Rehan Neziri

 

Lajmi për sulmin me armë dhe vdekjen e dhjetë personave në një shkollë të Gracit në Austri, më 10 qershor 2025, nga ana e një ish-nxënësi të saj, na tronditi dhe na preku thellë të gjithëve. Ngushëllime familjeve, shoqeve e shokëve të viktimave si dhe autoriteteve shkollore për këto humbje kaq të mëdha.

Ne muslimanëve që jetojmë në Perëndim, vala e parë e këtyre lajmeve na brengos edhe një herë më shumë se këdo tjetër, pasi pyetjen e parë që e parashtrojmë në raste të këtilla është në mos është musliman autori i këtyre vrasjeve makabre. Pas kësaj pyetjeje qëndron frika se po të jetë musliman, ka dy alternativa: ai ose është nxitur nga ndonjë ideologji ekstremiste me sfond fetar islam, ose është një musliman që ka probleme të natyrave të përgjithshme si shumë bashkëmoshatarë të tjerë, si mossuksesi në shkollë, bullizimi nga ana e moshatarëve, përjetimi i diskriminimit nga ana e tij ose e familjes së tij në jetën e përditshme dhe në karrierë, problemet familjare, rastet e humbjes së personave të dashur në familje etj., dhe që në gjendje afekti a humbjeje të kontrollit e kryen aktin në fjalë. Në rastin e dytë, edhe pse nuk kemi të bëjmë me një akt të nxitur nga ndonjë ideologji fetare, gazetat e portalet si dhe mjaft politikanë e analistë nuk ngurrojnë që këto raste t’i „islamizojnë“ (në kuptim edhe të Olivier Roy dhe Tariq Ramadan), t’i ndërlidhin me fenë islame, e cila, sipas projicimeve të tyre, edhe ashtu ngërthen në vete mjaft shumë elemente dhune. Në ndërkohë që një i ri jo musliman që i kryen këto akte sipas këtyre motiveve të dyta do të quhej si një njeri me „çrregullime psikike e me probleme të tjera (a)sociale“, një i ri musliman, i kësaj kategorie, nuk e ka „privilegjin“ të quhet „i sëmurë psikik“, ai sërish do të quhet më së buti „musliman ekstremist“. Dhe pastaj pasojnë përgjithësimet dhe stigmatizimet e të gjithë muslimanëve si terroristë, ekstremistë, fashistë e çka jo tjetër.

Me këtë unë nuk kam ndërmend ta relativizoj apo, më së keqi, ta justifikoj dhunën e vrasjen po as edhe ta amnistoj fajtorin, qoftë ky të jetë edhe musliman apo si-musliman. Por, dua ta theksoj diskriminimin dhe padrejtësinë që bëhet në vlerësimin dhe kategorizimin e fajtorëve e të kriminelëve. Kjo është ajo që na lodh shpirtin në mënyrë të shtuar në rastet e këtilla si ky i Gracit dje.

Personalisht për tri vite e gjysmë e kam hulumtuar shkencërisht procesin e radikalizimit dhe të ekstremizimit të të rinjve muslimanë dhe në bashkautorësi me mikun tim Bashkim Aiu e kemi përpiluar librin me titull „Ekstremizmi në emër të Islamit“. Edhe te rastet e radikalizimit fetar të të rinjve muslimanë në Perëndim dhe bashkëngjitjes së tyre në radhët e ISIS-it asokohe, motiv kryesor dhe fillestar nuk ka qenë feja islame me mësimet e saj, por problemet e përmendura më lartë të natyrës personale, familjare, psiko-sociale, ekonomike etj. Feja, ose më mirë të them një interpretim rigjid dhe i shtrembëruar i fesë islame, tek më vonë gjatë procesit bëhet mjet mashtrues për indoktrinim. Këtë e dëshmojnë si studimet shkencore empirike në Zvicër ashtu edhe në Gjermani. Për më tepër, mund të lexoni në librin në fjalë.

Përgjegjës për këto procese radikalizimi dhe ushtrimi dhune e vrasjeje, nuk mund të merren vetëm të rinjtë; ata po se po, por edhe shumë faktorë të tjerë, si familja, shkolla, institucionet fetare, politika, media, interneti etj.

Kur jemi te ndikimi negativ i internetit dhe i rrjeteve sociale, këtë më së miri, ndër të tjera, mund ta shohim edhe te filmi i publikuar në mars të këtij viti në Netflix me titull „Adolescence“ (Adoleshenca). Ky është një mini-serial anglez, me katër pjesë, me karakter krimi-dramë.

Ky film ka tërhequr vëmendjen globale për mënyrën se si e trajton një nga temat më të ndjeshme të kohës sonë: dhunën tek adoleshentët. Pa u dorëzuar para klisheve të zakonshme dhe pa tentuar ta zbukurojë realitetin, ky mini-serial na vendos përballë një pyetje të frikshme: Çfarë e shtyn një fëmijë 13-vjeçar (Jamie) ta vrasë një shoqe të shkollës?

