Printo!
Kategoria: Psikologji
Lexuar: 774 herë

 

Dr. Musa Musai

 

AMULLIA E PSIKOLOGJISË SË MODERNITETIT

 

Njeriu i sodit në kuptimin thelbësor të fjalës është në një gjendje shqetësuese psikike dhe shpirtërore. Ai dita ditës më tepër është duke e tëhuajsuar dhe tjetërsuar vetveten. Situata kuptimore e humanumit bashkëkohor në masë të madhe e përkujton gjendjen në të cilën u fut shpirti ademian përderisa qëndronte i varur ndërmjet detit dhe tokës ose në udhëkryqin e parajsës qiellore të humbur dhe parajsës tokësore të pazbuluar. Në të vërtetë njeriu bashkëkohor është në situatë edhe më të rëndë qenësore se origjina e tij ademiane. Ademi nuk ishte i ngarkuar me barrën e rëndë epistemologjiko-ekzistencialiste të traditës, as asaj të së mirës e as të së keqes. Sot njeriu ka ardhur në gjendje ku më nuk mund të pohojë se është simbol i prejardhjes së vetë e as metonim i fenomenologjisë së tij botërore. Ai në momentin është i paemër. Qetësia eterne e shpirtit të tij primordial me një shpejtësi marramendëse është duke u rrokullisur në shqetësimin vertikal dhe horizontal të provincializimit.

Njeriu me një shpejtësi të madhe dhe dinamizëm është duke u mekanizuar dhe sa vjen e duke dalë nga konteksti i të qenët njeri. Globalizimi si dhe mënyra e konsumimit kapitalist të cilin e ka para vetes, individin është duke e shndërruar në një mjet të sistemit konsumues kapitalist. Procesi i globalizimit të botës është duke u zhvilluar në trajtë të përshpejtuar në të gjitha fushat e jetës pa vizion dhe analizë të qartë se ku çon ai, çfarë është kuptimi dhe cilat do të jenë pasojat për njerëzimin dhe sistemin global botëror. Njeriu në këtë proces e fut veten në ankthe të njëpasnjëshme edhe nga përmasa qenësore dhe si rrjedhojë paraqitet një tëhuajësim i plotë i ndjenjave të tij.

E tërë kjo përjetohet në një kohë kur nga njeriu pritet një përparim dhe rehati ekonomike, me anë të së cilës, sipas mendimësisë bashkëkohore, do t’u shmangeshim të gjitha shqetësimeve në lidhje me të ardhmen. Shpresa jonë është që çdo gjë të jetë më mirë se në të kaluarën, mirëpo ec e shih se individua njerëzore është duke i përjetuar ankthet dhe shqetësimet më të mëdha në historinë e njerëzimit. Që kriza të jetë edhe më e thellë, shpëtimi kërkohet në terapitë medikamentoze. Për pasojë kompani të ndryshme barnash tentojnë të jenë zgjidhje e çdo një shqetësimi apo gjendjeje të padëshiruar; përpjekja është që për çdo anomali senzuale të njeriut të prodhojë ilaç. Përkundrazi, me këtë bëhet kolonizimi më i madh i ndjenjave në përgjithësi, gjë që rezulton me mekanizimin e plotë të njeriut.

 

Lexo artikullin e plotë në PDF.