Dr. Metin IZETI
PARAMETRAT FETARË NË FORMIMIN DHE PËRJETIMIN E IDENTITETIT TË VËRTETË
“Ekzistenca e unit është e varur prej prodhimit dhe formimit të qëllimeve
Vazhda e jetës është e varur prej ekzistencës së cakut dhe qëllimit.
Zilja e këtij karvani udhërrëfyes është caku dhe qëllimi”.
Muhammed Ikbal
“Kush është kundër historisë, nuk ka mundësi që përnjëherë të vërejë se
për cilën histori është... Edhe historia e filozofisë mund të jetë vetëm
një formë ku do t’i kushtohet rëndësi kujdesit për atë që vjen,
nëse kemi dëshmitarë në atë që ka kaluar”.
Hans Blumenberg
Çështja e identitetit është temë mjaftë origjinale, frymëzuese, provokuese dhe motivuese nga aspekti shkencor, ndërsa mbi të gjitha këto, mjaft e dobishme nga aspekti shoqëror në një kohë të tranzicionit qytetar dhe katrahurës marramendëse të globalizmit, kur popujt dhe mjediset e ndryshme të përmbledhura në këtë proces përpiqen të gjejnë identitetin e tyre autentik socio-kulturor. Manifestimet e ndryshme të identitetit të njeriut dhe shoqërisë moderne paraqesin trajtat e ndryshme të qenësisë së tyre shoqërore. Këto trajta të ekzistencës shoqërore e përbëjnë botën reale të njeriut, ashtu si ai e jeton dhe si konceptualisht e reflekton në vetëdijen shoqërore. Pikërisht për këtë, diskutimi rreth identitetit ngërthen përfshirjen e këtij problemi të ekzistencës njerëzore në dy aspekte kryesore, edhe atë: personal, të brendshëm dhe socio-kulturor, të dukshëm.
Feja dhe literatura e shenjtë - në rastin e Islamit, Kur’ani dhe Hadithi- zgjaten dhe kanë ndikim në të dyja aspektet e përfaqësimit të identitetit thelbësor dhe qenësor njerëzor si dhe manifestimit të tij nëpërmjet kulturës dhe traditës së ngritur nga ky thelb fetar në përditshmërinë shoqërore.
Ç’është identiteti personal i brendshëm?
Çështja e personit është problem kryesor i filozofisë ekzistenciale. Unë them “unë” para se të jem i vetëdijshëm për personin tim. “Uni” është i parmë dhe jo i diferencuar dhe nuk parafytyron studimin e individuës. Uni është dhunti iskonike, ndërsa individua arritje latidudinale hapësinore. Unë në vete duhet të sendërtoj person dhe ky sendërtim është luftë dhe përpjekje e palodhshme. Vetëdija për personin dhe sendërtimi i personalitetit janë të dhimbshme. Personi paraqet dhimbje dhe shumica pajtohen me humbjen e tij për të mos e ndier këtë dhimbje. Vetë ideja e xhehennemit është e lidhur ngushtë me kultivimin e personit. Individua pa personalitet nuk e njeh ferrin. Personi nuk është identik me individuën, pasi individua është kategori natyraliste dhe biologjike. Individu nuk është vetëm shtaza dhe bima, por edhe perla, gota, lapsi. Personi është kategori shpirtërore e jo natyraliste. Ai i përket përmasës shpirtërore e jo përmasës fizike. Ai krijohet me depërtimin e shpirtit në materie. Nuk ka person pa inkuadrimin e shpirtit në strukturën trupore të njeriut. Njeriu mund të ketë individualitet hamendës, por të mos ketë personalitet.
Lexo artikullin e plotë në PDF.