3. Mendo edhe për tjetrin, topite egoizmin!
 


Mos u bëj shat, që kreh vetëm kah vetja, por
bëhu sharrë: një herë kah ti, një herë kah tjetri.

 

Le të paramendojmë një orë me të gjitha çarqet dhëmbëzore që i ka brenda. Secili çark i ka dhëmbët e madhësisë së njëjtë me të çarkut tjetër, ngase vetëm në këtë mënyrë mund të rrotullohen së bashku dhe të tregojnë orën e saktë. Kjo harmoni dhe përshtatje e dhëmbëve të pjesëve të orës apo të ndonjë makine tjetër, është kushti parësor për funksionimin e orës apo të makinës. Në qoftë se ndonjëri çark i ka dhëmbët më të mëdhenj se të tjetrit, aty nuk mund të vihet në lëvizje asgjë. Mjeshtri duhet t’i topitë dhëmbët e mëdhenj të njërit çark që të mund të përshtatet me dhëmbët e çarkut tjetër.

Kështu është edhe me jetën familjare dhe në veçanti me jetën bashkëshortore. Në qoftë se njëri anëtar i familjes apo njëri bashkëshort i ka dëshirat e tij më të mëdha se të të tjerëve, aty nuk do të funksionojnë gjërat ashtu siç duhet. Në qoftë se njëri prej tyre ka thepat më të mëdhenj se të të tjerëve, do të ketë fërkim dhe gërvishtje, pra mosfunksionim. Duke qenë se është normale që secili të ketë disa thepa më të mprehtë se tjetri, atëherë medoemos kërkohet që secili t’i topitë e t’i çmprehë këta thepa e maja të ashpra dhe t’i zbusë deri në atë masë saqë të jenë të kapshme për edhe për të tjerët.

Në qoftë se nga njëra anë njëri çift bashkëshortor thotë: “Unë jam ky që jam, pranomë kështu siç jam!” dhe nga ana tjetër, çifti tjetër ia kthen: “Jo, ti nuk më pëlqen kështu siç je, duhet të ndryshosh”, këtu nuk mund të flitet për harmoni dhe për qetësi e lumturi bashkëshortore. Secili prej tyre kohë pas kohe duhet të bëjë empati, pra duhet të mundohet “të hyjë në lëkurën e tjetrit” për ta kuptuar më drejtë atë. Sa kujdeset për plotësimin e dëshirave të veta, po aq duhet të kujdeset që edhe tjetri t’i plotësojë dëshirat e tij. Mu ashtu si çarqet e orës, pak do t’i topitë njëri thepat e vet, pak do t’i topitë edhe tjetri të vetët. Atëherë do të shihet se sa mirë funksionojnë gjërat.

Siç mund të vëreni, këtu është në pyetje reciprociteti, veprimi i dyanshëm. Të dyja palët duhet të veprojnë në raport me tjetrin. Nëse njëri prej tyre mundohet t’i realizojë vetëm dëshirat e veta dhe atë që ai e sheh si të drejtë, ky shpejt do të kalojë në egoizëm, ndërkaq palën tjetër e lë në pozitë që vetëm ajo të topitet, të sakrifikojë e të vuajë. Kjo nuk është familje e shëndoshë, sepse mbështetet mbi parimin e padrejtësisë e të zullumit. Kjo familje nuk do të funksionojë gjatë. Ta zëmë se burri është ai që mundohet t’i realizojë të gjitha dëshirat e veta, me pretendimin se është i pari i familjes dhe se ai i di gjërat më mirë dhe se fjala e tij duhet të ecë në shtëpi, dhe se gruaja është ajo që gjithmonë duhet t’i shtypë dëshirat e saja, me arsyen se gruaja duhet t’i nënshtrohet burrit, shumë shpejt do të vijë koha kur ky zhgënjim i gruas do të shpërthejë dhe do të manifestohet në shëndetin fizik dhe psikik të saj. Kjo grua shpejt do të dobësohet si për nga trupi ashtu edhe për nga aspekti shpirtëror dhe nuk do të jetë e aftë as për vetveten e saj, as për burrin e saj egoist dhe tekanjoz e as për fëmijët e saj. Bashkëshortët dhe anëtarët e familjes nuk duhet ta lënë njëri-tjetrin në një pozitë të këtillë. Dëmi i kësaj situate është kolektiv, i përbashkët, edhe pse dëshirat janë individuale.




 

Shko te Përmbajtja e librit ...