RUAJTJA E FAMILJES

 
Nga vetë rëndësia që ka familja për individin dhe për bashkësinë, lind edhe nevoja për ruajtjen e saj nga elementet dhe sjelljet shkatërruese të saj. Për këtë ndërkaq duhet të kenë kujdes të gjithë anëtarët e familjes veç e veç, secili nga aspekti i vet. Mënyra më e mirë për këtë është sjellja e përgjegjshme ndaj detyrave që secili i ka ndaj Zotit, ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve.

Ndër gjërat që më së shumti e kërcënojnë stabilitetin dhe funksionalitetin e familjes janë veset e këqija si dhe dhuna me të gjitha llojet e saj.

1. Ndër veset e këqija që më së shumti e kërcënojnë familjen janë tradhtia bashkëshortore, përdorimi i alkoolit dhe bixhozi apo kumari me të gjitha llojet e tij. Këto tri vese thuajse janë të pandashme: ai që tradhton, ai e përdor edhe alkoolin dhe luan edhe bixhoz. Këto tri vese e ushqejnë dhe e mbështesin njëri-tjetrin.

Sa e sa familje janë shkatërruar për shkak të babait, nënës apo fëmijëve alkoolikë?! Sa e sa familje janë shkatërruar për shkak të tradhtisë bashkëshortore (zinasë) të ndonjërit nga anëtarët e familjes?! Sa e sa familje janë shkatërruar për shkak të bixhozit, kumarit nëpër kazino dhe të llojeve të tjera të tij nëpër bastore?!

Për fat të keq, për të tria këto vese janë krijuar sektorë të posaçëm përfitimi material. Është krijuar një industri e veçantë për përfitim të pandershëm. Nga të gjitha këto vese të këqija “fiton” vetëm e keqja, vetëm njerëzit që në mënyrë të organizuar merren me përhapjen e tyre, si lokalet e alkoolit, të kumarit, të kurvërisë etj. Sa e shëmtuar është të pasurohesh në saje të dobësive dhe rënies në grackën e veseve të këqija të këtyre njerëzve me karakter të dobët?!

Është interesante dhe shumë indikative se të tria këto vese më së shumti janë të përhapura në shoqëritë dhe vendet e varfra. Këto vese dhe varfëria sikur kanë lidhur një koalicion dhe një bashkëpunim të padiskutueshëm e të amshueshëm. Tradhtia bashkëshortore, alkooli dhe bixhozi e ushqejnë dhe e shtojnë varfërinë. Nga ana tjetër, edhe varfëria e ushqen dhe e shton tradhtinë bashkëshortore, përdorimin e alkoolit dhe në veçanti bixhozin, me shpresën për ta tejkaluar njëherë e përgjithmonë varfërinë.

2. Elementi i dytë që e kërcënon më së shumti familjen është dhuna brendafamiljare. Përderisa dhuna shoqërore është e dukshme dhe vërehet nga shumëkush, dhuna brenda familjes në të shumtën e herëve mbetet e fshehtë, e padukshme, andaj edhe e padënueshme, sidomos nëse kësaj ia shtojmë edhe mendësinë e përhapur në popull e cila në një farë dore e arsyeton dhunën brendafamiljare me shprehjet e njohura, si “Kjo është pjesë e jetës private”, “Ndodhin gjëra të këtilla midis burrit dhe gruas”, “Ai është baba, edhe të do edhe të rreh” e të ngjashme.

Aty ku problemet nuk mund të zgjidhen me komunikim dhe me dialog, aty përdoret dhe ushtrohet dhuna. Dhuna nuk është metodë për zgjidhjen e problemeve, por ushtrim i presionit dhe i shtypjes mbi tjetrin, nga më i fuqishmi mbi më të pafuqishmin, mbi të dobëtin. Me fjalë të tjera, dhuna është përdorim i forcës në mënyrë të padrejtë, ajo është zullum.

Të gjitha llojet e dhunës janë shkatërrimtare. Mirëpo më shkatërrimtare është dhuna mbi anëtarët e një familjeje nga vetë anëtarët e tjerë të saj. Sepse, kjo nuk është kërcënim vetëm për individët, por për mbarë shoqërinë, nga vetë fakti se familja është njësia më e vogël e saj. Dhuna brenda familjes i lëkund themelet e mbarë shoqërisë. Në qoftë se në vendin ku pritet të kultivohet mirëkuptimi, toleranca, dashuria dhe respekti i ndërsjellë, mbisundon keqkuptimi, mosdurimi, urrejtja dhe mosrespektimi; në qoftë se në vendin ku njeriu pret ta ndiejë veten më të sigurt e më të qetë, ai e ndien veten jo të sigurt dhe jo të qetë; kjo nënkupton lëkundjen e tmerrshme të themeleve të mbarë shoqërisë. Anëtarët e familjes që përjetojnë dhunë nga njëri-tjetri e humbasin shpresën dhe sigurinë në më të shtrenjtën e tyre. Atyre që u rrënohet personaliteti për shkak të dhunës ata nuk do të mund t’u besojnë lehtë as edhe personave të tjerë jashtë familjes po as edhe institucioneve të tjera serioze të shoqërisë.

