7. Në familje krijo konceptin “ne” dhe më pak përdore fjalën “unë”!
Një për të gjithë, të gjithë për një.
Secili njeri si individ e ka personalitetin por edhe dinjitetin e vet. Ky dinjitet duhet respektuar nga të gjithë. Secili njeri është i vlefshëm në vetvete dhe këtë vlerë secili duhet t’ia njohë secilit. Në radhë të parë kjo duhet të vlejë në familje. Secili anëtar i familjes ka peshën e vet. Askush nuk duhet ta trajtojë tjetrin si më pak të vlefshëm, apo vetveten si pak më shumë të vlefshëm. Kjo është e dëmshme. Ajo që më së shumti vjen në shprehje në familjet tona shqiptare është gruaja, apo reja, e cila në vise të caktuara shqiptare akoma quhet “rob i shpisë” dhe asaj i njihet një status më i ulët se të tjerët, pasi ajo vjen nga një familje tjetër dhe e huaj dhe se ajo duhet ta kuptojë se është shërbëtore e asaj shtëpie. Kjo është shumë e dhimbshme, pasi nuk përkon as me rregullat e fesë islame e as me ato të përgjithshmet njerëzore. Në shumë familje mashkulli, pra babai ose burri, njihet si kryetari dhe i pari i shtëpisë i cili gëzon një pushtet thuajse të pakufishëm. Një strukturë e këtillë dhe një rrjet i këtillë raportesh në shtëpi në këtë kohë nuk është funksional, përkundrazi i dëmshëm. Pikërisht nga arsyeja se kjo strukturë presupozon se dikush ka vlerë më shumë e dikush më pak në këtë familje, me çka edhe nëpërkëmbet dinjiteti, vlera dhe çmimi që e ka secili individ. Në këtë familje nuk do të mbretërojë harmonia dhe dashuria, por urdhri dhe nënshtrimi. Dikush urdhëron e dikush vetëm duhet të dëgjojë e të nënshtrohet.
Që të mund të krijohet një “ne” e shëndoshë në familje, secili duhet të heqë dorë në masë të caktuar nga termi “unë”. Secili anëtar i familjes, por jo vetëm në familje – kjo kërkohet edhe në çdo grup njerëzor, duhet të heqë dorë nga disa dëshira personale të tepruara dhe duhet të mësohet t’i respektojë dhe t’i çmojë edhe dëshirat, por në veçanti nevojat e të tjerëve. Krijimi i vetëdijes së përbashkësisë shpirtërore në familje, atje ku secili me mburrje e thotë fjalën “ne” dhe me këtë nënkupton secilin anëtar të familjes, varet ngushtë nga topitja dhe heqja dorë nga egoizmi personal. Kjo vlen për të gjithë anëtarët e familjes, por në veçanti për bashkëshortët. Nëse burri dhe gruaja nuk janë të gatshëm ta quajnë veten “ne”, porse këmbëngulin secili në “unin” e vet, aty tekat dhe trillet e secilit prej tyre do të jenë në garë të vazhdueshme se kush do të mbisundojë. Prandaj edhe aty shpesh dëgjohen fjalët: “Në këtë shtëpi kollitet burri e në një tjetër gruaja.”, “Në këtë shtëpi shef dhe boss është burri, e në një tjetër gruaja”. Këtu nuk do të ketë harmoni dhe dashuri të qëndrueshme, sepse këto raporte nuk mbështeten në vlerën dhe dinjitetin e secilit, por në statusin më të lart të dikujt mbi të tjetrit. Bashkëshortët duhet të mësohen ta shohin njëri-tjetrin si kompletues dhe plotësues të njëri-tjetrit, si dy gjysma që e përbëjnë një të plotë, ose si dy elemente që e përbëjnë një tjetër element të përbashkët.
Kur është në pyetje plotësimi i dëshirave dhe i nevojave të anëtarëve të familjes, duhet ruajtur baraspeshën midis tyre. Për shembull, gjatë përgatitjes së ushqimit në familje nuk duhet marrë në konsideratë vetëm parapëlqimet e njërit anëtar të saj, porse i të gjithëve; me rastin e planifikimit të një shëtitjeje nuk duhet zgjedhur vendet që i parapëlqen vetëm njëri prej tyre. Në qoftë se nuk mund të merren vesh për këtë, mund të bëjnë bashkërisht një përzgjedhje të atyre vendeve që mund të vizitohen në kohë të ndryshme. Në qoftë se ndonjëri parapëlqen të themi detin e tjetri malin dhe natyrën, zgjidhja do të ishte që një herë të vizitohet njëra e pastaj, në një kohë tjetër, tjetra... E njëjta gjë vlen për të gjitha punët tjera të familjes që nga karriera se kush ku do të punësohet e deri te shtëpia, banesa dhe vendi ku do të banojnë së bashku. Të gjitha palët duhet të merren vesh bashkërisht duke i respektuar dëshirat dhe në rend të parë nevojat e njëri-tjetrit.
