10. Mundohu t’ia shkosh tjetrit në dashuri dhe në respekt!
Shpeshherë në martesë ndodhin edhe zënka midis bashkëshortëve dhe kjo duhet të shihet si shumë normale. Një proverb thotë: “Nuk ka oxhak pa tym dhe martesë pa zënka”.
Me rëndësi është që bashkëshortët të mësohen edhe si t’i tejkalojnë edhe momentet e krizës, të mospajtimit, bile edhe të zënkës, ashtu siç dinë të kalojnë edhe mirë. Për pak e për shumë, nuk është në rregull që ata t’ia përkujtojnë njëri-tjetrit të drejtat dhe detyrat që ata i kanë ndaj njëri-tjetrit. Sepse vetëm ana formale e këtyre të drejtave dhe e përgjegjësive, siç kemi thënë më herët, nuk e siguron dashurinë midis burrit dhe gruas. Këto të drejta dhe detyra e rregullojnë martesën në vija të përgjithshme dhe, në rend të parë, e mbrojnë njëri-tjetrin nga padrejtësia, që të mos e shkelin njëri-tjetrin nga aspekti juridik, mirëpo këto vetvetiu nuk krijojnë respekt, mirëkuptim dhe dashuri midis tyre. Respekti dhe dashuria duhet të kultivohen vazhdimisht, se jeta.
Dashurisë duhet t’i bëjnë hyzmet të dytë, edhe burri edhe gruaja. Madje ata duhet të shtyhen, të garojnë në faktin se cili do ta dojë më shumë tjetrin dhe jo cili ka më shumë të drejtë për respekt e dëgjueshmëri.
Kurdo-kurdo njeriu duhet të dijë, të kuptojë dhe t’i përgjigjet vetvetes: nëse dëshiron më shumë të dojë apo të duhet nga dikush. Kjo e përcakton edhe tipin e personalitetit të tij në martesë: është një person që do apo që pret të duhet, është një person që për dashurinë është i gatshëm të flijojë gjithçka apo është një person që edhe në dashuri tregon narcizëm dhe egoizëm.
Pra, mos prit që të të dojë tjetri, të duhesh nga të tjerët, por duaj edhe ti, dhuro dashuri edhe ti, bile ti bëhu i pari që do të duash dhe që do të duash më shumë se kushdo tjetër. Ky është çelësi i suksesit në familje.
Dashuria, ndër të tjera, matet me atë se sa je i gatshëm të flijosh, të sakrifikosh për të!
Shko te Përmbajtja e librit ...