Imami Rehan Neziri pas pushimeve verore ka përshëndetur për herë të parë 24 nxënësit muslimanë të klasës së katërt të Kreuzlingenit – në gjuhën gjermane dhe pa shami. Dyshimet rreth sigurisë të SVP-së (Partisë Popullore Zvicerane) kundër këtij projekti fetar për integrim pritet t’i mënjanojë qeveria e kantonit Thurgau.

 

Brigitta Hochuli, gazeta e përditshme Tagblatt

Kreuzlingen, 28.08.2010

 

„Ora e parë kaloi mirë, por shumë shkurt”, thotë Rehan Neziri. “Interesimi i dyanshëm ishte shumë i madh”. Që dy javë imami i xhamisë shqiptare jep mësim fetar islam në dy shkolla fillore të Kreuzlingenit, ku marrin pjesë 24 nxënës të klasës së katërt të besimit islam nga gjithsej 29 të mundshëm, nëntë vajza dhe pesëmbëdhjetë djem. Përshtypjet e tij te nxënësit janë shumë pozitive, thotë mësuesi. Mirëpo për momentin ata nuk mund ta paramendojnë ndonjë vizitë të gazetave apo të televizionit. Ai i ka pyetur nxënësit për këtë, e ata janë përgjigjur: “Ndoshta një herë më vonë”.

 

Nuk ka rrezik islamistësh

Interesimi për këtë projekt trevjeçar është i madh edhe në qarqet politike. Të mërkurën e ardhshme (1 shtator ’10) ky do të debatohet edhe në Këshillin e Lartë (parlamentin kantonal të Thurgaus). Në një interpelancë të tij, këshilltari kantonal i SVP-së Hermann Lei dëshiron të dijë me siguri se ky mësim “nuk do të jepet nga ana e islamistëve”. Fakti se këtë projekt e bartin shoqata të ndryshme islame, me ç’rast ekziston një kontroll brenda-islam lidhur me përmbajtjen e mësimit, e qetëson dhe e zbut qeverinë kantonale. Përveç kësaj, mësimi do të zhvillohet në hapësirat publike të shkollës, “ku mësuesit do ta kuptonin shpejtë ndonjë tendencë të pakëndshme”.


I përcjellë shkencërisht

Ky projekt është përgatitur nga një dorë e gjatë në Tryezën e Rrumbullakët të Religjioneve dhe nga përfaqësuesit e dy xhamive vendëse, atyre të komunës e të autoriteteve shkollore, të dy kishave vendore dhe të Shkollës së Lartë Pedagogjike, e cila përmes Këshillit për shkollë dhe religjion, do ta përcjellë shkencërisht rrjedhën dhe funksionimin e këtij projekti. Kah fundi i muajit prill për këtë qëllim u themelua edhe Shoqata për Mësimin Islam në Kreuzlingen (Verein für Islam-Unterricht in Kreuzlingen - VIUK), kryetar i së cilës është ish i deleguari për integrim pranë komunës së Kreuzlingenit, z. Christoph Kreis. Xhamia shqiptare dhe ajo turke përfaqësohen me nga dy anëtarë në kryesinë e kësaj shoqate.

Në faqen e internetit www.viuk.ch, të përgatitur e të aktivizuar nga imami Neziri javën e kaluar, jepen informata transparente dhe gjithëpërfshirëse, ndër të tjera edhe për konceptin dhe financimin e këtij mësimi. Nxënësit e shkollës fillore në Kreuzlingen përbëjnë secili grup fetar nga një të tretën e numrit të përgjithshëm të tyre: katolikë, evangjelistë si dhe muslimanë, thekson Kreis.


Akt i barazimit

Trajtimi i barabartë i muslimanëve është, sipas kësaj, çështje e ekumenizmit dhe një akt i barazimit. Në këtë kuptim, tanimë edhe bashkësitë krishtere janë deklaruar se këtë projekt do ta mbështesin me nga një kontribut të vogël financiar. Këtu bën pjesë – çka është kritikuar nga vizituesit e kishës – edhe një tubim vullnetar i mjeteve për shembull nga famullia katolike St. Ulrich.

Për vitin e parë të projektit është paraparë një buxhet prej 6’300 frangash. Dy të tretat do të paguhen nga dy xhamitë dhe prindërit e fëmijëve, kurse pjesën e mbetur grupi i projektit e ka organizuar nga organizatat publike, ndërmarrësit ekonomikë dhe sponsorët privatë. Për financimin afatgjatë të këtij projekti, sipas konceptit të parashtruar, megjithëkëtë ekziston një vështirësi, ngase organizatat islame nuk janë të njohura publikisht dhe për rrjedhojë ato nuk mund të mbledhin ndonjë tatim nga anëtarët e tyre. Si duket edhe në të ardhmen ato duhet t’i gërryejnë thellë xhepat e tyre, supozon kryetari Kreis.



Një rast fatlum

Imami Rehan Neziri punon që shtatë vjet në Kreuzlingen. Si një shtetas i Maqedonisë ai ka studiuar teologjinë në Turqi ku edhe ka magjistruar në lëmin e sociologjisë së religjionit. Si baba i tre fëmijëve për një kohë të shkurtër ai e ka përvetësuar shkëlqyeshëm gjuhën gjermane – “një rast fatlum, një njeri absolutisht në nivel”, shprehet për të kryetari Kreis. Sa i takon projektit ai orientohet sipas modeleve të hapësirës së jugut të Gjermanisë dhe punon me mjetet mësimore të tyre.

Ajo çka vlen për mësuesin Neziri, vlen edhe për nxënësit e tij. Si nxënës të klasës së katërt të shkollës fillore natyrisht se të gjithë janë të integruar plotësisht. Shumica prej tyre janë të gjeneratës së dytë ose të tretë që jetojnë në Zvicër. – E, shamia? Është ajo një problem? “Jo”, shprehet kryetari i Shoqatës, z. Christoph Kreis. “Në këtë moshë ajo edhe ashtu nuk është e përdorshme”.