Familja është vendi, hapësira dhe rrethi i jetesës së përbashkët të prindërve dhe fëmijëve. Në këtë hapësirë fjala “unë” duhet t’i bëjë gjithnjë e më shumë vend fjalës “ne”. Këtu nuk duhet të kenë vend fjalët si: “rroga ime”, “paratë e mia”, “shtëpia ime”, “vetura ime”, “unë e kam fituar me djersë”, “unë e kam zier apo pjekur”, “unë e pastrova”, “unë e bëra”, “unë e ktheva”... Kushdo që ta ketë bërë një punë, kushdo që të kujdeset për furnizimin e shtëpisë, qoftë burri, qoftë gruaja apo qoftë të dy, ky fitim është rizku, nafaka e përbashkët e familjes dhe kështu duhet trajtuar. Në këtë familje, nevojat e secilit duhet të plotësohen sipas një radhe të biseduar dhe të vendosur bashkërisht. Çdo vendim i marrë pa pëlqimin e anëtarëve të tjerë të familjes, rrezikon të jetë vendim i gabuar dhe i padrejtë.
Shpeshherë këtu në Perëndim ne dëgjojmë nga çiftet bashkëshortore shqiptare dhe muslimane se si ia përmendin tjetrit mundësimin e ardhjes në Perëndim për të jetuar dhe punuar. Burri i thotë nuses së vetë ose e kundërta: “Unë të kam sjellë në Zvicër. Po të mos isha unë, ti akoma do të ishe në atë vendlindjen tënde të kalbur. Këtë banesë, me këto mobilie, me këto enë, me këto ... me këtë auto... të gjitha i ke nga unë, prandaj ti nuk mund të bëhesh mbret, a mbretëreshë, në shtëpinë time”... Ky çift bashkëshortor në qoftë se nuk arrin ta tejkalojë vetveten dhe çka do që të fitojnë dhe të zotërojnë në mënyrë të përbashkët ta quajnë si “tonën”, nuk do të kenë sukses në martesë, nuk do të kenë harmoni dhe dashuri të mirëfilltë.
Një prej faktorëve që e dëmtojnë dhe e pengojnë krijimin e “ne”-së në familje është kur njëri çift bashkëshortor i fsheh nga tjetri të ardhurat dhe fitimet që i bën. Qoftë ky të jetë burri, qoftë gruaja. Nëse ata nuk janë të hapur, nuk janë transparent në fitimin që e bëjnë, pra njëri prej tyre ose secili prej tyre e fshehin këtë, kjo do të jetë një arsye e mjaftueshme për zënka, madje edhe për ndarje, në momentin kur ta kuptojë njëri se tjetri po fsheh diçka të rëndësishme, siç është furnizimi i përbashkët i familjes. Një rast i shpeshtë që ndodh sidomos këtu në Perëndim me dhëndurët e sjellë këtu përmes martesës dhe bashkimit familjar, është fshehja e të ardhurave për të ndarë diçka për familjen që i ka mbetur poshtë në vendlindje. Shumë bashkëshorte, madje edhe familja e saj, pra vjehrri ose vjehrra, nuk janë dakord që dhëndri t’i dërgojë kohë pas kohe familjes së tij mjete financiare si ndihmesë, duke e ditur gjendjen e rëndë financiare të familjes që ka lënë në vendlindje. Duke qenë se gruaja dhe familja e saj nuk janë dakord për këtë, dhëndri detyrohet të fshehë diçka, për të kursyer për prindërit që i ka lënë në shtëpi. Natyrisht ky lloj veprimi nuk është i shëndoshë dhe mund të ketë, siç thamë, pasoja të rënda për familjen, bile mund të çojë deri në ndarjen e bashkëshortëve dhe në shkatërrimin e familjes, me fëmijë që mbesin as me baba as me nënë. Prandaj, edhe këtu duhet një transparencë nga të gjitha palët si dhe një mirëkuptim nga ana e gruas dhe sidomos nga ana e familjes së saj. Ata duhet ta heqin egoizmin nga shpirti i tyre dhe të kuptojnë se si u bëhet mirë atyre që janë me kushte të mira këtu, të njëjtën duhet ta gëzojë edhe familja e burrit apo dhëndrit. Nëse ai nuk është rahat dhe i qetë në këtë çështje, dhe nuk ka si të jetë i qetë kur e di se nëna dhe babai i tij vuajnë, kjo do të shkaktojë depresion dhe çrregullime të tjera tek ai. Në qoftë se gruas i nevojitet një burrë ose familjes së saj një dhëndër i sëmurë mentalisht, pirolla u qoftë, e paçin me “shëndet”! Por, kjo situatë më nuk flet për një familje të lumtur muslimane.
Kur janë në pyetje harxhimet për familjen dhe transparenca në këtë plan, natyrisht edhe këtu nuk duhet tepruar. Çiftet bashkëshortore duhet të kenë mirëkuptim për faktin se burri dhe gruaja mund të kenë harxhime personale të ndryshme nga njëri-tjetri. Në qoftë se njëri çift kërkon llogari të detajuar nga tjetri për çdo imtësi që blen për vete, kjo do ta detyrojë palën që “merret në pyetje” të fshehë diçka nga tjetri. Prandaj, për harxhimet personale që nuk janë të tepruara, që janë në përputhje me të ardhurat familjare, duhet treguar mirëkuptim dhe duhet toleruar. Nevojat personale dhe kujdesi personal i gruas nuk janë njësoj si të burrit dhe e kundërta...
Shko te Përmbajtja e librit ...