Printo!
Kategoria: Islami në Zvicër
Lexuar: 262 herë


 
Rehan Neziri, Kreuzlingen
 

Më 30 dhe 31 maj 2022 në bashkëpunim me dhe në hapësirat e akademisë “Paulus” në Cyrih, Qendra Islame për Islam dhe Shoqëri (Shweizerisches Zentrum für Islam und Gesellschaft) me seli në Fribourg të Zvicrës, mbajti një simpozium shkencor lidhur me të ardhmen e teologjisë islame në Zvicër, me titull “On the Future of a Young Discipline: Islamic-theological Studies between Systematic and Practical Research” (Lidhur me të ardhmen e një disipline të re: studimet teologjike islame midis hulumtimit sistematik dhe atij praktik).

Simpoziumi u zhvillua në shtatë panele të ndryshme, ku panelistë e ligjërues ishin në radhë të parë doktorantë e të doktoruar tanimë nga po kjo Qendër e Fribourgut, gjithnjë të shoqëruar me nga një ligjërues të jashtëm. Simpoziumi u zhvillua në dy gjuhë: gjermane dhe angleze.

Simpoziumin e hapi ko-drejtori i Qendrës, prof. dr. Hansjörg Schmid, i cili fillimisht foli për dallimin midis hulumtimit apo kërkimit shkencor sistematik dhe atij praktik kur është në pyetje studimi i teologjisë islame. Pastaj bëri një rrumbullakësim të shkurtër të punimeve të doktoratës që janë duke vijuar në këtë qendër por edhe të atyre që tanimë janë përfunduar, duke vënë theksin te karakteri i këtyre punimeve nga fusha e teologjisë praktike islame, si një disiplinë e re që mëton të etablohet këtu. Nuk kaloi pa u diskutuar bashkë me publikun edhe çështja e emërtimit të këtyre disiplinave dhe përdorimi i koncepteve me origjinë krishtere në fushën e teologjisë islame, si f.v. teologji praktike, teologji e çlirimit, kujdesi shpirtëror ose baritor etj.

Në panelin e parë me punimet e tyre u prezantuan dr. Baptiste Brodard (i konvertuar në Islam), i doktoruar në këtë Qendër dhe për momentin ndodhet për kërkime të mëtejme shkencore në Meksikë si dhe dr. Haroon Bashir nga Markfield Institute of Higher Education në Angli. Tema e tyre ishte “Nga bamirësia drejt një teologjie islame të çlirimit: bazat fetare të praktikës muslimane të mirëqenies”. Ata dhanë përgjigje në pyetjet: çfarë mund të mësojnë organizatat e punës sociale nga burimet islame? Çfarë kontributi mund të ofrojë një “teologji islame e çlirimit” për zhvillimin e mëtejmë të praktikës së mirëqenies? Në cilat qasje hermeneutike mund të mbështeten projektet islame të një teologjie të çlirimit?

 


dr. Baptiste Brodard  
 

 
dr. Haroon Bashir


Në panelin e dytë me trajtesat e tyre prezantuan Dilek Uçak Ekinci, doktorante pranë kësaj Qendre në Fribourg dhe prof. dr. Ingrid Mattson, muslimane e konvertuar me origjinë kanadeze dhe ligjëruese në universitetin Western Ontario të Kanadasë. Ato trajtuan temën “Kujdesi shpirtëror në fushën e tensionit midis praktikës psiko-sociale, legjitimimit teologjik islam dhe funksionalitetit institucional”. Ato dhanë përgjigje në pyetjet: cilat interpretime fetare lidhur me vuajtjen, dyshimin ose ngushëllimin mund të inkorporohen në shoqërimin e kujdesit shpirtëror? Çfarë pasojash kanë tensionet e mundshme brenda këtyre interpretimeve për praktikën e këtij kujdesi baritor? Në çfarë forme kujdesi baritor islam merr kuptim në aspektin funksional në kontekstin e institucioneve sekulare? 
 


Dilek Uçak Ekinci


 
prof. dr. Ingrid Mattson

 

Në panelin e tretë me punimet e tyre prezantuan shqiptarja nga Maqedonia e Veriut Nadire Mustafi, doktorante pranë kësaj Qendre dhe prof. dr. Jenny Berglund nga universiteti i Stokholmit, Suedi. Temën që ato trajtuan ishte “Xhamitë si vende të edukimit fetar për rininë muslimane: një reflektim nga aspekti i pedagogjisë së fesë”. Ato dhanë përgjigje për pyetjet: si mund të dizajnohet mësimi fetar në xhami, në mënyrë që ai ta plotësojë mësimin shkollor deskriptiv lidhur me Islamin? Çfarë vendesh të tjera  mësimi mund të ketë për të gjithë ata që janë të interesuar fetarisht, por që rrinë në distancë kundrejt xhamisë dhe institucioneve fetare dhe të cilët kërkojnë njohuri për traditën e tyre fetare? 
 

 
Nadire Mustafi


    
prof. dr. Jenny Berglund & N. Mustafi


Dita e parë e këtij simpoziumi u përmbyll me një trajtesë shkencore nga ana e prof. dr. Reinhald Schulze, nga Forumi Islami dhe Lindja e Afërt (FINO) në Bernë dhe njëkohësisht studiues i rrekur i Islamit bashkë me prof. dr. Amir Dziri, ko-drejtor i Qendrës në Fribourg, në temën “Teologjia islame në një shoqëri plurale”. 

