Mr. Rejhan Neziri

 

GLOBALIZIMI

 

Në fillim duhet të bëjmë dallimin midis termave globalizëm (globalism) dhe globalizim, globalizacion (globalization). Globalizmi, në thelbin e tij, përshkruan dhe shënon jo më tepër se një botë e cila karakterizohet me rrjete të lidhjeve që i kapërcejnë hapësirat multi-kontinentale.

Përkundër kësaj, globalizimi shënon rritjen ose zvogëlimin në shkallë të globalizmit. Ai fokusohet në forcat, dinamizmin ose shpejtësinë e këtyre ndryshimeve. Globalizmi, pra, e përshkruan realitetin e të qenët i ndërlidhur, kurse globalizimi përfshinë shpejtësinë në të cilën këto lidhje shtohen apo pakësohen.

Ne këtu do të merremi me konceptin ‘globalizim’, edhe pse për të njëjtën dukuri shpesh e hasim edhe termin globalizëm, sidomos e hasim të përdoret si një rrymë apo tendencë e cila e mbështet fort procesin e globalizimit. Ç’është e vërteta, ekzistojnë shumë përkufizime (definicione) për atë se ç’është në të vërtetë globalizimi dhe lirisht mund të thuhet se këto përkufizime në të shumtën e rasteve janë tepër subjektive dhe varen nga përvoja dhe pozita e përkufizuesit, në ai ka mendime e qëndrime pro ose anti-globaliste.

Një definicion tipik – mirëpo kufizues – mund të merret nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN ose IMF), i cili e thekson ndërvarësinë ekonomike gjithnjë në rritje të vendeve rreth e përqark botës përmes shtimit të vëllimit dhe shumëllojshmërisë së transaksioneve tej-kufitare në mallra e në shërbime, rrjedhjen e lirë ndërkombëtare të kapitalit si dhe shpërndarjen tejet të shpejtë e të gjerë të teknologjisë.

Ky definicion ka të bëjë më shumë me të ashtuquajturin globalizim ekonomik, ndërsa shumë të tjerë duken se pajtohen me atë se globalizimi më shumë është një koncept qytetërimi (civilizimi) me aspektet e ndryshme të tij ekonomike, politike, kulturore dhe teknologjike, të cilët mund të jenë ngushtë të gërshetuar me njëri-tjetrin.

Duke u mbështetur me sa u tha më lart, mund të themi se “Globalizimi është një term përfaqësues për një seri komplekse të ndryshimeve ekonomike, sociale, teknologjike, kulturore dhe politike, që vërehen në ndërvarësinë (interdependence), integrimin dhe ndërveprimin (interaction) gjithnjë në rritje midis popujve dhe kompanive në vende të ndryshme të globit, botës”.

 

Lexo artikullin e plotë në PDF.