Drucken
Kategoria: Aktivitete
Lexuar: 10000 herë

Më 20 qershor 2010 në xhaminë tonë “Hëna e re” të Kreuzlingenit u mbajt një program me rastin e përfundimit të leximit të Kur’anit në gjuhën arabe (hatmes) dhe të përfundimit të mësimit fetar në mektebin e kësaj xhamie nga ana e 3 nxënëseve.

Vajzat që e përfunduan këtë mësim fetar ishin: Florjana (Shaban) Imeri, Zebixhete (Harun) Imeri dhe motra e saj Semine (Harun) Imeri, që të tria këto motra e kushërira me prejardhje nga fshati Dobrosht i Tetovës.

Pas leximit të një pjese të Kur’anit nga ana e hoxhës nga Konstanca e Gjermanisë Nusret ef. Ibrahimi, pasoi kuizi i diturisë islame me 4 nxënëse e nxënës: Vahide Durmishi, Jasmine Durmishi, Mimoza Imeri dhe Besnik Veseli. Në fund të kuizit të përbërë nga 200 pyetje e përgjigje që i patën marrë paraprakisht këta nxënës si dhe nga një gjëegjëzë e pyetje rezervë, vendin e parë e zuri Jasmine Durmishi, të dytin Besnik Veseli, të tretin Mimoza Imeri dhe të katërtin Vahide Durmishi. Për secilin prej tyre u nda nga një çmim e dhuratë modeste. Anëtarë komisioni të këtij kuizi ishin Nusret ef. Ibrahimi dhe Bujar Emini.

Më pas 3 nxënëset që bënë hatmen e kënduan suren e 36-
të të Kur’anit fisnik, Jasini sherifin.

Në vazhdim hoxha Nusret efendiu e mbajti ligjëratën e rastit, ku ndër të tjera e theksoi rëndësinë e përgjegjësisë e të detyrave që prindërit i kanë ndaj fëmijëve të tyre, në veçanti përmendi zgjedhjen e një emri të bukur islam me të cilin ai fëmijë nesër do të mburret, ofrimin e mundësisë për shkollim e edukim fetar e të përgjithshëm si dhe ndihmën për të zgjedhur një bashkëshort e bashkëshorte të edukuar në frymën islame nesër. Ai vuri theksin e veçantë në ndjekjen e mësimit fetar nëpër mektebet e xhamisë si një masë e rëndësishme kundër asimilimit fetar, kombëtar e kulturor këtu.

Fjalë përshëndetëse iu dha edhe hoxhë Jusuf ef. Xheladinit, imam në xhaminë shqiptare “Meka” në qytetin e Schaffhausenit, i cili pasi i përgëzoi fëmijët dhe prindërit e tyre, shprehu kënaqësinë nga pjesëmarrja në këtë takim dhe nga interesimi që tregojnë muslimanët e këtushëm për mësimin fetar që zhvillohet nëpër mektebet e xhamisë.

Në vazhdim 3 nxënëset i lexuan 10 suret e fundit të Kur’anit fisnik, suren Fatiha dhe 5 ajetet e para të sures el-
Bekara, me çka e përfunduan edhe zyrtarisht hatmen. Duanë e hatmes e bëri imami Jusuf ef. Xheladini.

Pas duasë së hatmes, këtyre nxënëseve iu ndanë diplomat për sjelljen e mirë e shembullore si dhe për suksesin e shkëlqyeshëm që kishin treguar ato gjatë gjithë procesit të ndjekjes së mësimit fetar në xhami, si dhe nga një dhuratë modeste nga ana e xhamisë sonë, të cilat ua dorëzoi kryetari i xhamisë, Faredin Xhaferi.

Më në fund pasoi ushqimi i shijshëm që e kishin përgatitur familjet e vajzave që bënë hatmen, vëllezërit Harun dhe Shaban Imeri.

Ne si xhami këtyre vajzave u shprehim urimet më të sinqerta dhe u dëshirojmë shumë sukses në jetën e tyre të mëtejme.



Imami, Rejhan ef. Neziri

Më poshtë mund të ndiqni disa foto nga ky manifestim...