Ali Pajaziti
“Feja është vertikale e rëndësishme e jetës dhe kompas i brendshëm etik imi”
K. Grabar-Kitarović, ish-presidente e Kroacisë
Feja dhe fetaria ndër mijëvjeçarë kanë qenë faktorë të rëndësishëm në shoqëri. Besimet fetare në një masë të madhe formësojnë vlerat, sjelljen, kulturën dhe moralin e njerëzve dhe “udhëheqësve politikë” (Hage, 2013); ato mund të krijojnë një mënyrë të të menduari dhe një “gjendje shpirtërore” që formëson sjelljen individuale dhe shoqërore të liderëve. Feja ka potencialin për të legjitimuar ose delegjitimuar autoritetin qeverisës të institucioneve dhe të shtetit. Herë pas here, liderët dhe partitë politike përpiqen të krijojnë një lidhje mes shpirtërores dhe kombëtares, sepse pretendimet fetare janë një bazë e fortë e autoritetit (McGuire, 1981). Feja është një shpatë me dy tehe që mund të shkaktojë si dobi të jashtëzakonshme, ashtu edhe lëkundje shoqërore kur kalon në sferën e politikës pragmatiste, gjegjësisht kur intsrumentalizohet. Lidershipi politik paraqet vullnetin dhe aftësinë e një individi apo grupi për të formësuar në mënyrë të qëndrueshme proceset shoqërore, duke respektuar të drejtat e njeriut, duke vënë të mirën e përbashkët përpara interesit vetjak dhe duke përfshirë të gjithë pjesëmarrësit.
Post-sekualrizmi dhe feja e politizuar
Post-sekularizmi nuk nënkupton një rikthim në teokraci, por një mënyrë të re të bashkëjetesës, ku racionalitetet fetare dhe sekulare ndërveprojnë në politikë dhe në shoqërinë civile. Politika post-sekulare përshkruan një mjedis politik ku feja ri-shfaqet si një aktor i rëndësishëm në jetën publike dhe politike, dhe ku shtetet, shoqëritë dhe institucionet detyrohen të rinegociojnë rolin e fesë në kuadër të demokracisë dhe pluralizmit shoqëror. Atributet kyç të post-sekularizmit janë këto: 1. Feja rikthehet në debatet publike (p.sh., për moralin, identitetin, të drejtat). 2. Shtetet i njohin aktorët fetarë si zëra legjitimë në politikë. 3. Pluralizmi rritet – botëkuptimet sekulare dhe fetare bashkëjetojnë ose përplasen. 4. Sekularizmi nuk shihet më si neutral, por si një botëkuptim ndër të tjerët. 5. Simbolet fetare, institucionet dhe ligjërimi fetar politizohen dhe mobilizohen në sferën publike. Shembuj të politikës post-sekulare janë Evropa: Debatet rreth mbulimit islam, kryqeve të krishtera në hapësirat publike, apo rolit të kishave në çështjet e migracionit. Turqia: Përzierja e vlerave islame me institucionet demokratike nga ana e AKP-së pushtetare. SHBA: Ndikimi i vazhdueshëm i politikës evangjelikale, pavarësisht një kushtetute sekulare. Ballkani: Përdorimi politik i fesë për të formësuar identitetin kombëtar (p.sh., VMRO-DPMNE me Ortodoksinë, SDA boshnjake me Islamin, etj.).
Në këtë artikull do të përpiqemi të shqyrtojmë në mënyrë kritike korrelacionin midis udhëheqjes/politikës dhe fesë/fetarisë, përkatësisht (keq)përdorimin e fesë për qëllime politike në kontekstin e Maqedonisë së Veriut. Sipas Win/Gallup International (2017) Maqedonia është vendi i dytë më religjioz në Europë dhe një nga njëzet vendet më fetare në botë (88 % fetarë, 10 % afetarë dhe 1% ateistë). Ky trend i fuqishëm i revitalizimi fetar apo i religjonizimit e ka përfshirë mes tjerash edhe skenën politike, ku shfaqet një sensibilitetit fetar real apo fiktiv, thënë më mirë, i shpërdorimit të fesë për të arritur pikë apo autoritet politik. Sociologu Cane Mojanovski pohon se në kulturën politike të Maqedonisë mekanizmat e institucioneve fetare nuk shfrytëzohen për misionin e mirëfilltë, por vihen në shërbim të politikës ditore (Evropa e Lirë, 2012). Zakonisht më të prira që të përdorin zhargonin fetar janë partitë djathtiste apo konservatore, por në rastin konkret, vërejmë se edhe ato majtiste apo social-demokrate – ndonëse më zbehtë - ndjekin këtë kurs. Sipas një hulumtimi të realizuar në nëntor 2017 nga IPIS, Konrad Adenauer dhe Religija.mk, me temë “Feja në fushatat politike”me një kampion prej 1100 vetave, 54.4 % e përgjigjësve janë shprehur se partitë pak a shumë e shfrytëzojnë fenë për ndikim te votuesit. Ndërkohë të njëjtat i shfrytëzojnë edhe bashkësitë fetare zyrtare të RM-së. 59.5% të qytetarëve janë të mendimit se politika synon t’i bëjë vegël komunitetet fetare për qëllime vetjake. Faktori më i rëndësishëm i jetës politike, populli apo zgjedhësit, janë kundër shfrytëzimit të fesë nga lidershipi politik për qëllime politike apo për maksimizim të profitit në garën politike. Sipas hulumtimit të KAS, 70.5 % të qytetarëve mendojnë se përdorimi i fesë dhe i simboleve fetare në fushata politike është abuzim me ndjenjat fetare të besimtarëve. 43.9 % të respondentëve kanë thënë se partitë politike duke e keqpërdorur fenë ndikojnë në përçarjen në baza fetare (vetëm 7.9 % kanë thënë të kundërtën).
