Printo!
Kategoria: Familja islame
Lexuar: 930 herë



8. Kanalet e komunikimit mbaji hapur!

 

Mos ndërtoni mure midis jush, por ura.

 
Për një zhvillim të shëndoshë personal, për lidhje të shëndosha dhe për një familje të lumtur, komunikimi i mirë është i pashmangshëm. Individët brenda familjes mund të kenë forma të ndryshme komunikimi, si pasojë e veçorive personale që i ka secili njeri, mirëpo me rëndësi është që ky komunikim të ruhet gjallë.

Në familje fillimisht duhet të ekzistojë një komunikim i mirë midis burrit dhe gruas. Ata duhet të mësohen të merren vesh, të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të kuptohen mirë me njëri-tjetrin. Ata duhet të mësohen që dëshirat dhe nevojat e tyre t’ia shprehin njëri-tjetrit qartë, haptazi dhe me sinqeritet. Nëse ky lloj komunikimi i hapur dhe i çiltër ekziston midis burrit dhe gruas, kjo do të përcillet edhe te fëmijët, ata do ta mësojnë këtë formë të komunikimit dhe të marrjes vesh prej prindërve të tyre. Sjelljet në familje janë ngjitëse. Një gjendje e mirë ose e keqe personale e njërit individ të familjes ndikon drejtpërdrejtë edhe te të tjerët. Secili anëtar i familjes e zotëron aftësinë të kuptojë se kur dikush ndihet mirë e kur keq. Ky lloj komunikimi pa fjalë është shumë evident në familje. Ata e ndiejnë njëri-tjetrin edhe kur nuk flasin.

Ka disa veçori që duhet t’i kemi parasysh me rastin e komunikimit me njëri-tjetrin. Shumë me rëndësi për një komunikim të shëndoshë është mundësia për të biseduar shtruar me tjetrin, mundësia për të dëgjuar dhe kuptuar mirë atë që flitet si dhe mundësia për të bërë empati, pra për të “hyrë në lëkurën” e tjetrit.

Sipas kësaj, fillimisht në familje duhet krijuar hapësira dhe terrene që secili anëtar i familjes të ndihet mirë dhe komod për të shprehur lirshëm atë që mendon dhe ndien. Nuk është familje e shëndoshë ajo, në të cilën ndonjëri anëtar i saj ngurron të flasë, ngurron të japë mendimin e vet dhe të shprehë botëkuptimin e vet, sepse e di dhe beson se nuk do të merret seriozisht ose edhe bile do të qortohet pse flet. Kjo gjendje do të shkaktojë trauma të pariparueshme te anëtarët e familjes, ndërkaq fëmijët kurrë nuk do të mësohen të flasin lirshëm për atë që mendojnë, ndiejnë dhe kuptojnë. Ky do të ishte një kufizim i qëllimshëm i zhvillimit të shëndoshë personal te fëmija.

Veçoria e radhës është që gjatë komunikimit dhe bisedës me njëri-tjetrin duhet dëgjuar mirë dhe kuptuar drejtë atë që flet. Në qoftë se mungon interesimi dhe kujdesi për ta dëgjuar mirë tjetrin, kjo shkakton pezmatim te folësi dhe moskuptim madje edhe keqkuptim te dëgjuesi. Prandaj, është shumë me rëndësi që komunikimi të bëhet duke e shikuar njëri-tjetrin në sy, në fytyrë, ballë për ballë.

Veçoria tjetër e lidhur drejtpërdrejtë me këtë që e thamë është empatia, aftësia për ta kuptuar tjetrin mirë, drejtë dhe saktë. Ndërkaq kjo arrihet vetëm nëse e dëgjojmë tjetrin mirë dhe vetëm në qoftë se mundohemi që dertin e tij ta kuptojmë sikur të ishte derti ynë, sikletin që ka ai ta kuptojmë sikur të ishte edhe sikleti ynë, gëzimin që e ka ai ta kuptojmë sikur të ishte edhe gëzimi ynë. Pa këtë ndjesi e hollësi ndjenjash, nuk do ta kuptojmë drejtë kurrë tjetrin. Kjo vlen për të gjitha llojet e komunikimit, por në veçanti anëtarët e familjes kanë nevojë për një komunikim dhe drejtkuptim të shëndoshë. Nëse flet prindi dhe te fëmija mungon empatia, ata nuk do të mund të merren vesh si duhet. Nëse kur flet fëmija prindi nuk tregon empati, ndjeshmëri për ta kuptuar fëmijën në botën e vet, do të lindin keqkuptime. Fëmija do të kuptojë se prindi nuk dëshiron ta kuptojë gjendjen e tij, se ai nuk është i interesuar për të, se ai nuk e do atë... Kjo te fëmija krijon një pasiguri që mund ta shembë botën e tij dhe zhvillimin e tij të shëndoshë. Nëse kjo vazhdon në mënyrë të përsëritur kështu, herët a vonë, fëmija do të kërkojë një “familje të ngrohtë dhe të sigurt” diku tjetër e jo në vatrën dhe shtëpinë ku ka lindur. E njëjta vlen edhe për bashkëshortët, nëse ata nuk tregojnë gatishmërinë për ta kuptuar plotësisht njëri-tjetrin, vazhdimisht do të lindin zënka e mospajtime. Grindjet më të shpeshta midis bashkëshortëve vijnë si pasojë e moskomunikimit të hapur, të drejtë dhe të sinqertë.

