6. Mos e ftoh burrin nga familja e tij!
Ai që e do trëndafilin, duhet ta durojë edhe gjembin.
Shpeshherë ndodh që bashkëshortët ta konsiderojnë njëri-tjetrin si të vetëm dhe të destinuar vetëm për njëri-tjetrin dhe priren që t’i lënë mënjanë prindërit e tjetrit. Burri mendon se gruaja tanimë është e martuar dhe ka ardhur të jetojë tek ai dhe se duhet ta harrojë nënën dhe babanë e saj, në ndërkohë që edhe gruaja më vonë fillon “t’i hakmerret” burrit për këtë dhe fillon të mos i durojë në shtëpi prindërit e burrit të saj. Gradualisht për këtë krijohet edhe një antipati dhe mungesë respektimi ndaj tyre. Ata fillojnë ndoshta edhe të flasin keq për prindërit e njëri-tjetrit dhe kështu që gradualisht fillon situata të përkeqësohet e të komplikohet gjithnjë e më shumë, saqë një ditë bashkëjetesa me prindërit e burrit bëhet e padurueshme. Arsyet për këtë acarim të raporteve mund të jenë edhe me vend, pasi edhe shumë herë vetë prindërit e secilës palë, nuk janë të kujdesshëm në raport me dhëndrin ose me nusen e djalit. Ata nuk janë të aftë të kuptojnë se mënyra e jetesës së gjeneratave të reja dallon shumë nga mënyra e jetesës së tyre më herët dhe kërkojnë nga më të rinjtë, nga dhëndri dhe nga reja, që t’u përmbahen të njëjtave kontura, të njëjtave mostra sjelljeje që kanë qenë të njohura më parë. Cilat do që të jenë arsyet, të kuptueshme ose jo, për acarimin e raporteve të këtilla, në familje duhet të gjendet mirëkuptimi dhe gatishmëria për t’i kuptuar drejtë dallimet e gjeneratave. As burri e as gruaja nuk duhet ta ftohin njëri-tjetrin nga prindërit e tjetrit.
Në këtë rast nga burri dhe gruaja, pra nga dhëndri dhe reja, kërkohet një empati e dyfishtë. E para, me familjen e çiftit tjetër do të sillesh ashtu siç dëshiron që edhe ai ose ajo të sillet me familjen tënde. Nëse nga burri pret respektimin e prindërve të tu, dije se edhe burri e pret të njëjtën gjë prej teje për prindërit e tij. E dyta, dhëndri duhet të kuptojë se një ditë edhe ai do të ketë dhëndrin e tij dhe nusja duhet të kuptojë se një ditë edhe ajo do të ketë nusen, renë e saj. Ata sot janë dhëndër e nuse, nesër do të bëhen vetë këta vjehërr. Siç dëshiron që ata nesër të sillen me ty, ashtu sillu edhe ti sot me vjehërrinë tënde. Si pret të të trajtojë ty nesër dhëndri yt dhe reja jote, ashtu sillu edhe ti sot ndaj prindërve të gruas dhe të burrit.
Në bazën e këtyre raporteve midis dy çifteve dhe familjeve të tyre, duhet të sundojë mirëkuptimi, harmonia, respekti dhe dashuria. Këto nuk janë gjithmonë të lehta për t’u arritur ose për t’u ruajtur, pikërisht për këtë duhet një angazhim i të gjithëve në këtë drejtim, si i çiftit të ri, ashtu edhe i prindërve të tyre. Pikërisht për këtë edhe populli thotë: “Haku i katër prindërve është një”. D.m.th. haku i dy prindërve të burrit dhe i dy prindërve të gruas është i njëjtë për çiftin bashkëshortor. Nëse nuk arrin ta duash vjehrrin ose vjehrrën, së paku respektoji ata për hatër të burrit ose për hatër të gruas. Në qoftë se sot e ke një bashkëshort ose bashkëshorte, me të cilin/ën po jeton i lumtur, për këtë shkaktar dhe meritor janë prindërit e tij apo të saj. Siç u mësove ta duash një person që, më parë s’e kishe asgjë, por që sot e ke burrë apo grua, mësohu t’i respektosh edhe prindërit e tij, respektivisht të saj. Ata tanimë janë bërë pjesë e familjes sate.
