Mr. Rejhan Neziri
IDETË SOCIO-POLITIKE TË FARABIUT
Farabiu (Ebu Nasr Muhammed b. Muhammed b. Tarhan b. Uzluk) i lindur në krahinën Farab të Turkistanit më 870 dhe i vdekur në Damask rreth vitit 950, ka qenë ndër filozofët dhe mendimtarët e mëdhenj islamë që në botën latine të Mesjetës është njohur me emrin Alfarabius apo Avennasar. Ai është quajtur “Mësuesi i dytë/Magister secundus” pas Aristotelit i cili është quajtur “Mësuesi i parë/Magister primus”.
Është filozofi i parë që është orvatur të bëjë pajtimin e filozofisë klasike greke, sidomos të filozofisë politike greke me Islamin. Sipas disa burimeve thuhet se Farabiu ka shkruar më se njëqind vepra, një numër i konsiderueshëm i të cilave kanë të bëjnë me logjikën, metafizikën, fizikën, etikën dhe politikën.
Veprat në të cilat Farabiu i shpreh qartë dhe në tërësi idetë e tij socio-politike janë: es-Sijāsetu’l-Medenijjeh, el-Medīnetu’l-Fādileh, Tahsīlu’s-Se’ādeh dhe Fusūlu’l-Medenijj.
Shoqëria - domosdoshmëria dhe qëllimi i saj Duke u mbështetur në mësimet antike greke lidhur me njeriun si zoon politikon (qenie shoqërore/politike), Farabiu flet për domosdoshmërinë e krijimit të shoqërisë pa të cilën jeta e njeriut si individ do të ishte e pamundshme. “Çdo njeri është krijuar me një natyrë (el-fitrah) e cila ka nevojë për shumë gjëra lidhur me vazhdimësinë e llojit të vet dhe lidhur me arritjen e përsosurisë më të lartë. Ai s’ka mundësi që të gjitha këto t’i sigurojë vetë. Përkundrazi, ai ka nevojë për shumë njerëz: çdonjëri prej të cilëve do t’ia mbulonte një nevojë të tij të veçantë. Nga ky aspekt të gjithë njerëzit kanë të njëjtën pozitë ndaj njëri-tjetrit. Kështu, çdo individ këtë nevojë natyrore të tij për t’u përkryer mund ta realizojë vetëm përmes bashkëjetesës me njerëz të ndryshëm. Si rezultat i një kontributi të këtillë të gjithëmbarshëm të shoqërisë sigurohen mjetet përmes të cilave individi e vazhdon sojin e vet dhe e arrin përsosurinë më të lartë.”
Lexo artikullin e plotë në PDF.