9. Gjithçka në jetë ndaje me tjetrin!
Ndarja duhet të ndodhë si midis bashkëshortëve, ashtu edhe midis prindërve dhe fëmijëve të tyre. Ndarja midis bashkëshortëve ndodh në shumë plane: në punët dhe përgjegjësitë e shtëpisë, në jetën seksuale, në të ardhurat dhe në të dalat e shtëpisë, pra në ekonominë dhe financat, etj.
Bashkëshortët siç duhet të ndajnë kohë për plotësimin e nevojave dhe për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, ashtu duhet të ndajnë kohë edhe për kohën e lirë dhe për argëtimin e njëri-tjetrit. Aisheja r.a., gruaja e Pejgamberit a.s., rrëfen: “Pejgamberi a.s. u shty me mua në gara të ngarendjes. Një herë e fitova unë, e një herë tjetër më fitoi ai” (Ebu Davudi). Që nënkupton se Pejgamberi a.s., përskaj shumë angazhimeve si pejgamber dhe si udhëheqës i muslimanëve që ishte, përsëri gjente kohë për t’u argëtuar me bashkëshorten dhe me familjen e tij. Po ashtu, ai bashkë me Aishen r.a. kanë shikuar vallet tradicionale të etiopasve që i luanin në oborrin e xhamisë në Medine. Nga kjo kuptojmë se burri dhe gruaja, madje bashkë edhe me fëmijët e tyre, si një familje e plotë, duhet të marrin pjesë bashkërisht në aktivitete të ndryshme fetare, kulturore, sportive dhe argëtuese.
Kur martohen dy të rinj, ndër uratat e ndryshme që u thuhen, është edhe kjo: “Kalofshi të lumtur bashkë në ditë të bardha e në të zeza!”. Pikërisht kjo është ajo që bashkëshortët duhet ta ruajnë sa të jenë gjallë: gatishmërinë për ta ndarë bashkë çdo gëzim dhe çdo pikëllim në jetën e tyre të përbashkët. Dhe jeta gjithsesi se i ka të dyja këto: edhe gëzimin me të gjitha format e tij, po edhe pikëllimin me të gjitha shkallët e tij. Prandaj proverbi popullor: “Pikëllimi pakësohet duke u ndarë, kurse gëzimi shtohet duke u ndarë.”, më së shumti vlen në jetën familjare dhe bashkëshortore.
Njëra anë e ndarjes dhe e këmbimit është ajo midis bashkëshortëve, e ana tjetër është ajo midis prindërve dhe fëmijëve. Mënyra më e mirë që prindërit të mund t’ia shfaqin fëmijës së vet dashurinë dhe ngrohtësinë prindërore është ndarja e kohës për të lozur bashkë me të, për të bërë bashkë gjëra që i shkojnë për qejfi fëmijës. Nuk kemi shfaqur shumë dashuri ndaj fëmijës nëse atij i japim dhurata e lodra të shtrenjta, apo nëse i blejmë tesha të markave të njohura. Po as edhe vetëm duke i thënë “të dua!”. Për ta shfaqur këtë dashuri, duhet diçka më tepër se kaq, në fakt diçka më e thjeshtë se kaq, pra duke u marrë personalisht me fëmijën dhe duke ndarë kohë të mjaftueshme për të.
Një djalë e pyet babanë e tij se sa paguhet ai për një orë në vendin e punës. Babai nguron t’i tregojë, mirëpo djali këmbëngul. Pas një kohe babai e ndien veten fajtor dhe shkon në dhomën e djalit dhe i thotë: “Unë fitoj njëzet euro në orë, por mos i trego kujt.” Djali i thotë: “A mi jep hua dhjetë euro, babi?” Babai nxjerr kuletën dhe i jep dhjetë euro. Djali e fut dorën nën jastëk dhe i nxjerr edhe dhjetë euro të tjera që i kishte pas kursyer më herët dhe i thotë: “Babi, ja njëzet euro, po të paguaj të vish nesër me mua për një orë të shëtisim e të lozim bashkë”.
Ky rast flet shumë, s’ka nevojë ta komentojmë. Fëmija, para se të ketë nevojë për mjete financiare e të ngjashme, ai ka nevojë për afërsinë trupore dhe shpirtërore, për interesimin dhe për kohën e prindit të vet, qoftë nëna qoftë babai. Për këtë duhet caktuar, për shembull, një orar të caktuar për lexim të përbashkët, për shikim filmi bashkërisht, për lojë e argëtim të përbashkët, për shëtitje dhe piknik të përbashkët, por në veçanti, dhe kjo është shumë me rëndësi, një sofër buke e përbashkët.
Një mësuese e shkollës fillore në SHBA u jep detyrë nxënësve të saj të klasës së dytë të shkruajnë në fletore se çfarë do të dëshironin të mos ishte shpikur kurrë, pra çfarë është shpikur por që nuk ia ka vlejtur. Nga 21 nxënësit e klasës, katër prej tyre kishin shkruar, se telefonat inteligjentë (smartphone) ishin një shpikje e keqe. Njëri fëmijë, edhe me shkrim por edhe me vizatim, kishte treguar arsyen se pse kjo ishte kështu: “prindërit e mi për çdo ditë rrinë në telefon dhe pak kohë ndajnë për mua. E urrej telefonin e nënës sime, nuk do ta blej kurrë një të tillë”. Këtë ngjarje mësuesje e kishte shpërndarë në rrjetet sociale me hashtagun #listentoyourkids (Dëgjoni fëmijët tuaj!).
Prandaj, një familje do të jetë e lumtur në qoftë se ata jetojnë më shumë bashkë sesa larg njëri-tjetrit, në qoftë se ata ndajnë gjithçka me njëri-tjetrin, në radhë të parë e ndajnë kohën, interesimin, respektin dhe dashurinë për njëri-tjetrin.
Shko te Përmbajtja e librit ...