Më 15 mars 2017 pata nderin të marr pjesë në një diskutim publik në kuadër të një kursi trajnues për mësuese dhe mësues të përgjithshëm dhe mësues të fesë krishtere nga rajoni i qytetit të St. Gallenit dhe Rorschachut që ishte organizuar nga dhe në hapësirat e Shkollës së Lartë Pedagogjike në Rorschach të kantonit St. Gallen.
Bashkëbisedues ishte edhe teologu katolik z. Rolf Bossart, ligjërues në këtë Shkollë të Lartë si dhe rabini z. Tovia Ben-Chorin nga St. Galleni.
Fillimisht u zhvillua një diskutim plenar me të tre përfaqësuesit e feve, ku patëm mundësinë t’u përgjigjemi pyetjeve të përgjithshme që vlenin për të tria fetë, ndërkaq në pjesën e dytë u ndamë në tri grupe, me ç’rast të pranishmit kishin mundësinë t’i vizitonin të tria grupet duke diskutuar me ne veç e veç tema që kishin të bënin me secilën prej feve tona.
Për shkak të interesimit të madh të pjesëmarrësve, afro 25 gjithsej, u desh që kursi të vazhdohej edhe për një orë, gjithsej tri orë. Sërish mbetën shumë çështje pa u diskutuar. Me siguri për një rast tjetër.
I gjithë diskutimi u zhvillua në një atmosferë shumë miqësore, larg provokimeve, që për qëllim kishte arsimimin, shpjegimin dhe sqarimin jo vetëm të Islamit, Krishterimit dhe Hebreizmit, por edhe të problemeve të shumta që lidhen me pjesëtarët e këtyre feve, gjithnjë duke e marrë parasysh strukturën tanimë qëmoti të larmishme të shkollave zvicerane me nxënëse e nxënës të feve të ndryshme.
Nikoqirja znj. Monika Winter, teologe krishtere dhe docente në këtë Shkollë të Lartë në Rorschach, jo vetëm që mbeti e kënaqur me diskutimin e shtruar që u zhvillua aty, edhe pse ishte hera e parë e këtij lloji në këto hapësira, ajo shprehu dëshirën që të vazhdohej edhe më tej në këtë drejtim, edhe atë jo vetëm me mësuese e mësues por edhe me studentë të kësaj shkolle. Ngelim me shpresën se këto diskutime e trajnime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, për të mirën e të gjithëve.
Më poshtë mund të lexoni një përmbledhje të pyetjeve që u diskutuan:
Pyetje që u parashtruan në diskutimin plenar për të tria fetë:
- Cilat vende i viziton një hebre, një krishterë, një musliman për arsye fetare kur shkon në Jerusalem? Dhe pse?
- Cili është vendi më i dashur për Ju në këtë qytet?
- Historia e dhimbshme e kryqëzimit të Jezuit: Kush është fajtor për vdekjen e Jezuit?
- Pse në të kaluarën por edhe sot në të tria fetë zhvillohen luftëra në emër të Zotit?
- Cili do të ishte teksti më i rëndësishëm fetar nga të tria religjionet, që unë t’ua përcjell nxënësve të mi të ciklit të mesëm në shkollën fillore?
- Çfarë hahet e çfarë jo në të tria fetë? Si ia çoni me produktet ushqimore në Zvicër?
- Në çfarë forme praktikohet agjërimi në fetë tuaja dhe çfarë kuptimi ka ai?
- A ka pasur reformacion në Hebreizëm, brenda Kishës katolike dhe në Islam? Nëse po, a na përmendi disa emra të këtyre reformatorëve? Nëse jo, a mendoni se duhet të ketë reforma në këto fe?
- Çfarë do të thotë për ju termi “tolerancë”?
- Si mund të ketë sukses dialogu ndërfetar? Çfarë mund të bëjmë ne në këtë drejtim?
- Cilat festa, cilat rituale dhe cilat shprehje janë më të rëndësishmet në fenë tuaj?
- Në çka duhet të kemi kujdes kur bashkë me nxënësit dëshirojmë ta vizitojmë një sinagogë, një kishë dhe një xhami?
- Në çfarë mase dhe si duhet të bëhet integrimi në një vend të ri, p.sh. në Zvicër?
- Lidhur me temën e barazisë dhe trajtimit të barabartë të njerëzve paraqitet edhe tema e homoseksualitetit. Përse personat homoseksualë në disa fe janë të padëshirueshëm ose madje edhe të përjashtuar nga shoqëria?
- Ne si mësues/e si duhet të sillemi me besëtytnitë në të tria fetë, të cilat fëmijët i sjellin me vete në shkollë?
- Çfarë duhet dhe çfarë mund t’u sqaroj nxënësve në shkollë për konfliktin midis hebrenjve dhe muslimanëve?
Pyetje drejtuar vetëm imamit:
- Cilat janë festat më të rëndësishme brenda vitit për një musliman?
- Cilat janë ditët më të mëdha/ më të rëndësishme në jetën fetare të një muslimani?
- Në fenë hebreje dhe në atë krishtere njihet një ritual apo festë me rastin e hyrjes në moshën e “pjekurisë fetare” (Bar Micva, respektivisht konfirmacioni). A ka diçka të këtillë edhe në fenë islame? Ose, nga cila moshë njihet një musliman si “i pjekur” fetarisht?
- Si zhvillohet mësimi fetar në komunitetin tuaj? Ku dhe kur zhvillohet, kush jep mësim, kush e financon atë? Fëmijët e cilës moshë e ndjekin atë?
- Cila pozicione ekstreme brenda komunitetit Tuaj ju shkaktojnë Juve më shumë shqetësim?
- Në lëndën e notit në shkollë ne shpesh kemi problem me vajzat muslimane. Ne si mësimdhënës me këtë rast duhet të bëjmë dallimin, në mos kemi thjesht vetëm një provokim nga ana e vajzave apo vërtet feja qëndron në plan të parë për të. Sipas aktgjykimit të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strassburg, edhe vajzat muslimane janë të obliguara ta ndjekin lëndën e notit në shkollë. Pyetja ime është: Ju si imam çfarë mund ta këshillonit vajzën muslimane në këtë drejtim?
- Përshëndetja për dore e mësuesve me nxënësit në shkollat tona zvicerane është një ritual. Në Zvicër për këtë u zhvillua një aferë e cila zgjoi mjaft interesim. A është në rregull që shkolla ta anulojë një ritual të këtillë? SI e sqaroni Ju si imam këtë?
- Cila janë ndalesat më të rëndësishme te muslimanët? Unë si mësimdhënës cilave pika duhet t’u ik, për cilat duhet të kem kujdes të veçantë në raport me nxënësit e mi muslimanë?
- Pse muslimanët nuk guxojnë ta konsumojnë mishin e derrit?
- Pse të gjithë njerëzit nuk e kanë të njëjtin besim?
- A është e saktë se hebrenjtë i vrasin muslimanët?
- Tatutë a janë haram?
- Pse burrat muslimanë guxojnë të hyjnë në xhami me tesha krahëshkurtre kurse gratë vetëm krahëgjatë?
Rejhan Neziri, Kreuzlingen