Dhuna shkakton plagë trupore (fizike), dhe shpirtërore (psikike), që zor se mund të riparohen. Nga dhuna familjare në veçanti preken fëmijët, për çka ekziston edhe rreziku më i madh që ata, qetësinë dhe sigurinë shpirtërore që nuk e gjejnë dot në familje, do të mundohen ta gjejnë e ta kompensojnë tek alkooli, te droga, te bixhozi si dhe te anëtarësimi në shoqata e organizata ekstremiste dhe terroriste. Kjo nënkupton, se dhuna prindërore ndaj fëmijës ka krijuar një përbindësh i cili do ta kërcënojë tërë shoqërinë.

Në përmasa më të mëdha dhuna në familje ushtrohet kryesisht nga burri ndaj gruas dhe nga prindërit ndaj fëmijëve, edhe pse edhe rastet e kundërta kohëve të fundit dhe në raste të veçanta janë po ashtu evidente, sidomos kur burri dobësohet fizikisht në raport me gruan apo edhe kur prindërit plaken dhe mbeten të varur ndaj fëmijëve të tyre.

Arsyet për ushtrimin e dhunës familjare janë disa llojesh: biologjike, psikologjike, sociale madje edhe disa interpretime fetare.

Ndër arsyet biologjike të dhunës zakonisht numërohen sëmundjet mendore si ndikimi i hormoneve të mashkullit, skizofrenia, skizofrenia paranoide si dhe çrregullimet antisociale të personalitetit të njeriut.

Ndër arsyet psikologjike të dhunës zakonisht numërohet mungesa e komunikimit, e dialogut, e bisedës dhe e mirëkuptimit të ndërsjellë. Atëherë kur lëndohet dhe shembet ndjenja e sigurisë dhe e respektit ndaj njëri-tjetrit, aty depërton dhuna në mënyrë shumë tinëzare. Burri - në raport me gruan - dhe prindërit - në raport me fëmijët - e përdorin dhunën kryesisht për ta çuar në vend fjalën e vet, për të ushtruar presion, për të mbuluar të metat e veta dhe për ta legjitimuar pushtetin brenda në familje. Pika më e dobët e burrit apo e prindit është ajo kur ata ushtrojnë dhunë mbi anëtarët tjerë të familjes. Me fjalë të tjera, dhunë mbi më të dobëtit ushtrojnë njerëzit me personalitet dhe me karakter të dobët.

Ndër arsyet sociale të dhunës mund të numërojmë mësueshmërinë e dhunës. Ushtrimi i dhunës është diçka që mësohet kryesisht në familje. Është provuar shkencërisht se ata fëmijë dhe të rinj që rriten në familje ku dhuna – edhe ndaj tyre - ushtrohet në mënyrë sistematike, tregojnë prirje më të mëdha për ushtrim të dhunës ndaj të tjerëve më vonë. Si arsye sociale mund të përmendet edhe fakti se në disa shoqëri e rrethe dhuna kuptohet dhe interpretohet si një masë e mirë disiplinimi, andaj edhe si një vlerë, si diçka e mirë, e cila jo vetëm që meriton, por edhe duhet të përcillet në brezat e ardhshëm. Në këtë drejtim, si arsye sociale mund të përmendet edhe mungesa e aftësisë për komunikim normal dhe të arsyeshëm, të argumentueshëm, shprehia për të shprehur në mënyrë provokuese idetë dhe ndjenjat personale, paragjykimet dhe fajësimet e pavend ndaj të tjerëve... Ndër këto arsye mund të përmenden edhe elementet e presionit socio-ekonomik siç është varfëria, ndjenja e paaftësisë ndaj situatave të ndryshme në jetë, frustracioni ose mosplotësimi i pritshmërive njerëzore... si dhe përfundimisht varësia nga alkooli, droga, bixhozi dhe veset tjera të këqija që i përmendëm më lart.