Nuk duhet të harrohet se kundërshtia, xhelozia dhe acarimi i raporteve midis vjehrrës dhe resë janë diçka spontane dhe të natyrshme. Ato nuk duhet të kenë ndonjë arsye të veçantë. Përderisa reja e ka lënë babanë dhe nënën e vet për të jetuar në një familje tjetër, në radhë të parë me burrin e saj që e do, edhe nëna e dhëndrit ndjehet e kërcënuar nga reja që po ia merr djalin nga zemra dhe prehëri i saj, të cilin ajo e kishte rritur me shumë kujdes e dashuri.
Djali derisa është i pamartuar është krejt i nënës së tij, por kur martohet, ajo e ndan atë me nusen, dhe këtë zemra e nënës vështirë e përballon. Një nënë ishte reale dhe kur e martoi djalin e saj, tha: "O biri im, deri tani ti ishe krejt i imi, por tani që u martove, bëhu gjysmë i imi dhe gjysmë i nuses!”.
Një grua ishte lavdëruar se do të bëhej vjehërr e mirë kur ta martonte djalin. Kur e martoi djalin, të nesërmen, erdhën gratë e mëhallës për ta uruar. Ndër të tjera ato e pyetën se çfarë vjehrre ishte bërë? Ajo u përgjigj: “Subhanallah, sapo e kam parë nusen në derë, edhe në mua hyri ai shejtani i vjehrrave”.
Një shembull tipik që mund ta ilustrojë këtë situatë vjehërr–nuse dhe mënyrën efikase të zgjidhjes së kësaj kundërshtie dhe acarimi të kahershëm, është rasti në vijim:
Një grua e re e sheh gruan e moshuar të fqinjit të vet gjithnjë të hareshme e të gëzueshme, gjithnjë të qeshur. Një ditë e pyeti: “Nga e ke gjithë këtë elan, këtë hare, këtë gëzim? A nuk di ti të mërzitesh e të zemërohesh ndonjëherë? Si arrin ta bësh këtë?”. Ajo i tha: “Do ta tregoj çelësin e suksesit për këtë, por premtomë se nuk do ta përhapësh këtë muhabet!”. Kjo i premtoi. Plaka vazhdoi: “Isha një vajzë e re dhe luaja akoma me motrat e me shoqet e mia. Një ditë, nëna më tha: ‘Eja se të thërret babai, ka një bisedë me ty!’. Unë u shtanga nga gëzimi, sepse babai kollaj-kollaj nuk fliste me ne fëmijët. Kur dëshironte të na thoshte apo të na urdhëronte diçka, këtë e bënte nëpërmjet nënës. Me të shpejtë shkova te babai, nga gëzimi se dëshironte të fliste drejtpërdrejtë me mua. Aty në dhomë e pash babanë, vëllain e madh dhe një burrë të huaj. Babai më tha, shko vishu më bukur dhe eja këtu. Shkova, u rregullova dhe erdha. Babai më tha: ‘E sheh këtë burrë këtu? Prej sot e tutje, ky është burri yt!’. Mbeta e shtangur për së dyti herë. Prisja një muhabet nga babai, më doli një burrë i papritur, para së gjithash i panjohur. Nuk kisha mundësi të zgjidhja. U pajtova me vendimin e babait. U martova dhe si një nuse e re që isha, nuk kisha njohuri për menaxhimin e punëve të shtëpisë. Kjo shpejt e irritoi vjehrrën time. Ajo nisi të më bërtiste, të më ofendonte e të më nënçmonte pse nuk dija punë shtëpie. Nga ana tjetër edhe unë mërzitesha pse nuk dija dhe pse nuk mund t’i duroja ofendimet e vjehrrës. Iu ankova nënës sime për këtë, ajo më porositi të kem durim, pasi kisha shkuar nuse në një derë të huaj. Iu ankova burrit, ai më tha se e ka nënë, duhej të duroja e të kisha mirëkuptim... Pas një kohe nisa edhe unë t’ia ktheja me të njëjtën monedhë vjehrrës sime. Ajo një fjalë mua, unë dy a tri asaj. Nisëm të qortohemi e