Printo!
Kategoria: Islami në Zvicër
Lexuar: 1390 herë


Kreuzlingen, 01.12.2009
 

Me indinjatë të thellë e përjetuam rezultatin e referendumit të së dielës (29.11.2009), me çka ndalohet ndërtimi i mëtutjeshëm i minareve në Zvicër. Në vendin që në botë njihet për demokracinë, për vlerat humane, për neutralitet në politikën e jashtme dhe për respektimin e të drejtave të të gjithëve, ndaj edhe të minoriteteve etnike e fetare, të dielën më shumë se 57 % e popullatës me të drejtë vote dolën pro kësaj ndalese.

Ne nuk jemi të indinjuar gjithaq me partitë politike SVP dhe EDU që e ndërmorën këtë nismë, ngase ato nuk është hera e parë që dalin me nisma e projekte të këtilla ksenofobike e islamofobike (para disa vitesh manipuluan me popullatën zvicerane rreth numrit të muslimanëve që jetojnë këtu dhe e fituan referendumin kundër fitimit të shtetësisë së drejtpërdrejtë të atyre foshnjave që lindin këtu), por me pjesën tjetër në të cilën ne si muslimanë kemi pasur shpresë se do ta refuzonin këtë ndalesë që s’i ka hije demokracisë, traditës historike të këtij vendi. Si duket shumë kollaj ka pirë ujë te ta propaganda dhe retorika diskriminuese e këtyre partive që njihen për konservatore në vend.

Muslimanët që jetojnë në Zvicër e që shumicën e përbëjnë muslimanët shqiptarë, edhe para 11 shtatorit 2001 edhe pas tij, edhe para referendumit të 29 nëntorit 2009 edhe pas tij, i janë nënshtruar sistemit juridik të këtij vendi dhe kurrë nuk kanë kërkuar norma a të drejta ekskluzive për ta, aq më pak kanë kërkuar sjelljen e Sheriatit (të së drejtës islame) në Zvicër dhe krijimin e strukturave paralele në shoqërinë zvicerane, nuk kanë kërkuar sjelljen dhe imponimin e burkës (veshje e veçantë për femrat që ia mbulon asaj edhe fytyrën – tipike për rastin në Afganistan). E theksoj këtë ngase kohëve të fundit ajo që piu ujë ishte kjo shpifje e dy partive politike ndaj muslimanëve, pasi doli e qartë se ishte gabim ndalimi i ndërtimit të minareve. Ato e vunë theksin në islamizimin e heshtur të Zvicrës dhe u deklaruan si mbrojtës të denjë të Zvicrës krishtere, edhe pse, sipas të dhënave, një pjesë e madhe prej tyre nuk e mbanë mend se kur për herë të fundit kanë qenë në kishë. Një politikë e ngjashme me atë të Sllobodan Mollosheviqit, i cili masakrimin e muslimanëve në Bosnjë e Kosovë dëshironte ta shiste si mbrojtje të Evropës nga Islami, me dallimin se ai masakronte fizikisht dhe në masë, kurse këto shkelin të drejtat elementare për të cilat ky shtet angazhohet në botë.

Pra kemi të bëjmë me një diskriminim të qartë të të drejtave të muslimanëve që jetojnë në Zvicër, kemi mosbarazim në trajtimin e njëjtë të bashkësive fetare në Zvicër, kemi krijimin e një deleje të zezë e cila do ta bart barrën e dështimit real politik të disa subjekteve në fushat ku s’kanë alternativë për të ofruar. Themi diskriminim ngase në nenin 72 të Kushtetutës së Zvicrës shtohet paragrafi 3, që nuk ka qenë më parë, dhe atë në formën: “Ndalohet ndërtimi i minareve”, çka automatikisht nënkupton lejimin e tempujve e kullave të ndryshme të feve të tjera, si te kisha ortodokse serbe, te tempulli sikh etj.

Themi, ajo që na brengos është pjesa e popullsisë në të cilën i varëm shpresat dhe menduam se e përbëjnë shumicën e shëndoshë, por tani kuptojmë se një pjesë e përgjegjësisë për këtë qëndrim të tyre na takon edhe ne si muslimanë, ngase nuk kemi ditur ta lexojmë mirë situatën dhe me kohë nuk kemi ndërmarrë masat për shembjen e këtyre shpifjeve, fajësimeve dhe të frikës ndaj Islamit, muslimanëve, sheriatit etj.

Ajo që na takon ne si musliman tani e tutje është të jemi gjithnjë e më të angazhuar për një hapje më të madhe ndaj publikut, për krijimin e lidhjeve me organizata të ndryshme vendore qeveritare, joqeveritare, fetare, kulturore, shekullare etj., për shprehjen më të qartë të vizionit të muslimanëve të këtushëm vis-a-vis
Islamit dhe rendit të këtij shteti, për shembjen me argumente të qarta të paragjykimeve që ekzistojnë ndaj Islamit dhe muslimanëve, për angazhim më të madh në krijimin e një bashkëjetese me të gjithë që jetojnë këtu.

Nuk duhet të tolerojmë që edhe shumë herë të tjera të bëhemi lëndë diskutimi politik që do të çonin ujë në mullirin e konservatorëve, të cilët nuk zotërojnë edhe më të voglën pikë të etikës për të arritur qëllimet personale e grupore politike duke shkelur mbi dinjitetin, fenë dhe gjithçka tjetër që u takon muslimanëve.


 

Rejhan Neziri
Imam në Bashkësinë Islame Shqiptare
“Hëna e re” në Kreuzlingen, Thurgau (TG)



Bashkësitë fetare në Zvicër, 07.10.2009 (Burimi: BfS - Enti Federal për Statistikë)