Ndër arsyet fetare për ushtrimin e dhunës mund të përmendim interpretimin e gabuar të teksteve fetare si dhe botëkuptimin e gabuar të disa çështjeve morale. Ndër tekstet fetare më të keqkuptuara dhe më të keqpërdorura në botën islame janë ajetet kur’anore si dhe hadithet e Muhammedit a.s. të cilat gjoja e lejojnë, madje e sugjerojnë, përdorimin e dhunës në familje. Kështu ajeti 34 i sures 4, en-Nisa’, sipas mendësisë patriarkale, sugjeron rrahjen e gruas kryeneçe si masë disiplinimi ndaj saj për ta ruajtur kompaktësinë familjare. Ajeti është siç vijon:

 

الرِّجَالُ قَوَّامُونَ عَلَى النِّسَاءِ بِمَا فَضَّلَ اللَّـهُ بَعْضَهُمْ عَلَىٰ بَعْضٍ وَبِمَا أَنفَقُوا مِنْ أَمْوَالِهِمْ فَالصَّالِحَاتُ قَانِتَاتٌ حَافِظَاتٌ لِلْغَيْبِ بِمَا حَفِظَ اللَّـهُ وَاللَّاتِي تَخَافُونَ نُشُوزَهُنَّ فَعِظُوهُنَّ وَاهْجُرُوهُنَّ فِي الْمَضَاجِعِ وَاضْرِبُوهُنَّ فَإِنْ أَطَعْنَكُمْ فَلَا تَبْغُوا عَلَيْهِنَّ سَبِيلًا إِنَّ اللَّـهَ كَانَ عَلِيًّا كَبِيرًا


“Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase All-llahu ka graduar disa mbi disa të tjerët dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre. Prandaj, me atë që All-llahu i bëri të ruajtura, gratë e mira janë respektuese, janë besnike ndaj të fshehtës. E ato që u keni druajtje kryelartësisë së tyre, këshilloni, madje largohuni nga shtrati, (e më në fund) edhe rrihni (lehtë, nëse nuk ndikojnë këshillat as largimi), e nëse ju respektojnë, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre. All-llahu është më i larti, më i madhi.”

Duke qenë se All-llahu xh.sh. sugjeron kultivimin e qetësisë, të rehatisë, të dashurisë e të mëshirës në familje – siç pamë më lart në ajetin 21 të sures 30, er-Rum – dhe duke qenë se vetë Muhammedi a.s. nuk e ka përdorur rrahjen apo dhunën kurrë ndaj askujt, as ndaj fëmijëve e as ndaj grave, dhe duke qenë se Muhammedi a.s. vetë i ka qortuar burrat të cilët kanë pasë ushtruar dhunë ndaj grave, dhe duke qenë se edhe vetë ai në raport me bashkëshortet e tij ka pasur fërkime e mospajtime, por që kurrë nuk e ka përdorur dhunën, atëherë mbetet e tepërt që fjala e ajetit kur’anor “... dhe rrihni ato...” të kuptohet e të interpretohet si sugjerim apo urdhër për dhunë. Sipas mendimtarëve siç janë Muhammed Abdullah Draz, Tahir bin Ashur, Süleyman Ateş, Hayrettin Karaman, Mustafa İslamoğlu etj., të cilët angazhohen për një komentim bashkëkohor të Kur’anit fisnik, urdhri për t’i rrahur gratë kryeneçe në këtë kohë duhet të kuptohet si një përjashtim nga konteksti i përgjithshëm kur’anor dhe që lidhet me kohën e shpalljes së Kur’anit fisnik. Në atë kohë ishte shumë e zakontë që gratë të rriheshin pa arsye dhe pa masë nga ana e burrave të tyre, andaj ky ajet kur’anor e kufizon këtë veprim vetëm në raste të veçanta, në masë të caktuar dhe sipas një radhe të caktuar, duke dhënë shenjë se kjo masë “disiplinore” gradualisht duhet të çrrënjoset nga shoqëria islame. Sidomos nëse e kemi parasysh përkufizimin e Muhammedit a.s. në hutben e tij lamtumirëse me fjalën “gajr muber-rah”, si “rrahje e lehtë” që nuk lë gjurmë në trup, por që më shumë nënkupton jo rrahje, aq më pak dhunë, por shprehje të hidhërimit dhe pezmatimit të burrit për disa sjellje eventualisht jo të hijshme të gruas së tij. Dijetari Tahir bin Ashur thotë se mënyra e shprehjes së mospajtueshmërisë me disa sjellje të njëri-tjetrit në jetën bashkëshortore në kohë dhe në kultura të ndryshme shprehet ndryshe-ndryshe. Prandaj, me këtë rast, për bazë merret praktika e kohës, e vendit dhe e kulturës në të cilën jetojnë muslimanët. Kjo është fryma e ajetit të mësipërm.

Sot kësaj lirisht do të mund t’i thoshim jo “rrihni ato!”, por për shembull “jepuni vërejtje të dokumentuar me shkrim”.

