Printo!
Kategoria: Të ndryshme
Lexuar: 1009 herë

Rejhan Neziri
 
 
Dertet, sikletet, problemet, nyjet janë pjesë e jetës sonë. Zakonisht ato nuk zgjasin shumë, krahasuar me momentet e lumtura dhe të këndshme të jetës.

Prandaj, ja nja dhjetë këshilla për zgjidhjen e tyre:

E para, ji mirënjohës për kohën më të madhe të jetës që e ke kaluar dhe që po e kalon i shëndetshëm, i gëzuar dhe i lumtur, pa brenga e pa derte!

E dyta, mos e harro të vërtetën kur‘anore se „pas vështirësisë vjen lehtësimi; vërtet pas vështirësisë vjen lehtësimi.“ (el-Inshirah, 94:6-7); se dertet e tua nuk janë të përjetshme.

E treta, mbështetu në Zotin, kërko ndihmën e ekspertëve dhe përkrahjen e familjes e të miqve për dertet e tua dhe ji i durueshëm, ji i qëndrueshëm! Mos u thyej, mos u dorëzo! Ti ke një Zot që është më i Madh se dertet e tua. 

E katërta, mos e luaj rolin e viktimës, mos u qaj dhe mos u anko vazhdimisht duke thënë: „pse vetëm mua më vijnë këto siklete?!“, por të gjitha këto përballoji me durim e me pjekuri! 

E pesta, përpiqu që sikletet e tua t’i vësh në vendin dhe në kontekstin e drejtë, duke ia parashtruar vetes këto pyetje:

   - Çfarë është më e keqja që mund të më ndodhë pas kësaj?
   - Cila mund të jetë rrjedha më e mirë e këtij problemi?
   - Cilat janë anët e mira të këtij problemi?
   - Si do ta shikoja unë këtë problem pas një viti ose pas dhjetë vitesh?
   - Çfarë jam i gatshëm të bëj për ta arritur zgjidhjen më të mirë që ia dua vetvetes?

E gjashta, jepi kohë vetes: fli ca kohë, bëj një pushim, bëje një shëtitje në natyrë, bëje një shëtitje në ndonjë vend më të largët… shkarkohu nga emocionet e tua, bëji vend mendjes dhe arsyes sate që ajo të reflektojë më esëll.

E shtata, merre pozicionin e vëzhguesit të jashtëm për problemet dhe dertet e tua: shikoji ato nga lart ose nga anësh, sikur të mos ishin të tuat, por të dikujt tjetër, si do t’i kishe zgjidhur ato? Nxirre veten nga strofulla e problemit, dil jashtë tij!

E teta, më shumë fokusohu dhe përqëndrohu te zgjidhja dhe te rrugët e zgjidhjes sesa te vetë problemi! Mos harro, shumica e problemeve janë lehtë të tejkalueshme!

E nënta, dertet dhe sikletet shikoji si një mundësi, si një rast (shans), për të krijuar diçka të re, të dobishme e të bukur në jetë! Le të jenë këto një mundësi shtesë për ta zhvilluar vetveten edhe më tej në jetë! Ji mirënjohës dhe krenar, kur ta kesh zgjidhur problemin!

E dhjeta, mësohu ta shikosh dhuratën dhe të bukurën që është fshehur pas çdo problemi! Pasi të ketë kaluar problemi, ne shpesh themi: «Kjo është më e mira që më ka ndodhur.»
 
 
Kreuzlingen, 22.03.2022