - IKT-Transporte, Kreuzlingen
19. Rashit Sulejmani - RS Autotechnik GmbH, Kreuzlingen
20. Shpresa Memedi - 360 Clean and more…, Kreuzlingen
21. Xhevat Fetaji - Fera Bauplus, Steckborn
Nga një mirënjohje pranuan edhe ata që më së shumti kanë kontribuar për xhaminë tonë. Edhe pse kryesia e kishte shumë të vështirë që të bënte dallimin ose klasifikimin e tyre, megjithëkëtë ajo dekoroi me mirënjohje edhe këto personaliete:
1. Zuleja Nuredini, kryetare e Forumit të Grave Muslimane të xhamisë sonë
2. Ibadet Neziri, mualime e grave pranë xhamisë sonë
3. Arben Bajrami, kryetar i Forumit të të Rinjve të xhamisë sonë
4. Zuli Imeri, kryetar i forumit «Networking» pranë xhamisë sonë
5. Haxhi Abdilamit Amiti
6. Pajazit Kasami
7. Haxhi Mevaip Pajaziti
8. Haxhi Besir Ziberi
9. I ndjeri Ebip Xhelili (djali Mallzimi)
10. I ndjeri Hasan Durmishi (djali Nusreti)
11. Haxhi Jusuf Selmani
12. Isa Ameti
13. Haxhi Kadri Aziri
14. Haxhi Sabit Rustemi
15. Haxhi Xheladin Aziri
16. I ndjeri Jonuz Musliu (djali Fejsali)
17. I ndjeri Ibrahim Ziberi (djali Fisniku)
18. Besim Abdullai
19. Daut Neziri
20. Nasuf Idrizi
21. Haxhi Nehat Ziberi
22. Haxhi Abdullah Imeri
Me ilahije e kaside të interpretuara nga Arben Emini dhe Kabil Keçai, të cilët i falënderojmë pa masë për kontributin e tyre, moderatorët, çifti bashkëshortor Xhevat dhe Xhemile Fetaji, e mbyllën me sukses këtë mbrëmje madhështore që do të ngelë e paharrueshme për breza të tërë.
Kryetari i xhamisë Besir Halili dhe imami Mr. Rejhan ef. Neziri i falënderojnë përzemërsisht të gjithë ata që morën pjesë në këtë mbrëmje të shënuar në analet e historisë së këtij qyteti e më gjerë. Falënderojnë miqtë zviceranë të xhamisë e të muslimanëve, udhëheqësit e organizatave islame nga vendlindja e nga Zvicra, imamët dhe kryetarët e xhamive shqiptare përreth, sponsorët dhe mbështetësit e xhamisë, mbi 370 anëtarët e xhamisë, anëtarët e kryesisë së xhamisë, anëtarët e Forumit Rinor, anëtaret e Forumit të Grave si dhe anëtarët e forumit «Networking». Falënderimi i fundit, por jo më pak i rëndësishmi, shkon për moderatorët e mbrëmjes Xhevat dhe Xhemile Fetajin. All-llahu i Gjithmëshirshëm i shpërbleftë të gjithë për mundin e tyre.
Mirë u takofshim në përvjetorë të tjerë më të begatshëm e më madhështorë!
Dekorimin e sallës e bëri Aurela Decor, Kreuzlingen
Fotot nga: Mimoza Imeri
(Më tepër foto e video mund të shikoni te faqja e xhamisë sonë në Facebook)