Ose-ose, në kohën e sotme kjo “masë disiplinore”, pra rrahja, duhet të tejkalohet apo të shfuqizohet, e të kalohet në masat tjera edhe më efikase se këto që përmenden në Kur’an, gjë që për mendimin tim nuk e dëmton aspak frymën e përgjithshme të Kur’anit e të Islamit. Mu ashtu si Omeri r.a. i cili e shfuqizoi për shembull kategorinë e personave që duhej “t’u ngroheshin e fitoheshin zemrat”, kur ishte në pyetje dhënia e zekatit. Teksti mbetet edhe më tej në Kur’an, mirëpo ai e shfuqizoi dhe e shpalli për të pavlefshme këtë kategori njerëzish, të cilët nisën ta keqpërdornin mirësinë e Islamit. Nuk e di sot a ka keqpërdorim më të madh sesa rrahja dhe dhuna familjare?

Se kjo është kështu, këtë e dëshmojnë provat e mëposhtme.

Në raport me sjelljen e burrave ndaj grave All-llahu Fuqiplotë e sjell parimin universal që vlen për të gjitha kohërat dhe për të gjitha vendet dhe kulturat:

 

وَعَاشِرُوهُنَّ بِالْمَعْرُوفِ


“.. silluni mirë (çoni jetë të mirë) me to ..!” (en-Nisa’ 4:19)

Nga ana tjetër, dihet mirëfilli se Muhammedi a.s. i ka qortuar burrat që asokohe i rrihnin gratë e tyre duke u thënë:

 

أَيَضْرِبُ أَحَدُكُمُ امْرَأَتَهُ كَمَا يَضْرِبُ الْعَبْدَ ثُمَّ يُجَامِعُهَا فِي آخِرِ الْيَوْمِ؟


“Si bëhet që dikush prej jush e rreh gruan e vet (ditën)si të ishte ajo një skllave e pastaj në mbrëmje të shkojë ta përqafojë e të flejë me të?!” (Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Ibni Maxhe)
 

لَا تَضْرِبُوا إِمَاءَ اللَّهِ... لَقَدْ طَافَ بِآلِ مُحَمَّدٍ نِسَاءٌ كَثِيرٌ يَشْكُونَ أَزْوَاجَهُنَّ لَيْسَ أُولَئِكَ بِخِيَارِكُمْ


“Mos i rrihni robëreshat e All-llahut (gratë)! … Kanë ardhur shumë gra te familja ime të cilat janë ankuar për burrat e tyre (se ata i rrahin ato).Dijeni që këta burra nuk janë më të mirët nga mesi juaj”. (Ebu Davudi)

Kur një grua e quajtur Fatima bint Kajs erdhi te Muhammedi a.s. të këshillohej me të për martesë, pasi asaj ia lypnin dorën tre burra të ndryshëm, njëri quhej Mu’avije, tjetri Ebul Xhehm dhe i treti Usame, atëherë Muhammedi a.s. iu përgjigj: “Mu’avija është shumë i varfër, ndërsa Ebul Xhehmi është një njeri që e ka shprehi t’i rrahë gratë shumë (darrabu’n-nisa’). Unë të preferoj të martohesh me Usamen”. (Muslimi)

Këtu Pejgamberi a.s. sikur po e denoncon haptazi Ebul Xhehmin dhe njerëzit e llojit të tij, si njerëz të padëshirueshëm, jo vetëm për martesë.

Transmeton Aisheja r.a., gruaja e Pejgamberit a.s., si vijon:

 

مَا ضَرَبَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ شَيْئًا قَطُّ بِيَدِهِ وَلاَ امْرَأَةً وَلاَ خَادِمًا


“Pejgamberi i All-llahut a.s. kurrë nuk e ka goditur me dorë askënd, asnjë grua dhe asnjë shërbëtor (apo fëmijë)”. (Muslimi)

Ebu Dherri r.a. e transmeton nga Muhammedi a.s. këtë hadith kudsijj:

 

يَا عِبَادِي إِنِّي حَرَّمْتُ الظُّلْمَ عَلَى نَفْسِي وَجَعَلْتُهُ بَيْنَكُمْ مُحَرَّمًا فَلَا تَظَالَمُوا


“(All-llahu xh.sh. thotë:) ‘O robërit e mi, Unë ia kam ndaluar Vetvetes padrejtësinë dhe zullumin, këtë jua ndaloj edhe juve, prandaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit!” (Muslimi)

Muhammedi a.s. ka thënë:

 

اِتَّقُوا اللَّهَ فِي الضَّعِيفَيْنِ: النِّسَاءِ وَالْيَتِيمِ


“Kini frikë All-llahun për hakun e dy të dobëtëve: grave dhe jetimëve”(Abdurrezzak es-San’ani)

Muhammedi a.s. edhe vetë ia ka drejtuar këtë lutje All-llahut Fuqiplotë:
“O All-llah, kam druajtje (më ruaj) ndaj hakut të dy të dobëtëve: jetimit dhe gruas!”. (Nesaiu dhe Ibni Maxhe).
 
 
 
 

 Shko te Përmbajtja e librit...