Dr. Musa Musai
PROBLEMET PSIKOLOGJIKE, REGRESI ETIKO-MORAL DHE SFIDAT E RINISË∗
Para se të bëjmë një qasje rreth temës së caktuar, pikë së pari do të kisha dashur që ta përcaktoj termin rini ose adoleshencë. Në psikologjinë e zhvillimit rinia–adoleshenca trajtohen si fazat më vendimtare në përfitimin e qëndrimeve, shprehive, sjelljeve ose trajtimit shoqëror. Rini: do të thotë periudhë në të cilën individi përjeton ndryshimet më totale të jetës së tij në çdo aspekt, duke filluar nga ndryshimet trupore-fizike deri te ndryshimet ose zhvillimet e tij sociale, emocionale, personale, seksuale dhe mendore. Nga këto ndryshime disa psikologë rininë e emërtojnë edhe si “lindje e përsëritshme”.
Rinia është periudhë në të cilën i riu përjeton sfidat më të mëdha si rezultat i ndjenjave seksuale. E gjithë kjo vjen nga vetë faza kohore e cila karakterizohet me ndjenjën për pavarësim, fitimin e një personaliteti dhe një egoje identike të tij. Këtu i riu duke formuar personalitetin e këtillë çdo gjë që i ofrohet nga jashtë ose prindërit e tij, trajtohet si jo e dobishme për të, si rezultat i kësaj është “mendimi kritik” i tij i cili e arrin kulmin e vet në këtë fazë.
Arsyet që një i ri nuk i pranon të ofruarat nga jashtë janë paraqitja e dukurive vijuese: të qenët i lirë, të qenët kritik, zënia e një vendi domethënës në shoqëri, krijimi i një identiteti të shëndoshë dhe veçimi i tij nga të tjerët. Njëkohësisht me paraqitjen e nevojave të këtilla në periudhën rinore me mungesë të edukatës fetare e morale paraqiten probleme psikologjike të atilla ku i riu fillon të mendojë kinse jeta nuk ka kurrfarë domethënie, se jetesa e tij është e palogjikshme; ndaj këtyre në mungesë të edukatës dhe arsimimit të përshtatshëm paraqiten edhe probleme psikologjike me karakter shoqëror, duke e trajtuar veten të padobishëm për shoqërinë ose si individ që nuk mund ta zërë vendin e duhur në rrethin ku jeton.
Automatikisht gjendjet psikike të këtilla tek i riu bëhen shkas i streseve të ndryshme, ankthit, izolimit, konsumimit të mjeteve narkotike ose dhënies pas prostitucionit, alkoolizmit, bile edhe dukurive siç është vetëvrasja etj...
Lexo artikullin e plotë në PDF.