Rejhan Neziri
 

Gjendja e përgjithshme

Në Arabinë para-islame sundonte rendi fisnor si një sistem shoqëror, në të cilin fise të ndryshme, të mëdha e të vogla, lidhnin pakte e aleanca me njëri-tjetrin. Fiset që mbeteshin jashtë ndonjë aleance, u nënshtroheshin zakonisht sulmeve dhe grabitjeve të fiseve me të cilat nuk kishin aleanca të këtilla. Kjo ishte edhe arsyeja e luftërave që zgjatnin edhe me qindra vite.

Qyteti i Mekkes nuk ishte i kursyer nga këto luftëra, mirëpo meqë ishte në kryqëzimin e dy rrugëve të mëdha tregtare të Arabisë: Rrugës së Hixhazit e cila kalonte përgjatë bregut lindor të Detit të Kuq dhe lidhte Jemenin në jug me Shamin (Libanin, Sirinë, Jordaninë dhe Palestinën) në veri dhe Rrugën e Nexhdit që e lidhte Jemenin me Irakun, për dallim prej qyteteve dhe vendbanimeve të tjera, kishte një vigjilencë dhe kujdes më të madh që këto të reduktoheshin në minimum. Një qytet të cilit i mungonin pasuritë natyrore dhe që ishte i lidhur me blegtorinë dhe më shumë me tregtinë e jashtme, ishte më se e nevojshme që të kishte një stabilitet dhe siguri politike.

“Qytetit të kurejshitëve (Mekkes), që sipas Kur’anit ndodhej në “një luginë, ku nuk ka bimë”, i mungonin kulturat (bujqësore) dhe për të mbijetuar kishte nevojë për çfarëdo malli të importuar. Nëse e shikojmë më mirë, me të kaluarën e tij beduine (endacake) populli kurejshit që zhvillonte një jetë shumë të gjallë, përgjithësisht kishte nevoja të vogla; mirëpo vërejmë se prapëseprapë në krahasim me njerëzit tjerë që banonin në të gjitha viset tjera të Hixhazit, këta kishin një standard më të lartë jetese. Mekka nuk mund të furnizohej nga burimet e veta, prandaj ishte e detyruar t’i importonte edhe produktet më të vogla si drithërat, hurmat, pemët, perimet, verën etj. që pa e stërmadhuar Mekkes për çdo kokë banori i nevojiteshin në ditë diku te 100 gr. mall... Duke qenë se Mekka në këtë kohë kishte afro 20-25 mijë banorë, bashkë me të gjitha dymbëdhjetë fiset e “konfederatës” kurejshite, me të besatuarit, me skllevërit e me refugjatët, i bie që Mekka kishte nevojë për 2-3 tonë furnizim në ditë, respektivisht 20 deve të ngarkuara me mall.”


Lexo artikullin e plotë në PDF