Partitë dhe feja në bllokun etnik maqedonas
VMRO-DPMNE, partia politike e krahut të djathtë maqedonas, është përdoruesi më i shpeshtë i fesë në menaxhimin politik. Sipas ish-kryetarit të saj, Nikolla Gruevski, baza e udhëheqjes së përgjegjshme është feja (2007). Në bllokun maqedonas lidhur me këtë çështje vlerësimi për raportin lidershipi-feja është i përafërt: VMRO-DPMNE 2.69, kurse LSDM, 2.40. (Божиновски, 2017) VMRO-DPMNE fenë e ka frymë esenciale të veten, gjë që vërehet edhe në dokumentit themeltar të saj, ku mes tjerash shkruan: “Duke u nisur nga e vërteta historike se Maqedonia është vend i shenjtë, i bekuar dhe biblik, djep i krishterimit, nënë e orthodoksisë... Kongresi Botëror Maqedonas (2013) e verifikon këtë Program Nacional Maqedonas” (Вечер, 2017) Gruevski, në një rast ka pohuar se jetën e jep Zoti e jo LSDM-ja, ndërsa për rezultatin e zgjedhjeve dhe situatën e krijuar pas votimeve të fundit i fajësoi hoxhallarët, të cilët sipas tij kishin udhëhequr fushatë kundër tij dhe partisë së tij. Në FB-në zyrtare të kësaj partie gjejmë fjalinë propaganduese: “Feja në mendime, Maqedonia në shpirt, VMRO-DPMNE në zemër (ВЕРАТА во мислите, МАКЕДОНИЈА во душата, ВМРО-ДПМНЕ во срцето)”. Një nga pjesëtarët e lidershipit të VMRO-së, Vllatko Gjorçev, në një kolumnë të tij të titulluar “Për fenë dhe kishën” shkruan: “Jezu Krishti nuk ka qenë akademik e as nobelist, as shkencëtar; ai është mësues të cilin e lexojnë dhe ndjekin miliarda njerëz. Fjalët e tij janë mësim dhe porosi. Nxënësit e tij janë ithtarë të tij. Fjala e tij është orientim se si duhet të jetohet dhe si duhet të besohet.” (Ѓорчев, 2015) Një nga themelueset e kësaj partie, D. Trantalloska, në një panel diskutim të vitit 2016 ka pohuar se “VRMO-DPMNE është më tepër se parti, është religjion.” Krerët e kësaj partie përdorin edhe fjali si “Zoti e bekoftë Maqedoninë, “Jini të bekuar!” etj. VMRO është nxitëse e ndërtimit të kishës Shën Elena dhe Konstantin në qendër të Shkupit, e ndërtimit të kryqeve grandioze (i Mileniumit, i Aerodromit, e shumë të tjerë), është shtytëse e kampanjës “Thuaj jo abortit”, nismëtare e hapjes së vitit akademik në universitet me ritual fetar etj. Partia VMRO‑DPMNE, në vitin 2007 e ndryshoi Ligjin për festat dhe shpalli një sërë festash fetare (ortodokse, islame, katolike dhe hebraike) si ditë pushimi zyrtare (jo pune) në nivel shtetëror. Nga ana tjetër, LSDM është parti me lidershipin që më së paku e përdor elementin fetar. Ajo ka qenë nxitëse e abrogimit të mësimbesimit klasik nëpër shkolla (2009). Kryetari i komunës së Prilepit nga radhët e LSDM-së reflekton frymën e kësaj partie: “Тraditat fetare duhet lënë KOM-it (Kishës Ortodokse Maqedonase) si institucion dhe qytetarëve në shtëpitë e tyre”. (Antropol, 2018)