Duhet pasur kujdes me komunikimin kur njeriu është i nervozuar. Më mirë do të ishte që në këto raste njeriu të mos flasë e të mos komunikojë fare, sepse rreziku për të gabuar në përzgjedhjen e fjalëve është shumë i madh. Biseda mund të hyjë në qorrsokak nga i cili nuk dilet kollaj.

Një njeri ishte nisur për te halifi Omer ibn Hattabi r.a., që të ankohej për gruan e tij e cila vazhdimisht e fyente, e nervozonte dhe grindej me të. Ndërkaq Omeri r.a. njihej si njeri shumë i ashpër, por ama i drejtë!

Kur erdhi para derës së shtëpisë së Omerit r.a., e dëgjoi zërin e gruas së tij Ummu Kulthum, e cila diçka i fliste Omerit r.a. me zë të lartë, kurse ai asnjë fjalë nuk ia kthente.

Atëherë njeriu u step dhe u gjet në dilemë se çka të bënte: ai ishte nisur për t'u ankuar te halifi për gruan e tij, kurse vetë halifi po vuante nga gruaja e vet, ndoshta edhe më shumë dhe më keq se ai?!

Pas një reflektimi të shkurtër, burri nisi të kthehej prapë, por në atë moment Omeri r.a. doli nga shtëpia dhe kur e vërejti se si po largohej nga shtëpia e tij, e thirri dhe pyeti se përse kishte ardhur.

Tani as njeriu nuk deshi ta fshihte këtë, por tha: „Kam ardhur te ti, o prijës i besimtarëve, për t'u ankuar për sjelljen e keqe të gruas sime, por kur dëgjova zhurmën e gruas sate unë hoqa dorë”.

Atëherë Omeri r.a. i tha: „Unë asaj të gjitha këto ia lejoj dhe nuk reagoj për shkak të këtyre meritave të saj:

E para: Ajo është perde midis meje dhe zjarrit të xhehenemit, pranë saj zemra ime qetësohet dhe nuk më lejon të shkoj në haram!

E dyta: Ajo ma ruan shtëpinë dhe pronën time kur unë mungoj nga shtëpia!

E treta: Ajo m‘i lanë rrobat e mia!

E katërta: Ajo m‘i edukon fëmijët e mi!

E pesta: Ajo ma gatuan dhe ma përgatit ushqimin, por kryen edhe shumë punë të tjera...“.

Atëherë njeriu tha:

„Po edhe gruaja ime i bën të gjitha këto punë si e jotja, por unë për këtë asaj nuk i kam lejuar të më bërtasë e as që ia kam falur!“.

Omeri r.a. më në fund i tha atij: „Epo, duhet t’ia pranosh asaj këto merita, e disa cilësi të saj të këqija t’i vëresh më pak, kurse më pastaj t’ia falësh!“

Gjatë komunikimit me njëri-tjetrin nuk duhet që gabimet e tjetrit të zihen në gojë patjetër, në qoftë se janë të falshme. Nëse jo, atëherë bisedohen në mënyrën më të mirë, më të bukur të mundshme njerëzore, mundësisht me temsil apo me alegori, pra tërthorazi, në mënyrë që gabimet të përmirësohen e jo të komplikohen e të ngatërrohen akoma më shumë.

Gjatë bisedës duhet ruajtur fytyrën e qeshur dhe duhet përzgjedhur fjalët më të ëmbla e plot respekt dhe dashuri. Sidomos te bashkëshortët kjo pas një kohe të martesës mund të fillojë të zbehet. Në fillim të martesës ata i zgjedhin fjalët më të mira e më të ëmbla për njëri-tjetrin, mirëpo më pas, duke kaluar në fazën e një shoqërimi spontan e të natyrshëm, ata mund të fillojnë të mos i zgjedhin fjalët për njëri-tjetrin dhe shpesh përmes shakave mund t’u përvidhen edhe fjalë ofenduese, shpeshherë të pariparueshme.





 

Shko te Përmbajtja e librit ...