Mr. Rejhan Neziri
FAMILJA NË ISLAM
Përse familja? Përse nëpër rrugët kryesore të qyteteve shqiptare muslimane kanë filluar të ngjiten pankarta të mëdha me fotografinë e një foshnje ku shkruan “DUA FAMILJE”? Përse nëpër vendet ku banojnë shqiptarët muslimanë janë hapur lokale ku veprojnë prostituta të huaja, të cilat vetëm nga një komunë e shqiptarëve muslimanë për në vendet nga kanë ardhur transferojnë shuma parash të mëdha që arrijnë shifrën edhe prej 10.000.000 € (dhjetë milionë euro) në vit, ndërkohë që buxheti vjetor i komunës së caktuar është vetëm 2.000.000 € (dy milionë euro)?
Përse numri i shkurorëzimeve është në rritje e sipër te shqiptarët muslimanë? Përse numri i të varurve prej drogës është gjithnjë në rritje te shqiptarët muslimanë? Përse në familjet shqiptare muslimane po vërehet një zbehje e dashurisë, një ftohje e marrëdhënieve të anëtarëve të saj? Përse vërehet indiferenca, mosçarja e kokës për gruan e fëmijën te shumë të rinj të martuar shqiptarë muslimanë? Përse në mesin e shqiptarëve muslimanë janë paraqitur sëmundje të ndryshme që të parët tanë s’kanë dëgjuar kurrë për to, siç është, p.sh. SIDA? Përse...? Këto dhe një varg pyetjesh të tjera si këto, domosdo na parashtrohen dhe me to ndeshemi pothuajse në çdo hap të jetës sonë. Është paraqitur një sëmundje e cila po rëndon mbi shoqërinë muslimane shqiptare dhe e cila ka një spektër të gjerë veprimi në të gjitha sferat e jetës. Vërehet një lëkundje e themeleve dhe bazave të shoqërisë sonë, lëkundja e themeleve të mini-shoqërisë që është familja, e cila domosdo në një të ardhme të afërt mund të karakterizohet me shembjen dhe rënien e tërë shoqërisë sonë. Janë këto simptomet e kësaj sëmundjeje e lëngate prej të cilave ka filluar të dergjë familja muslimane shqiptare, të cilat na detyrojnë që me seriozitetin më të madh t’i qasemi kësaj çështjeje nga të gjitha aspektet e saj, si nga ai fetar, ekonomik, politik, shoqëror, shëndetësor, arsimor, psikologjik etj. Familja shqiptare ka filluar të vuajë, pra, nga një lëngatë që kërkon intervenimin e shumë mjekëve të lëmive të ndryshme të jetës. Sigurisht që këtu në plan të parë ne e shohim intervenimin e përnjëkoshëm të teologut, sociologut, psikologut, politikanit, ekonomistit, pedagogut e të tjerëve që mund drejtpërdrejtë të ndikojnë në situatën e dhënë, e cila dikujt mund edhe të mos i duket edhe kaq tragjike sa e paraqitëm ose edhe sa po e vërejmë ne.
Lexo broshurën e plotë në PDF.