Ndryshe nga shumë produksione që nxitohen të japin shpjegime të thjeshta si “probleme mendore”, “familje e dëmtuar” apo “media toksike”, filmi „Adolescence“ nuk kërkon fajtorë të lehtë. Ai na fton ta kuptojmë një realitet kompleks, ku përgjegjësia nuk është vetëm e një individi apo institucioni, por e një ekosistemi të tërë që dështoi ta dëgjojë, ta kuptojë dhe ta mbrojë një fëmijë.

Në përpjekje për ta zbuluar të vërtetën, detektivi i policisë fillimisht mbështetet në teoritë klasike: shqyrton familjen, shoqërinë e ngushtë, sjelljen në shkollë. Por përballet me një mur. Kjo është një kritikë e qartë ndaj sistemeve tradicionale që ende përpiqen ta shpjegojnë krizën e brezave të rinj me lente të vjetra.

Në zemër të serialit qëndron një temë alarmante: bullizmi mes bashkëmoshatarëve, tashmë i zhvendosur nga mjediset fizike në ato virtuale. Në vend që të ndodhte në korridoret e shkollës, bullizmi ndodh në heshtje, në platformat digjitale – në formën e komenteve, shpifjeve, izolimit online. Dhe pasoja është e qartë: fëmijët izolohen, tërhiqen në vetvete dhe e bëjnë gabimin e radhës, fillojnë të kërkojnë kuptim për jetën në errësirën e internetit.

Vetmia e adoleshentëve sot ka përmasa pandemike. Shumë prej tyre nuk kanë më askënd me të cilin t‘i ndajnë brengat e tyre. Dhe kur komunikimi me prindërit është i dobët, kur sistemi arsimor është më shumë represiv sesa përkrahës, atëherë i vetmi mik i përhershëm mbetet ekrani – që shpesh më shumë i lëndon sesa i ngushëllon.

Një element tejet shqetësues që seriali e trajton me mjeshtëri është narrativa e “incelit” (involuntary celibate – beqaria e detyrueshme), një sub-kulturë interneti dhe një ideologji ku të rinjtë, që ndihen të përjashtuar nga shoqëria dhe marrëdhëniet, e përjetojnë veten si viktima të një padrejtësie të madhe. Në mungesë të një kuptimi tjetër për botën, ata krijojnë armiq imagjinarë dhe përpiqen ta rigjejnë kontrollin nëpërmjet dhunës. Seriali nuk e arsyeton këtë logjikë, por e shpalos si një pasojë tragjike të dështimeve tona kolektive.

„Adolescence“ është më shumë se një dramë krimi; është një pasqyrë e frikshme e një bote që nuk po arrin t‘i dëgjojë fëmijët e vet. Nuk është thjesht një histori për një vrasje të tmerrshme, por një thirrje për vetëdije: që prindërit të jenë më të pranishëm, që shkollat të mos jenë vetëm institucione disiplinuese, që shoqëria të mos vazhdojë të prodhojë fëmijë të vetmuar dhe të zbrazët shpirtërisht.

Seriali nuk na frikëson nga fëmijët, por nga shoqëria që i prodhon përbindëshat në heshtje.

Në film, vrasësi adoleshent (Jamie) e përsërit vazhdimisht: “Nuk e kam vrarë unë”. Edhe kur babai i tij, me të cilin ka marrëdhënie shumë të mira, i thotë “Ma thuaj të vërtetën”, ai prapë thotë: “Nuk e kam vrarë unë”. Ai sikur dëshiron të na thotë: “Nuk është faji im, nuk e kam vrarë unë, sistemi në të cilin jetoj, është përgjegjës… Familja ime që s’e ka as idenë se çfarë bëj unë në kompjuter, është përgjegjëse… Shkolla ime, ku mbizotëron dhuna mes bashkëmoshatarëve, është përgjegjëse… Serialet dhe lojërat kompjuterike që e promovojnë dhunën, janë përgjegjëse… Përkufizimet e suksesit që rrotullohen rreth pasurisë, famës, epshit, janë përgjegjëse…“

Filmi “Adolescence” nuk na pyet: “A është fajtor Jamie?” por: “Si e ndërtuam një Jamie?”

“Adolescence” është një pasqyrë sociale, këmbanë alarmi dhe vepër artistike në të njëjtën kohë. Nuk është argëtim i lehtë, por është thelbësor për të kuptuar çfarë po ndodh me djemtë tanë, me rininë tonë, me shoqërinë tonë.

Jua preferoj ta shikoni këtë film, i cili tanimë ka fituar një reputacion të mahnitshëm dhe tematika e të cilit po diskutohet me seriozitet si nga politikanët, ashtu edhe nga shkencëtarët dhe institucionet e ndryshme.

 

 

Kreuzlingen, 11.06.2025