të zihemi vazhdimisht kur nuk ishin burrat në shtëpi. Një ditë mu mbush kupa dhe vendosa ta helmoja vjehrrën. Shkova në një farmaci dhe kërkova helm. Më pyeti farmacisti se përse më duhej. I thash se nuk e duroj më vjehrrën time. Kam vendosur ta helmoj. Më dha një bar (ilaç) dhe më tha që të kisha kujdes që sa herë që t’i jepja nga ky ilaç (helm), t’i buzëqeshja vjehrrës, madje edhe në çdo rast të sillesha mirë me të, bile më mirë se kurdo herë tjetër, në mënyrë që të mos hetohesha nga ajo ose nga të tjerët se po e helmoja unë. Paraprakisht më tha se ky është një helm që duhet përsëritur disa herë dhe se ky mbyt me ngadalë. Ashtu edhe veprova. Sa herë që vjehrrës sime i duhej diçka për të ngrënë ose për të pirë, unë vrapoja e para dhe me buzëqeshje ia sillja atë, duke i futur nga “ilaçi” im. Kaluan disa ditë, disa javë, bile edhe disa muaj, vjehrra ime s’po vdiste. Mirëpo në ndërkohë raportet e mia me vjehrrën u përmirësuan dukshëm. Ajo kur e shihte hyzmetin tim, desh fluturonte nga gëzimi, saqë nisi të më lavdëronte se isha një nuse shumë e mirë, shumë e sjellshme dhe fisnike. Bile nisi të më lavdëronte edhe te miqtë dhe farefisi më i gjerë duke i uruar çdokujt të kishte një re kaq të mirë si unë. E prekur nga ky ndryshim i sjelljes së vjehrrës sime, nisi të më dhimbsej, nisa ta dua. Ta dua si nënën time. Edhe ajo më donte tanimë si bijën e vet. Një ditë më ra rruga nga farmacisti ku e bleva “helmin” për vjehrrën time dhe i thash se jam penduar që i pata dhënë helmin asaj. Ajo tanimë ishte bërë një grua shumë e këndshme dhe e dashur për mua, nuk doja që ajo të vdiste. A thua çka do të bëhet me helmin që ia kam dhënë. Ai më tha: ‘Mos u mërzit! Ajo që të kam dhënë ka qenë një bar qetësues dhe nuk ka qenë helm. Unë helmin e pash në kokën tënde, në shpirtin tënd, prandaj të mësova të silleshe mirë e me buzëqeshje ndaj saj. Kjo e ka shëruar një herë kokën dhe shpirtin tënd, pastaj edhe kokën dhe shpirtin e vjehrrës sate. Ndryshimi fillon gjithnjë nga vetvetja. Rruga e mbarë të qoftë! Paçi muhabet deri në vdekje’. Unë vetëm se e mora mësimin që duhej ta mësoja si një nuse e re që isha. Nga ajo ditë e këndej, unë i pres dhe i përcjell njerëzit me buzëqeshje e me hare, u tregoj jo vetëm me fjalë, por edhe me zemër, se i dua përnjëmend.”
Nga ky shembull, nuk duam ta theksojmë sjelljen jo të mirë, arrogante të prindërve dhe të vjehrrive ndaj një vajze, respektivisht ndaj një nuseje të re. Kjo sjellje e tyre nuk përputhet me asnjë normë islame dhe njerëzore. Atë që dëshirojmë ta theksojmë këtu është pikërisht leksioni që nusja e re e mori nga farmacisti: ndryshimet për të mirë ose për të keq fillojnë nga vetvetja. Si do të sillem unë me të tjerët ashtu do të sillen edhe ata me mua. Në rastin tonë, si do të sillem me vjehrrën ose me vjehrrin, si do të sillem me burrin ose me gruan, ashtu edhe ata do të sillen me mua. Edhe sikur të tjerët të jenë të këqijtë, unë e kam potencialin të bëj ndryshimin pozitiv te të gjithë të tjerët. Natyrisht që kjo kërkon durim, maturi dhe kohë. Gjithçka pastaj bie në vendin e vet.
Shko te Përmbajtja e librit ...