Kryeministri aktual, Hristijan Mickoski kishën e cilëson si “kështjellë shpirtërore”, si “një nga shtyllat thelbësore për mbijetesën e kombit”. МААК (Aksioni Maqedonas) ka qenë një parti e proveniencës konseravtore që përderisa ekzistonte (deri më 2002) në logon e saj ka pasur kryqin; kjo parti në rrjetet sociale ka defiluaur edhe përmes sentencës: “Бог се јави рисјани!” (Zoti u shfaq, të krishterë!) Partia Demokratike e Serbëve të Maqedonisë ka si objektiv realizimin e të drejtave për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhësor, kulturor, fetar dhe tradicional të serbëve në Maqedoni. Ky subjekt ka arritur që 27 janarin, ditën e Shën Savës ta bëjë festë kombëtare të serbëve të RMV-së. Në platformën politike të “Levica” pos drejtësisë sociale, anti-etnoshovenizmit, partiotizmit të majtë dhe anti-imperializmit, gjejmë edhe këtë pikë: “Sekularizmi dhe antikonservatorizmi! I mbështesim të gjitha forcat progresive dhe nisim demaskimin e moralit klerikalist, konservator dhe patriarkal. Jemi rreptësisht kundër përzierjes së bashkësive fetare në punët e shtetit dhe angazhohemi për ushtrimin e lirë të feve.”
Partitë politike shqiptare të RMV-së dhe Islami
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 dhe ato lokale të vitit 2017, ishte udhëheqësia e “Lëvizjes Besa” ajo që u akuzua për përdorimin e fesë në fushatën politike. Në shkallën 1 deri më 5, ky subjekt ka marrë vlerësimin 3.71. Kjo lëvizje, që e vetmja nga partitë shqiptare e ka elementin religjioz edhe në letër (Statuti, 2014: 6), gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016 përdori edhe fjalitë, “Nëse beson në drejtësi, nëse beson në Zot, nëse beson se është koha e ndryshimeve të mëdha, eja!“ që shkaktoi shumë reagime te konkurrentët dhe në opinionin publik, në mediat dhe opinionistët laikë dhe islamofobë, si në vend, por në veçanti në Kosovë dhe Shqipëri. Njëri nga liderët atëhershëm e kësaj partie (sot në “Alternativa”), në fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale, në një tubim nate në Çair të Shkupit pati deklaruar: “Nuk na duan sepse ne e falëm jacinë para se të vijmë në këtë tubim.” “Alternativa” që u formua pas përçarjes brenda “Lëvizjes Besa” ka arritur që të afirmojë një simbol islamik, duke futur në parlament të RMV-së për herë të parë një grua me shami (gjë që në Kosovën “laike” ka ndodhur shumë më herët). Në këtë kontekst mund të interpretohet edhe hyrja në parlament në kuadët të koalicionit “VLEN” e dy parlamentarëve me bagazh teologjik (hoxhallëku), madje njëri edhe ish-myfti.
Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, gjithashtu ka bërë lojë me fenë. Një radhë (2014) ka shpallur: “E pyes Aliun a ka Allah, ai thotë Marksi është Allah!” Një herë tjetër ka klithur: “Ky nuk është vendi i kryqave dhe kishave po është vendi ku thuhet Allahu Ekber”. Ndërkohë, ai hapur ka pranuar ndërhyrjen e vet në çështjen e fesë duke pohuar se ka bërë mëkate, ndër to, prurja e kryetarit aktual të BFI-së (“Ju kërkoj falje që në krye të BFI-së e vendosa kriminelin Sulejman Rexhepi” – TV Dukagjini, 2016).
Kryetari i parë i “Aleancës për Shqiptarët”, parti kjo produkt i PDSH-së, Sela, në vitin 2016 është paraqitur në xhami (Likovë), një radhë tjetër duke marrë abdest, ndonëse më herët ishin shfaqur fotografi të tij me shishen e birrës përpara. Sidoqoftë, “Aleanca për Shqiptarët”, e të dyja krahëve (Sela, Taravari), si parti qendër-djathtiste, është aktor laik që fokusohet në çështje si barazia gjuhësore, sundimi i së drejtës, anti-korrupsioni dhe integrimet europiane. “Lëvizja Demokratike” shpërfaqet gjithashtu sekulare, nuk shfrytëzon hapur simbolikë fetare për mobilizim elektoral.
