5. Zgjidhi fjalët e dashurisë e të vlerësimit!

 

Dashurinë shprehe jo përbrenda por përjashta, jo ndaj vetvetes por ndaj atij që e ke karshi!

 
Fjalët dhe sjelljet e bukura e plot dashuri janë tërheqëse dhe joshëse si për njeriun me karakter të vrazhdë ashtu edhe për atë që është shumë romantik, si për të vegjlit ashtu edhe për më të vjetrit. Secili njeri ndjen nevojë për fjalë dashurie, miradije e vlerësimi të dozave të ndryshme. Kush më shumë e kush më pak, kryesorja të gjithë kemi nevojë për to, sepse ato na ngrohin zemrën. Trupi ynë mund të plaket, mirëpo shpirti asnjëherë. Sado që të jetë rritur dhe plakur njeriu, ai ka në vetvete një shpirt fëmije, një dimension fëmijëror, që pret të ledhatohet e të përkëdhelet vazhdimisht.

Në martesë bashkëshortët duhet t’i thonë njëri-tjetrit gjithmonë fjalë të mbushura me respekt dhe me dashuri. Ata mund ta thërrasin njëri-tjetrin edhe me emra ose me shkurtesa që i pëlqejnë njëri-tjetrit. Sjelljet që ia pëlqen tjetrit duhet t’ia shprehë, t’ia thotë. Ndaj sukseseve që i sheh te tjetri nuk duhet të sillet kinse nuk i sheh, pra s’duhet t’i shpërfillë, por për to ai duhet lavdëruar dhe uruar. Në qoftë se e bëjnë këtë, atëherë të dyja palët do të ndiejnë e do të kuptojnë se ata e vlerësojnë njëri-tjetrin në punët e mira dhe të suksesshme dhe kjo njëkohësisht i motivon dhe i nxit ata që të vazhdojnë edhe më fuqishëm më tutje me të njëjtat. Kjo sjellje e vlerësimit, e çmimit dhe e lavdërimit për punët e mira krijon vetëbesim te palët dhe e mban martesën dhe lidhjen bashkëshortore, por edhe mbarë familjen, më afër, më ngrohtë e më të dashur.  

 

وَلَسْتَ بِنَافِقٍ نَفَقَةً تَبْتَغِي بِهَا وَجْهَ اللَّهِ، إِلَّا آجَرَكَ اللَّهُ بِهَا حَتَّى اللُّقْمَةَ تَجْعَلُهَا فِي فِي امْرَأَتِكَ.

“Çfarëdo që të japësh lëmoshë, duke shpresuar në shpërblimin e All-llahut, Ai do të të shpërblejë gjithsesi, madje edhe për një copë buke që e vë në gojën e gruas sate.” (Buhariu, Muslimi)

Ky hadith sa flet për sadakanë, lëmoshën, po aq flet edhe për një detaj shumë të vogël por që për shtimin dhe kultivimin e dashurisë midis bashkëshortëve ka kuptim dhe rëndësi të madhe, e ajo është vënia e kafshatës së bukës në gojën e bashkëshortit ose të bashkëshortes. Jo përherë, por herë pas here, sidomos kur ata janë të vetmuar, duhet të përdorin sjellje dhe gjeste të këtilla, sepse këto vetëm se e mbajnë njëri-tjetrin më të afërt, më të lidhur e më të dashur.

Në një rast tjetër Muhammedi a.s. thotë:

 

 
إِنَّ الرَّجُلَ إِذَا نَظَرَ إِلَى امْرَأَتِهِ وَنَظَرَتْ إِلَيْهِ نَظَرَ اللهُ تَعَالَى إِلَيْهِمَا نَظْرَةَ رَحْمَةٍ، فَإِذَا أَخَذَ بِكَفِّهَا تَسَاقَطَتْ ذُنُوبُهُمَا مِنْ خِلاَلِ أَصَابِعِهِمَا.
 


“Kur burri e shikon gruan e tij dhe ajo e shikon atë, edhe All-llahu i shikon ata të dy me rahmetin (mëshirën) e Tij. E kur ai e kap gruan e tij për dore, atyre u bien mëkatet përmes gishtave të tyre (sikurse uji)”. (Sujutiu)

Të njëjtin kujdes duhet ta tregojnë edhe prindërit ndaj fëmijëve por edhe fëmijët ndaj prindërve të tyre: vlerësimi dhe urimi për punët e mira. Sepse kjo e shton dashurinë dhe afërsinë shpirtërore midis anëtarëve të familjes. Fëmijët që rriten duke ua njohur prindërit e tyre sjelljet, fjalët dhe qëndrimet e mira, rriten me një personalitet më të shëndoshë. Pra, secili në familje duhet ta ndiejë se po çmohet, vlerësohet dhe përfillet nga të tjerët. Kjo e bën familjen më të lidhur e më të konsoliduar. Me këtë është krijuar baza për një harmoni dhe dashuri të palëkundur në familje.




 

Shko te Përmbajtja e librit ...