Drucken
Kategoria: Tregime
Lexuar: 12848 herë

 

Ajo është një sorrë, babë!


Në një dhomë rrinin ulur babai i moshuar në të tetëdhjetat dhe djali i tij 45 vjeç i cili kishte ardhur ta vizitonte babanë.


Pasi e pyetën hallin e njëri-tjetrit, pasi biseduan për fëmijët, për kohën e të ngjashme, djali heshti dhe donte të jepte shenjë se tanimë ishte boll dhe se duhej të shkonte.

Në ato momente, në parvazin e dritares pranë minderit ku ishin ulur këta erdhi dhe u ul një sorrë. 


Babai plak kur e pa sorrën buzëqeshi dhe duke e shikuar atë e pyeti djalin: “Bir, ç’është kjo?”


Djali, i habitur, iu përgjigj: “Ajo është një sorrë, babë”.


Babai plak, pasi e shikoi edhe pak sorrën, pyeti sërish: “Ç’është kjo, bir?”


Djali, akoma më i habitur, prapë iu përgjigj: “Ajo është një sorrë, babë”.


Sorra akoma rrinte në parvazin e dritares, me sjellje komike e lëvizte kokën majtas-djathtas, e lakonte qafën anësh, shikonte kah qielli, e pastaj i shikonte këta dy. Babai i moshuar për të tretën herë pyeti: “Ç’është kjo?”


Habia e djalit u shndërrua në mosdurim: “Ajo është një sorrë, babë. Kjo u bë hera e tretë që po pyet. A nuk po më dëgjon mirë?”


Kur babai pyeti edhe për të katërtën herë, djali e humbi durimin dhe shpërtheu me zë të lartë: “Babë, pse po e bën këtë? Plotë katër herë po më pyet se ç’është kjo dhe unë të përgjigjem, kurse ti vazhdon akoma të më pyesësh të njëjtën. A po e mat durimin tim?”


Babai akoma buzagaz, u çua nga vendi, hyri në dhomën brenda dhe u kthye me një fletore në dorë. Kjo ishte një fletore kujtimesh. U ul, i shfletoi faqet dhe e gjeti atë që deshi. Buzëqeshur me dashuri ia zgjati fletoren ashtu të hapur djalit të tij dhe i tha ta lexonte atë faqe.


Djali nisi të lexojë: “Sot, derisa po rrija ulur në minder me djalin tim 3 vjeçar, në parvazin e dritares pranë erdhi dhe u ul një sorrë. Djali im i vogël plotë 23 herë më pyeti se ç’është kjo. Të 23 herët me dashuri e përqafoja dhe i thosha se ajo ishte një sorrë. Të mërzitesha? Jo, kurrë! Përsëritja e shpeshtë dhe e pa sherr e pyetjes së tij ma mbushi zemrën plot dashuri...”


Djali e uli kokën dhe kuptoi se ç’deshi t’i thoshte babai me këto pyetje...


P.S.All-llahu xh.sh. në Kur’an thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as "of - oh", as mos u bëj i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta respektuese). (El-Isra 17:23)