Djaloshi dhe druri i mollës



Shumë kohë përpara, na ishte një dru i madh molle. Një fëmijë e kishte qejf të vinte për çdo ditë e të lozte rreth e rrotull tij. Ai ngjitej në maje të drurit, hante molla dhe pastaj e merrte një sy gjumë nën hijen e tij. Ai e donte drurin po edhe druri donte të lozte me të.

 


Kaloi një kohë e gjatë, fëmija i vogël u rrit dhe nuk vinte më për çdo ditë të lozte përreth pemës.


Një ditë, djaloshi u kthye te pema, mirëpo dukej i zymtë.


"Eja dhe luaj me mua", iu lut pema djalit. 


"Nuk jam më fëmijë, unë nuk luaj më përreth drunjve", iu përgjigj ai. "Unë dua lodra, mirëpo nuk kam para t'i blej".


"Më vjen keq, ama unë para nuk kam. Mund t'i mbledhësh të gjitha mollët e mia, t'i shesësh dhe të bësh paratë", i  tha druri i mollës. 


Djaloshit iu bë qejfi shumë. I rrëmbeu të gjitha kokrrat e mollëve dhe iku i lumtur. Mirëpo ai nuk u kthye më pasi i kishte mbledhur mollët. Druri u zymtua shumë. 

 

 

Një ditë, djaloshi i cili tanimë ishte bërë burrë u kthye sërish për çka pema u gazmua së tepërmi.


"Eja dhe luaj me mua", i tha pema.


"Nuk kam kohë të luaj. Më duhet të punoj për familjen. Madje na duhet një shtëpi për strehim. A mund të më ndihmosh?", i tha ky.


"Më vjen keq, ama unë nuk kam shtëpi. Ti mund t'i presësh degët e mia dhe të ndërtosh një shtëpi", i tha druri njeriut.


Ky ia preu të gjitha degët dhe iku i lumtur. Druri u gëzua kur e pa atë të lumtur, mirëpo njeriu nuk u kthye më. Druri sërish mbeti i vetmuar dhe i zymtë. 

 

Një ditë të nxehtë vere, njeriu u kthye prapë, ndërsa druri u gëzua tej mase."Eja dhe luaj me mua!", i tha druri. 


"Po plakem. Dua të shkoj të lundroj me anije për t'u relaksuar e çlodhur. A mund të më japësh një varkë?", i tha njeriu drurit.


"Përdore trungun tim për ta ndërtuar varkën. Pastaj lundro larg e larg dhe kënaqu".Kështu, njeriu e preu trungun e drurit për ta ndërtuar varkën. Ai shkoi për lundrim dhe nuk u duk më për një kohë të gjatë.

 

 

Përfundimisht, njeriu u kthye sërish te druri i mollës pas shumë vitesh të kaluara. 


"Më vjen keq, biri im. Nuk kam më asgjë për ty, nuk kam më mollë të të jap", i tha druri. "S'ka gjë, edhe unë nuk kam më dhëmbë për të kafshuar", iu përgjigj njeriu.


"Nuk kam më trung të ngjitesh në të", i tha druri.


Njeriu i tha: "Jam shumë plak për atë punë, s'ngjitem dot".


"Vërtet nuk mund të të jap asgjë. E vetmja gjë që më ka ngelur janë rrënjët e mia që po më vdesin", i tha druri i përlotur.


"Tani nuk kam nevojë për diçka më tepër sesa një vend për t'u ulur. Jam lodhur fort pas kaq e kaq vitesh", iu përgjigj njeriu.


"O Zot, rrënjët e një druri të moçëm janë vendi më i mirë për t'u mbështetur në to e të pushosh. Eja, ulu pranë meje dhe pusho", i tha druri.


Njeriu erdhi, u ul pranë tij, ndërsa druri ishte shumë i lumtur dhe qeshej me lot.

 

 


Ky rrëfim vlen për çdokënd. Druri është sikurse prindërit tanë. Kur jemi të vegjël, duam të luajmë me mamin dhe babin. Kur rritemi, i braktisim ata; vijmë te ta vetëm kur na duhet diçka ose kur jemi në bela. Sido që të jetë, prindërit janë gjithnjë aty dhe do të na japin gjithçka që munden, vetëm e vetëm të na bëjnë të lumtur.


Juve mund t'ju duket se djaloshi ishte shumë i vrazhdë ndaj drurit. Po. Edhe ne të gjithë jemi të tillë ndaj prindërve tanë. Mbështetemi tek ata, mirëpo nuk e çmojmë atë që ata e bëjnë për ne. 

 

"O Zot, na fal për gabimet tona ndaj prindërve dhe na udhëzo në rrugë të mbarë!"