Drucken
Kategoria: Tregime
Lexuar: 27708 herë

Tri këshillat e bilbilit

 

Një gjuetar kishte kurdisur një kurth dhe e kishte kapur një bilbil. Sapo e mori bilbilin në grusht, bilbili filloi të flasë dhe i tha gjuetarit: 

“O gjuetar, ti qe sa kohë ke ngrënë dele e qengja. Nuk je ngopur me to dhe do të ngopesh me mishin tim që nuk bën as tri kurush? Të lutem, liromë se do të jap nja tri këshilla të mira për këtë nder. Njërën prej këtyre këshillave do ta them në grushtin tënd, të dytën në çatinë karshi dhe të tretën në drurin pranë”.

Gjuetari u pajtua dhe i tha: “Si urdhëron...”

Bilbili ia dha këshillën e parë: “Mos i beso asaj që nuk bëhet, kushdo që ta thotë atë!”.

Gjuetari, për ta dëgjuar këshillën e dytë, e liroi bilbilin. Ai hipi mbi çati dhe ia tha edhe këshillën e dytë: “Mos u mërzit për gjërat që të kanë kaluar. Mos u dëshpëro për rastin që të ka ikur. Dija vlerën kohës në të cilën jeton. Mos humb kohë duke u penduar...”

Pastaj shtoi:

“O gjuetar, në barkun tim kam një inxhi (perlë) që kushton 100 lira. Këto do të kishin mjaftuar për ty dhe për pasardhësit tu. Sa keq, e humbe rastin... Paska qenë kësmet për dikë tjetër... Në botë nuk ka perlë tjetër sikurse kjo”.

Gjuetari filloi të dëshpërohej e të qajë duke thënë: “Ahh! Çfarë bëra unë që të lirova?”

Atëherë bilbili ia ktheu: “More zotëri, pse po qan e mërzitesh? A nuk të këshillova të mos mërzitesh për gjërat që të kanë kaluar e të mos dëshpërohesh për rastin që të ka ikur? Pastaj, a nuk të thashë të mos i besoje asaj që nuk bëhet dot, kushdo që ta thotë? Unë vetë nuk bëj tri kurush, e si paska mundësi që në barkun tim të ketë një perlë prej 100 lirash?

Gjuetari u mbush mend. Iu drejtua bilbilit të mençur që i rrinte karshi dhe sikur po tallej me të: “Mirë, po ç’ishte këshilla jote e tretë? Thuama këtë dhe pastaj ik..!”

Bilbili e tejkaloi murin dhe u ul në dru. Me një gjuhë tallëse iu drejtua gjuetarit: “Pasha Zotin, ti i mbajte dy këshillat e para dhe të mbeti e treta pa e mbajtur? Lëre këtë punë, mos ma merr kohën...” – dhe fluturoi lart e lart i lirë.

Gjuetari mbeti i shtangur nga kjo që i ndodhi.