Më 28 janar 2023 xhamia jonë shqiptare «Hëna e re» në Kreuzlingen festoi 30 vjetorin e themelimit të saj. 

Në praninë e afro 700 personave, të moshuar e fëmijë të vegjël, kryesia e xhamisë bashkë me forumet e saj, me këndues Kur’ani e ilaijesh, me korrin e nxënësve të mektebit të xhamisë, me mysafirë të lartë nga komuna, kantoni, Zvicra e vendlindja, me ansamblin e valleve shqipe «Drita» nga Kreuzlingeni, u rrumbullakësua kjo natë e begatë e festive.

Duke u nisur nga fakti se leximi i Kur’anit, përpos që është një detyrë e muslimanit, ai është edhe një ushqim shpirtëror i tij, ne si xhemat i kësaj xhamie vendosëm që, krahas leximit të Kur’anit që e bën secili për vete në shtëpi, të lexojmë edhe nga një hatme kolektive (të përbashkët). Hatme do të thotë leximi apo këndimi i gjithë Kur’anit, nga fillimi e deri në fund, përafërsisht 604 faqe.

Më 2 dhe 3 shkurt 2019, Xhamia shqiptare „Hëna e re“ në Kreuzlingen organizoi turnirin tanimë tradicional të futbollit në sallë.

Turniri organizohet në dy kategori: për fëmijë dhe për të rritur si dhe është i hapur për të gjithë pa marrë parasysh prejardhjen fetare, kombëtare e gjinore nga mbarë Zvicra Lindore.

Më 7 tetor 2018, pas namazit të drekës, xhamia jonë organizoi një program të veçantë për promovimin e dy veprave të fundit të imamit tonë, mr. Rejhan ef. Neziri.

Pas një prezantimi të shkurtër të veprave të botuara më herët dhe ato që pritet të botohen së shpejti të autorit R. Neziri, për librin e parë „Për një familje të lumtur islame“ referuan kryetarja e Forumit të Grave Muslimane pranë xhamisë sonë znj. Zulkeflije Nuredini dhe sekretarja znj. Mujasere Imeri-Cana, ndërkaq për librin e dytë „Të jesh musliman në Zvicër - përsiatje teologjike dhe sociologjike“ referuan dr. Mahi Latifi dhe Xhelal Qazimi.

Më 21 shtator 2016 në Weinfelden, më 8 shkurt 2017 në Amriswil dhe më 21 shkurt 2017 në Kreuzlingen, imami dhe mësuesi i lëndës fetare islame nga Kreuzlingeni mr. Rejhan ef. Neziri ka mbajtur një cikël ligjëratash lidhur me procesin dhe sfidat e radikalizimit të të rinjve muslimanë në Perëndim për drejtorë shkollash, punonjës socialë, psikologë e pedagogë të shkollave në tri qytetet e lartpërmendura në kantonin Thurgau.