Pas ligjëratave të tyre, në podium u zhvillua një diskutim publik lidhur me teologjinë islame universitare dhe lidhshmërinë e saj me bashkësitë fetare islame në Zvicër. Në këtë diskutim morën pjesë: Arlinda Amiti, shqiptare nga Maqedonia e Veriut, doktorante pranë kësaj Qendre në Fribourg, Deniz Yüksel, nga Qendra për Integrim e kantonit të Cyrihut, unë R. Neziri, si imam nga Kreuzlingeni dhe dr. Marc Bundi, përfaqësues i Kishës së Reformuar Evangjeliste në kantonin e Cyrihut. Moderator i kësaj bisede ishte drejtori i akademisë nikoqire “Paulus”, Csongor Kozma.

 

  
Rehan Neziri

 


(nga e majta:) R. Neziri, Arlinda Amiti, Csongor Kozma, Deniz Yüksel dhe dr. Marc Bundi
 


Në ditën e dytë të simpoziumit, fjalën hyrëse e pati prof. dr. Amir Dziri, me titull “Kërkimi sistematik në studimet e teologjisë islame”.

Më pastaj, në panelin e katërt, me trajtesat e tyre shkencore u paraqitën Arlinda Amiti nga Fribourgu dhe prof. dr. Zekirija Sejdini, po ashtu shqiptar nga Maqedonia e Veriut, ligjërues dhe drejtues i katedrës për pedagogji islame pranë universitetit të Insbruckut të Austrisë. Ata e trajtuan temën “Të kuptuarit e Islamit në bazë të predikimeve të së premtes midis normativitetit dhe kontekstit: shembulli i imamëve shqiptarë në Zvicër”. Ata ofruan përgjigje për pyetjet: si ndikojnë çështjet brenda komunitetit dhe strukturave në të kuptuarit e Islamit nga ana e imamëve? Cili është raporti midis burimeve normative dhe kontekstit shoqëror që reflektohet në predikimet e së premtes? Çfarë roli luajnë temat e rëndësishme sociale në këtë plan?


 


Arlinda Amiti


 
prof. dr. Zekirija Sejdini


Në panelin e pestë me kumtesat e tyre u paraqitën Alexander Boehmler, i konvertuar në Islam dhe doktorant pranë Qendrës në Freiburg, dhe prof. dr. Mark Sedgwick nga universiteti Aarhus i Danimarkës. Ata e trajtuan temën “Bashkëjetesa në shoqërinë pluralë: vetëreflektimi musliman dhe kontributi i sufizmit”. Ata kërkuan përgjigje në pyetjet: në çfarë mase mund të kontribuojnë mendimet e sufistëve të hershëm perëndimorë si Frithjof Schoun në reflektimin e sotëm islam? Si të veprojmë me faktin se në çdo shoqëri idealet dhe vlerat evaluojnë (zhvillohen) vetvetiu?

Në panelin e gjashtë prezantuan Safia Boudaoui, doktorante pranë Qendrës dhe dr. Ghassan el-Masri nga universiteti i Berlinit dhe Erlangenit. Ata e trajtuan temën “Evolucioni dhe implementimi praktik: koncepti i zeqatit në Kur’an midis kontinuitetit dhe thyerjes”. Ata kërkuan përgjigje në pyetjet: në çfarë mase na lejon analiza filologjike të reflektojmë për diversitetin e kuptimeve teologjike? Në çfarë mase zeqati dhe sadakaja janë relevante për diskurset e tanishme teologjike dhe etike në kontekstet muslimane?

Dhe në panelin e fundit, të shtatë, prezantuan kumtesat e tyre Esma Isis-Arnautović, doktorante pranë Qendrës dhe prof. dr. David Vishanoff nga universiteti i Oklahomës. Ata e trajtuan temën “Antropologjia teologjike – një perspektivë e re brenda studimeve të teologjisë islame”. Ata, në kumtesat e tyre, kërkuan përgjigje në pyetjet: ku është e vendosur antropologjia teologjike dhe si trajtohet ajo brenda studimeve të teologjisë islame? Si mund të ankorohet ajo në epistemologji dhe në metodologji? Cilat qasje antropologjike janë zhvilluar nga ana e teologëve dhe dijetarëve muslimanë? Çfarë i dallon ato dhe çfarë vlere dhe rëndësie kanë këto qasje?

Me këtë përfunduan edhe trajtesat e diskutimet shkencore lidhur me teologjinë islame në Zvicër, duke u bazuar në punimet e doktoratës së punonjësve shkencorë muslimanë, për nga origjina ose të konvertuar, një pjesë prej tyre edhe me prejardhje shqiptare, gjithnjë të shoqëruar nga ekspertë të fushave gjegjëse në universitete të ndryshme të botës.

Punimet e simpoziumit do të publikohen në përmbledhje të veçantë të Qendrës Zvicerane për Islam dhe Shoqëri me seli në Fribourg të Zvicrës.

 

         
Rehan Neziri & Zekirija Sejdini


   
(nga e majta:) Ana Gjeci, Arlinda Amiti, Zekirija Sejdini, Nadire Mustafi