Pas botimit të “Abetares së shkronjave arabe” të Bekim Alimit, imam në Wil të Zvicrës, ne si Union i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ) kemi kënaqësinë që para jush të dalim me librin e dytë, ndoshta ndër të parët e këtij lloji në gjuhën shqipe. Bëhet fjalë për librin “PESË SHTYLLAT E ISLAMIT – Ta mësojmë Islamin duke ngjyrosur” të autorëve Asım dhe Mürşide Uysal, në përkthim dhe përshtatje nga gjuha gjermane të Rejhan Nezirit, imam në Kreuzlingen të Zvicrës.

Libri u destinohet fëmijëve të grupmoshës 5-8 vjeçe.


Teksti është një përshtatje nga gjuha gjermane e autorëve turq. Përkthyesit R. Neziri i është dashur të largojë shumë tekst nga libri origjinal, pasi ai ka qenë i stërmbushur, që për fëmijët e kësaj grupmoshe që nuk dinë ose shumë pak dinë të lexojnë, do të ishte një ngarkesë e kotë. Edhe teksti që është lënë, për fëmijët e kësaj grupmoshe, është i vështirë për t’u lexuar e kuptuar, andaj pikërisht këtu kërkohet ndërhyrja aktive e prindit ose e mësimdhënësit, duke e lexuar tekstin me zë në krye të çdo mësimi dhe duke e sqaruar me fjalë të thjeshta kuptimin bazë të mësimit gjegjës.


Po ashtu, një kujdes të veçantë prindi ose mual-limi (mësuesi i lëndës së fesë) duhet të tregojë edhe në përzgjedhjen e ngjyrave nga ana e nxënësit, në mënyrë që sendet e paraqitura nëpër fotografi të ngjyrosen në mënyrë sa më reale.


S’ka dyshim se qëllimin kryesor që e ndjekin autorët është që tek fëmijët e kësaj grupmoshe të mbjellin pamjet e para rreth të vërtetave ose pesë shtyllave të Islamit: shehadetit, namazit, agjërimit, zekatit dhe haxhit. Nuk duhet harruar se fëmijët e kësaj moshe janë të prirë t’i kuptojnë sendet përreth tyre në mënyrë vizuale, pra fotografike. Po ashtu duhet mbajtur në mend se për ne të rriturit kjo metodë e mësimit të Islamit mund të duket argëtuese, ndërkaq fëmijët këtë e marrin si një detyrë serioze, por që megjithatë do ta bëjnë me gjithë qejf. Një lehtësim si për prindërit dhe mual-limët po ashtu edhe për fëmijët do të ofrojë Shtojca në fund të librit nga faqja 80 e këtij libri, ku të gjitha tekstet që gjenden brenda këtij libri, atje i kemi dhënë në mënyrë tabelore në të dy gjuhët: shqip dhe gjermanisht.


Shpresojmë që përmes këtij libri fëmijët shqiptarë muslimanë vërtet të mësojnë diçka rreth fesë së tyre në mënyrën më të përshtatshme për ta, pra duke ngjyrosur fotografi me elemente islame.

 

Librin e botoi: Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër (UISHZ)

Përktheu dhe përshtati: Mr. Rejhan Neziri

Redaktor: Nehat Ismaili

Shtypi: Focus, Shkup

Tirazhi: 1000 copë

Cyrih, 2015

 

Librin mund ta gjeni nëpër xhamitë shqiptare në Zvicër.

 

Në vazhdim në formatin PDF mund të shikoni disa faqe të librit sa për provë.