Nuk qëndron larg fesë as partia më e madhe shqiptare në RM, e proviniencës majtiste, BDI, ndonëse në statutin e saj të 2009 dhe 2014 askund nuk përmendet feja. Krerët e kësaj partie në vigjile të zgjedhjeve janë fotografuar në restorantin privat të ish-kryetarit të BFI-së Rexhepi, ndonëse ky i fundit në ciklet zgjedhore dikur dërgonte letra qarkore deri te teologët që të mos përfshihen në fushata zgjedhore, në aktivitete politike, ndërsa nga ana tjetër açëk ka flirtuar me partinë pushtetare (djali i tij, i punësuar në medrese, sot në “VLEN”, ka qenë shef i shtabit zgjedhor të BDI-së në Komunën e Sarajit). Kryetari i kësaj partie në një tubim të vitit 2016 në Strugë ka thënë se ai e ka institucionalizuar fenë islame në Strugë, në Maqedoni, madje edhe atë hebreje dhe evangjelike. Në të njëjtën periudhë, në Dibër, ai madje ka marrë edhe rolin e hoxhës duke ligjëruar se “po të donte Zoti, do t’i bënte të gjithë njerëzit muslimanë. Ai i ka krijuar të krishterët, muslimanë, hebrenj, hindusë, budistë...”, se “nuk mund të ketë parajsë vetëm për muslimanët”, se “ka parajsë vetëm për njerëzit e mirë”. (Krasniqi, 2016) Në programin e zgjedhjeve të vitit 2016 kjo parti është paraqitur si “kultivuese dhe ruajtëse e trashëgimisë së patundshme kulturore”, ka paraparë restaurimin e xhamisë në Radnjë (Shtip), të Hajdar Kadiut (Manastir), të Sulltan Muratit dhe Allaxhës (Shkup) dhe të Hysejin Shahut (Saraj), ndonëse s’ka kurrfarë akcesi në këto veprime, sepse aktor në këto ndërmarrje është TIKA në bashkëpunim me BFI-në. BDI-ja ishte/është aktuale edhe me (mos)legalizimin e Medresesë së Isa Beut (në Shkup), me organizimin dhe sponsorizimin e iftareve masive të natës (syfyreve) gjatë Ramazanit 2024, ku morën pjesë mijëra besimtarë etj. Sipas një hulumtimi të realizuar më 2023 nga Religija.mk, IPIS, mbështetur nga “Konrad Adenauer” plot 53,8% (e të anketuarve) mendojnë se BDI ka ndikimin më të madh mbi BFI-në, ndërsa ndikimi i partive të tjera politike është pothuajse i papërfillshëm. Do shënuar se kjo parti islamin e përdor për kohezion komunitar, jo si ideologji. Një pjesë e mirë e lidershipit të saj nuk janë besimtarë praktikë, madje s’kanë shkelur në xhami.
Lidership i ndrojtur nga vetja
Partitë politike në Maqedoninë e Veriut gjithmonë i marrin parasysh bindjet fetare të votuesve, dhe në përputhje me to e krijojnë kursin dhe diskursin e tyre politik, duke e luajtur lojën në teatrin politik në akord me frymën e popullit që është dukshëm fetar. Qasja laike apo antifetare, në RMV nënkupton humbjen e betejës politike që para mbajtjes së zgjedhjeve. Partitë politike e instrumentalizojnë fenë për përfitime pushtetare; ato nuk kanë një kauzë jashtësisht të ndërthurur me fenë; e shfrytëzojnë fenë për legjitimitet kulturor, pa synime të jetësimit të një qeverisje në bazë të ligjit fetar. Në përgjithësi, partitë politike shqiptare, duke e pasur parasysh faktin se islami është në shënjestër globale, shpesh i ndërlidhur – padrejtësisht - edhe me radikalizmat dhe terrorizmin janë të kujdesshme në shfrytëzimin e elementit islam. Në këtë drejtim ndikim ka edhe kursi i partive simotra në Kosovë dhe Shqipëri që mbahen europiane dhe perëndimore në aspekt të ruajtjes së distancës me fenë, në veçanti me islamin, që në këto dy shtete lidershipi politik kyç - dhe një pjesë e inteligjencies komuniste - e konsideron si tetivë akiliane të shqiptarëve, qasje kjo vetëpërbuzëse dhe sociologjikisht absurde kur merret parasysh struktura religjioze e shqiptarëve. Një fenomen tjetër që duhet fokusuar është edhe fakti se në dallim prej Kosovës dhe Shqipërisë ku ka parti politike me atribute fetare (Partia Demokristiane, “Lëvizja Islame...”, popullata shqiptare e Maqedonisë – ndonëse me kulturë fetare shumë më të theksuar sesa dy vendet e tjera - nuk ka në regjistrin e vet një profil të tillë politik. Dhe në fund, të themi se është shumë rëndë të bëhet një shkëputje ekzakte se çka është ndjesi fetare autentike dhe çka është aktrim fetar në skenën politike.

