ROLI DHE RËNDËSIA E FAMILJES
“Familja është kështjella më e mrekullueshme dhe më e sigurt në të cilën nuk ka vend e keqja”.
Kujdesi gjatë përzgjedhjes së bashkëshortit dhe të bashkëshortes nuk është me rëndësi vetëm për lumturinë e vetë çiftit bashkëshortor, por edhe për vazhdimësinë dhe stabilitetin e mbarë familjes.
Për plotësimin e nevojave të tij biologjike, ekonomike, sociale, kulturore dhe shpirtërore, njeriu ka nevojë të pashmangshme për një familje të shëndoshë e të strukturuar mirë.
Plakja e vazhdueshme e popullsisë, vetmia shpirtërore në mesin e turmës, krimet e ndryshme, ekstremizmi dhe terrorizmi, sëmundjet e ndryshme psiko-somatike, janë plagët më të dukshme të shoqërisë moderne. Të gjitha këto, në një farë dore, bazën e kanë në një familje jo të shëndoshë ose madje edhe në mungesën e familjes.
Edhe pse në shoqëritë moderne, funksionet që i ka luajtur më herët familja, mëtohen të plotësohen nga aktorë, ente e institucione të ndryshme qeveritare dhe jo-qeveritare, prapëseprapë asnjëra prej tyre nuk mund ta zërë vendin dhe ta luajë rolin e vërtetë të familjes.
Qeveritë e sotme investojnë shuma të larta parash për krijimin e politikave moderne për evitimin e këtyre pasojave që lindin nga mosfunksionimi i shëndoshë i familjes dhe atë që dikur mëtuan ta merrnin në duar të veta, tanimë janë duke menduar seriozisht t’ia kthejnë sërish familjes dhe ta forcojnë familjen në rrënjët e saj. Për shembull, shërbimet shumë moderne shëndetësore e të tjera nëpër shtëpitë e pleqve, shtetet moderne janë duke tentuar t’i rikthejnë në shtëpi dhe në familje, duke angazhuar personelin e nevojshëm për vizita të kohëpaskohshme të pacientëve apo klientëve të tyre nëpër shtëpitë private dhe duke u ofruar subvencione anëtarëve të familjes që të kujdesen vetë për njeriun e tyre. Ngrohtësinë dhe ëmbëlsinë shpirtërore që e ofron shtëpia dhe familja, nuk ta ofron dot asnjë institucion tjetër shoqëror.
Besoj se në këtë kontekst është e tepërt të flitet për faktin tanimë të dëshmuar me mjete shkencore empirike se shumica e të rinjve kriminelë, ekstremistë e radikalë rrjedhin nga familje që nuk funksionojnë shëndetshëm, nga familje ku anëtarët e saj nuk i përmbushin detyrat dhe përgjegjësitë që priten prej tyre.
Edhe një herë po e përsërisim faktin se individët e shëndoshë e krijojnë familjen e shëndoshë, familja e shëndoshë mundëson krijimin e një shoqërie të shëndoshë. Po edhe procesi i kundërt është po aq i vërtetë, se një shoqëri e shëndoshë e mbështet krijimin e një familjeje të shëndoshë, një familje e shëndoshë e mbështet zhvillimin e shëndoshë të secilit individ të saj. Ky ndikim vargor dhe reciprok është i pashmangshëm.
Le ta ilustrojmë këtë me një shembull tipik:
“Një baba, i lodhur shumë nga puna, vjen në mbrëmje në shtëpi. Sapo e hap derën e shtëpisë, djali i tij pesë vjeç i ngjitet për këmbësh dhe e lut të dalin në oborr të lozin bashkë. Nga njëra anë vetë i rraskapitur nga puna e nga ana tjetër as fëmijës nuk dëshiron t’ia prishë qejfin. Fatmirësisht, mbi tavolinën e punës në dhomën e tij e sheh një hartë të botës. E merr atë, e gris copë-copë, dhe i thotë djalit: ‘Nëse i ribashkon pjesët e kësaj harte, do të dalim të lozim bashkë’. Me mendimin se kjo do të ishte punë e rëndë për një të rritur, e lëre më për një fëmijë. Në ndërkohë ky do të pushonte pakëz në kanape, ndërkaq djalin do ta zinte gjumi duke u përpjekur ta rikrijonte hartën e botës. Nuk kalojnë as pesë minuta, djali vjen me të shpejtë dhe i thotë babait: ‘E mbarova, babi!’. Babai i habitur dhe plot dyshime e pyet: ‘Si arrite ta bësh këtë kaq shpejt?’. Djali i përgjigjet: ‘Babi, në anën e pasme të hartës ishte figura e një njeriu. Duke u mbështetur në ndërtimin e njeriut, e ndërtova edhe hartën e botës’”.
Po pra, po e ndërtove një individ të shëndoshë, ke ndërtuar një familje të shëndoshë. Po ndërtove një familje të shëndoshë, ke ndërtuar një shoqëri dhe një botë të shëndoshë. Neve kjo na nevojitet zaten.
Shko te Përmbjtja e librit ...